Vështrime

Përvjetori i hidhur mes Amerikës dhe Kinës

Armiqësia e përbashkët ndaj Bashkimit Sovjetik ishte ngjitësi që mbajti së bashku marrëdhëniet kineze-amerikane për dy dekadat e ardhshme, derisa Lufta e Ftohtë mbaroi dhe Bashkimi Sovjetik u shemb. Kina dhe SHBA-ja më pas menduan se kishin gjetur një arsye të re për marrëdhëniet e tyre në lulëzimin e lidhjeve ekonomike. Secila palë donte qasje në tregun e tjetrës; kinezët gjithashtu donin qasje në kapitalin dhe në njohuritë amerikane

Shtetet e Bashkuara dhe Kina gjatë këtij muaji shënojnë përvjetorin e artë të marrëdhënies së tyre moderne. Në shkurt të vitit 1972, presidenti i SHBA-së, Richard Nixon, dhe këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, Henry Kissinger, zbritën nga një aeroplan në Pekin dhe pak minuta më pas u takuan me kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Zedong. Vizita e tyre shkaktoi një tërmet gjeopolitik, atë që Nixoni e quajti “javën që ndryshoi botën”.

Ky afrim historik fshiu dy dekada armiqësi midis Republikës Popullore të Kinës – e njohur nga shumica e amerikanëve atëherë si Kina e Kuqe ose Komuniste – dhe SHBA-së. Antagonizmi i kishte rrënjët në luftën civile kineze, në të cilën SHBA-ja mbështeti palën nacionaliste antikomuniste, e cila humbi dhe u detyrua të ikte në Formosa (Tajvan) në vitin 1949. Një vit më pas, ushtarët kinezë dhe ata amerikanë nisën të luftojnë dhe të vrasin njëri-tjetrin në luftën koreane.