OpEd

Kur merr fund kjo torturë?

Virologu i njohur gjerman Christian Drosten është optimist se dimrin tjetër jeta do të kthehet pothuaj në normalitet

Më 14 janar në mbrëmje “Koha Ditore” njoftoi se “Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 585 raste të reja me COVID-19, që përbën numrin më të lartë të të infektuarve brenda një dite gjatë vitit 2022”. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për respektim masash e vaksinim, me paralajmërimin për përkeqësim të situatës. Pas një kohe të gjatë pa viktima, prapë po shënohen raste të vdekjes nga virusi korona dhe mutacionet e tij. Po më 14 janar u bë e ditur se në Shqipëri vdiqën shtatë njerëz si pasojë e infektimit me virus. Më 13 janar “Koha Ditore” njoftoi se Prishtina prin me COVID-19, gjashtëfish më shumë raste se komuna e dytë (Prizreni).

Tani si arsyetim mund të thuhet se në Prishtinë ka më shumë banorë, andaj edhe më shumë infektime. Por kjo është gjysma e së vërtetës. Pjesa tjetër e së vërtetës ndërlidhet me mosrespektimin e masave. Certifikatën e vaksinimit nuk ta kërkon askush askund, me përjashtim të pyetjes në sportelin e kontrollit të pasaportave në aeroport. Aty-këtu në lokale të Prishtinës ka disa njoftime në hyrje se klientët duhet të kenë certifikatën e vaksinimit.

Në vitin e dytë të koronës shumë njerëz janë lodhur, jo vetëm në Kosovë. Pandemia po i acaron nervat. Vetvetiu imponohet pyetja: kur merr fund kjo torturë? A ka shpresë për kthim në normalitet? Gazeta gjermane “Tagesspiegel” ka intervistuar virologun e njohur Christian Drosten, i cili që nga fillimi i pandemisë është shndërruar dhe pranuar si autoritet shkencor. Cili mund të jetë skenari për vitin 2022 sa i përket pandemisë? Drosten thotë: “Në dimrin e ardhshëm llogaris edhe njëherë me një rritje të madhe të rasteve të infektimit. Ne po ashtu do të jemi të detyruar që në brendi të objekteve të bartim sërish maska, pasi që mbrojtja nga transmetimi i infektimit sërish do të bjerë pak dhe personat e rrezikuar në popullsi duhet të mbrohen, sidomos të moshuarit e vaksinuar dhe të pavaksinuarit e çdo moshe. Por kufizime të dukshme me gjasë nuk do të jenë më të nevojshme. Ne vetëm duhet të kemi kujdes për atë pjesë të popullsisë që është e rrezikuar”.

Për të kaluar këtë torturë, neuroshkencëtari Dominique de Quervain nga Universiteti i Baselit ka një propozim: bartjen edhe më tutje të maskave në mënyrë konsekuente. Sepse, sipas tij, maskat FFP2 mbrojnë më mirë nga Omikroni se në rastin e variantit Delta.

Se çfarë do të ndodhë pas dy vjetësh, zor të parashikohet. Sipas Christian Drosten pas dy vjetësh më shumë do të flitet për Mersin, një virus të zbuluar më 2012 në siujdhesën arabike, do të flitet për Long-Covid, pra për pasojat afatgjata të COVIDIT, por jo për Sars-Cov-3, sepse kjo nuk është më e mundur, ngase do të ketë aq shumë imunitet të popullatës, saqë variantet e reja të Sars nuk do të kenë më shans.

Kur merr fund kjo torturë? Hap pas hapi dhe me kujdes të madh. Vaksinimi është një e arritur e madhe shkencore. Dhe e mira e shkencës është se nuk ndalet së hulumtuari. Shkencëtarë në mbarë botën po punojnë pandërprerë për gjetjen e vaksinave apo ilaçeve të tjera për t’u përballur me COVIDIN. Para një viti vdisnin njerëz jo vetëm nga grupet e rrezikuara, por edhe të rinj e të shëndoshë. Sot COVID-19 kalohet si një grip pak më i rëndë, natyrisht nga ata që janë të vaksinuar. Ata që s’janë, mbesin të rrezikuar nga komplikimet e papritura dhe në rastin më të keq mund të vdesin.

Të dielën në mbrëmje u njoftua se “në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 771 raste të reja pozitive me COVID-19, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë rast me fatalitet”. Lajme të tilla do të jenë shoqëruese të përditshmërisë sonë në muajt e ardhshëm. Shpresa e vetme afatshkurtër është që të mos ngarkohet së tepërmi sistemi shëndetësor në Kosovë, sepse po ndodhi kjo gjërat mund të ndërlikohen. Pandemia duhet të jetë mësim për institucionet për funksionalizimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor dhe rritjen e besimit të pacientëve ndaj mjekëve.