Vështrime

Një klasë e re sunduese që nuk prek në tokë

Nuk është çudi, pra, që një klasë e re sunduese po ngrihet, e përbërë nga pronarët e një forme të re të kapitalit të bazuar në të renë kompjuterike që na urdhëron ta riprodhojmë atë brenda sferës së vet algoritmike të platformave digjitale të ndërtuara me qëllim dhe jashtë tregjeve konvencionale të produkteve ose punës. Kapitali është kudo, mirëpo kapitalizmi është në rënie. Në një epokë kur pronarët e kapitalit komandues kanë fituar pushtet të tepruar mbi të gjithë, përfshirë kapitalistët tradicionalë, kjo nuk është kontradiktë

Njëherë e një kohë, të mira kapitale ishin thjesht mjetet e prodhimit. Veglat e peshkimit që arriti t’i shpëtonte Robinson Kruzoja, parmenda e një fermeri dhe furra e një farkëtari ishin mjete që ndihmonin në prodhimin e më shumë mjeteve, më shumë ushqimi dhe pajisjeve të çelikut vezullues. Më pas kapitalizmi erdhi e u dha pronarëve të kapitalit dy fuqi të reja: Fuqinë për t’i detyruar ata që nuk kanë kapital të punojnë për një pagë dhe fuqinë e përcaktimit të agjendave në institucionet politikëbërëse. Megjithatë, sot po shpërfaqet një formë e re e kapitalit, duke nxjerrë një klasë të re sunduese, madje edhe një mënyrë të re prodhimi.

Në krye të këtij ndryshimi ishte televizioni komercial pa pagesë. Vetë programet nuk mund të shndërroheshin në mall, kështu që u përdorën për ta tërhequr vëmendjen e shikuesve para se t’u shitej reklamuesve. Sponsorizuesit e programeve këtë vëmendje të njerëzve e vunë në përdorim për të bërë diçka të guximshme: t’i shfrytëzonin emocionet (që i kishin shpëtuar shndërrimit në mall) për detyrën e thellimit... të shndërrimit në mall.