Me normat politike të shkatërruara të Amerikës dhe fraksionizmin me nuancë dhune, a është çudi që vetëm 17% e demokracive të botës e shohin SHBA-në si një vend për t'u imituar? Është koha që amerikanët, ose të paktën ata që synojnë të përfaqësojnë SHBA-në në botë, ta shohin veten si të tjerët, pa justifikime dhe racionalizime
Përvjetori i sulmit të 6 janarit të 2021-tës në kryeqytetin e SHBA-së erdhi e shkoi, e shumë amerikanë janë të dëshpëruar fort që ndarja politike e vendit vetëm është thelluar. Megjithëse shumica e udhëheqësve të Partisë Republikane e dënuan sulmin në atë kohë, GOP-i që atëherë ka përvetësuar rrjetin e gënjeshtrave dhe falsifikimeve të ish-presidentit Donald Trump rreth zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat ai i humbi me shtatë milionë vota. Republikanët kanë refuzuar edhe të marrin pjesë në hetimin e Kongresit për këtë çështje.
Një vit pasi një president në detyrë u përpoq të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të drejta dhe të ligjshme, përpjekja për të identifikuar dhe ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës tani duhet të konkurrojë për vëmendje me krizat e tjera të sigurisë: trupat ruse që po grumbullohen pranë Ukrainës; Irani i afrohet pragut të shpërthimit bërthamor; dhe katastrofat humanitare në Afganistan dhe Jemen. Të ballafaquar me krejt këtë, udhëheqësit amerikanë do të tundohen të vendosin një vijë të ndritshme midis dhe jashtë vendit. Mirëpo nëse do të ndodhte kjo, do të ishte diçka edhe e rrezikshme, edhe e gabuar.
Polarizimi i thellë i Amerikës pasqyron një shoqëri, anëtarët e së cilës nuk ndajnë më një kuptim thelbësor të asaj që do të thotë të jesh “i sigurt”. Amerikanët priren të kenë përvoja shumë divergjente – gjatë linjave racore, fetare dhe gjinore – me institucionet e sigurisë së brendshme amerikane. Besimi në ushtrinë dhe në forcat e sigurisë amerikane ka qenë vazhdimisht i lartë; tani ai po bie krahas besimit në pjesën tjetër të institucioneve qeveritare të Amerikës.
Amerikanët nuk pajtohen më se kush ose çfarë përbën një kërcënim, me demokratët shumë më të prirë për të përmendur kohezionin e brendshëm e dhunën politike. Për më tepër, amerikanët janë të ndarë nga ideologjia dhe mosha nëse njerëzit dhe idetë gjetkë janë një mundësi a kërcënim.
Këto ndarje dhe bllokimi i politikave që rezultojnë, do të ishin mjaft të këqija në izolim. Mirëpo pjesa tjetër e botës po këqyr e po sheh një shoqëri që nuk mund të pajtohet me atë se çka është demokracia, ose se kush i takon popullit. Në indeksin e kombinuar të vlerësimit të kombinuar të politikës së Bankës Botërore, SHBA-ja është ulur nga një pikë prej dhjetë vjetësh, më e larta për një demokraci, në pesë, që do të thotë se është në prag të anokracisë: demokraci me karakteristika autoritare.
Në mbarë botën ata që janë frymëzuar nga udhëheqës si Abraham Lincoln dhe Martin Luther King Jr. tani janë të përndjekur nga imazhet e flamurit të Konfederatës që valëvitet në sallat e Kongresit. Aleatët, lidhjet e të cilëve me SHBA-në kthehen në Luftën e Dytë Botërore, tani shohin zyrtarët e zgjedhur të SHBA-së që përqafojnë mohuesit e Holokaustit. As mik e as armik nuk besojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ose do t’i përmbushin premtimet e tyre afatgjata, qoftë në fushën e shpërndarjes së vaksinave, marrëveshjeve klimatike a marrëveshjeve bërthamore.
Nëse jeni amerikanë dhe ky përshkrim po tingëllon i ekzagjeruar, duhet t’ia hidhni një sy fqinjit tuaj verior. Në Kanada, me të cilën SHBA-ja ndan kufirin më të gjatë të pafortifikuar në botë, mediat kryesore shënuan përvjetorin e 6 janarit me një debat mbi “Çfarë të bëhet në lidhje me zbërthimin e mundshëm të demokracisë në Shtetet e Bashkuara”. Shkencëtarja politike amerikane Barbara Walter, një eksperte kryesore globale për luftërat civile, ka shkruar një libër të ri, “Most Americans cannot imagine another civil ëar in their country”, mirëpo kjo ndodh sepse ata nuk e dinë se si fillojnë luftërat civile.
Amerikanët duhet ta pranojnë se erozioni i demokracisë së tyre është po aq çështje e politikës së jashtme, aq edhe e brendshme. Ata republikanë dhe demokratë që janë ende të gatshëm të punojnë së bashku për çështjet kyç ndërkombëtare duhet ta pranojnë se ajo kërkon gjithashtu të punojnë së bashku për të mbështetur normat thelbësore demokratike në vend.
Këto norma janë themelore për gjithçka që SHBA-ja dëshiron të arrijë jashtë vendit. Së paku, ato përfshijnë një refuzim të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, mbrojtje të fortë për të drejtat e votës dhe administrim jopartiak zgjedhor. Konservatorët që i bëjnë thirrje Bidenit të veprojë më ashpër jashtë vendit duhet të ndalojnë së menduari se si duket për pjesën tjetër të botës harkimi i vazhdueshëm i krahut të djathtë për “Vjedhjen e madhe”. Udhëheqësit amerikanë nga i gjithë spektri politik mund të dërgojnë mesazh shumë më bindës duke demonstruar një gatishmëri për të riparuar të çarat në demokracinë amerikane. Kapaciteti për ta bërë këtë ka qenë historikisht një nga pikat më të forta të Amerikës.
Në fund të fundit, kemi qenë këtu më parë. Gjysmë shekulli më parë demokracia amerikane u testua nga një president, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen, dhe nga një institucion sigurie që e çoi vendin në një luftë katastrofike. Kjo nxiti një përpjekje të gjerë për të adresuar të metat sistematike. E teksa zgjidhjet nuk ishin të përsosura, ato megjithëkëtë ia dolën mbanë të rivendosnin prestigjin e institucioneve të SHBA-së për katër dekadat e ardhshme – si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Si mund të duket tani një përpjekje e tillë? Senatori Mike Rounds, një republikan nga Dakota e Jugut, kohët e fundit mblodhi guximin për të kundërshtuar Trumpin, duke thënë për ABC News: “Zgjedhjet ishin të drejta, aq të drejta sa kemi parë. Ne thjesht nuk i fituam zgjedhjet, si republikanë, për presidencën”. Ky është një fillim i mirë. Por pa progres në trajtimin e të gjithë gamës së problemeve me zgjedhjet në SHBA – kush mund të votojë dhe si numërohen votat – as republikanët dhe as demokratët nuk mund ta mbajnë kokën lart në oborrin e opinionit publik global.
Përgjegjësia sigurisht nuk i takon vetëm Kongresit. Në Udhëzimin e Përkohshëm Strategjik të Sigurisë Kombëtare, i botuar marsin e kaluar, administrata e presidentit Biden e bëri të qartë se "roli ynë në botë varet nga forca dhe vitaliteti ynë këtu në shtëpi". Që atëherë, Bideni ka nënshkruar fatura dhe ka zbatuar politika që ndajnë miliarda dollarë për kërkimin dhe zhvillimin në industritë strategjike, infrastrukturën fizike dhe një infrastrukturë më të mirë sociale.
Përsëri, ky është një fillim i mirë. Ama le të supozojmë se administrata e bëri logjikën e saj një hap më tej dhe deklaroi hapur se kërcënimet ndaj demokracisë sonë janë gjithashtu kërcënime për sigurinë tonë? Drejtori i Inteligjencës Kombëtare ka paralajmëruar tashmë se ekstremizmi i dhunshëm politik – një eufemizëm për terrorizmin e brendshëm – përbën një rrezik më të madh për amerikanët sesa terrorizmi islamik.
Me normat politike të shkatërruara të Amerikës dhe fraksionizmin me nuancë dhune, a është çudi që vetëm 17% e demokracive të botës e shohin SHBA-në si një vend për t'u imituar? Është koha që amerikanët, ose të paktën ata që synojnë të përfaqësojnë SHBA-në në botë, ta shohin veten si të tjerët, pa justifikime dhe racionalizime.
(Anne-Marie Slaughter është themeluese e grupit të pavarur të mendimit, “New America”. Heather Hurlburt është drejtoreshë e Iniciativës së Modeleve të Reja të Ndryshimit të Politikave në “New America”. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)