Ruajtja e pyjeve varet nga disa faktorë të ndërlidhur. Legjislacioni për të mbështetur përpjekjet për ruajtjen dhe më shumë financime për iniciativa si ato të përmendura këtu, do të ndihmojnë në promovimin e punës që është pozitive për mjedisin. Ama, pa ndryshime strukturore në nivel kombëtar dhe lokal për t'ua mundësuar banorëve ruralë të fitojnë jetesën nga aktivitetet e qëndrueshme pyjore, shkatërrimi i biomeve më të rëndësishme pyjore të Tokës do të vazhdojë
Mbrojtja dhe ruajtja e biomeve, sidomos e pyjeve tropikale, është vendimtare për të arritur synimet klimatike, sidomos në vendet me mbulesë pyjore të bollshme.
Megjithatë, të dhënat e fundit të mbikëqyrjes tregojnë shpyllëzim të konsiderueshëm në shumë nga këto zona, duke përfshirë edhe ato më të gjerat në botë.
Në tetor të vitit 2021, Instituti Kombëtar i Brazilit për Kërkimet Hapësinore ka raportuar nivelin më të lartë të humbjes së pyjeve në Amazonë të regjistruar në atë muaj që kur kishte filluar mbikëqyrja pesë vjet më parë. Dhe problemi nuk mbaron vetëm tek Amazona. Pylli i dytë tropikal më i madhi në vend, Lumi i Basenit të Kongos, ka humbur më shumë se 15 milionë hektarë, ose 8% të mbulesës së vet origjinale mes viteve 2001 dhe 2020.
Synimet globale për të promovuar biodiversitetin, të tilla si ato për të cilat është rënë dakord në Konferencën e fundit të Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike (COP26), janë kritike për të rritur ndërgjegjësimin rreth humbjes së ekosistemit dhe për të siguruar llogaridhënien në nivelin ndërkombëtar. Mirëpo pjesa më e madhe e punës aktuale të ruajtjes domosdoshmërisht duhet të kryhet në vend.
Mundësimi i njerëzve në këto rajone të biodiversitetit për të bashkëjetuar me mjedisin e tyre është thelbësor për mbijetesën e biomeve pyjore. Por të fitosh jetesën në pyje nuk është një detyrë e lehtë. Aktivitete të tilla si minierat dhe prerja e drurëve janë më fitimprurëse – të paktën në afat të shkurtër, sesa, të themi, menaxhimi i pyjeve, bujqësia e qëndrueshme dhe ekoturizmi.
Një studim i fundit i dinamikës së përdorimit të tokës në Amazonën braziliane i kryer gjatë dy vjetëve të fundit ka ofruar disa njohuri se si qeveritë dhe aktorët joqeveritarë mund ta promovojnë ruajtjen e pyllit në nivel lokal. Si fillim, t’i kuptosh nevojat dhe shqetësimet e banorëve është më e rëndësishmja. Organizatat e shoqërisë civile që punojnë në Amazonë, për shembull, kanë mësuar që stabiliteti ekonomik është një shqetësim i madh për fermerët ruralë. Me këto njohuri, OJQ-të kanë prezantuar praktika të reja bujqësore të bazuara në teknologjinë e fundit. Kjo ka mundësuar që aktivitete të tilla si blegtoria dhe prodhimi i kafesë të bashkëjetojnë me rimëkëmbjen e pyjeve.
Programe të tjera të vendosura gjatë kësaj periudhe u kanë mësuar fermerëve të vegjël ruralë teknika të menaxhimit të pyllit dhe se si të mbjellin specie vendase. Agjentët që punojnë më OJQ-të ofruan asistencë teknike për fermerët dhe ngritën njësi demonstruese për t’i ndihmuar banorët të kuptojnë përfitimet e metodave të reja. Promovimi entuziast i teknikave dhe dëshmia se ato përmirësonin prodhimin ishin faktorë vendimtarë në inkurajimin e fermerëve vendas që t'i adoptonin ato dhe të angazhoheshin në aktivitete të qëndrueshme pyjore.
Përveç prezantimit të praktikave bujqësore me pyjet, organizatat e shoqërisë civile në Amazonë punojnë më kooperativa të vogla prodhuese për t’i integruar komunitetet e largëta në tregje më të mëdha. Këto rrjete i lejojnë fermerët të fitojnë para nga pyjet pa i dëmtuar ato. Mirëpo, kjo infrastrukturë është shumë e ndjeshme. Sipas të dhënave të mbledhura nga Conexsus, të ardhurat vjetore të kooperativave të qëndrueshme në Amazonën braziliane të gjeneruara për anëtarët e tyre në vitin 2019 ishte nën gjysmën e pagës minimale të Brazilit për atë vit. Të ardhura të tilla të vogla e bëjnë të vështirë tërheqjen e fermerëve nga aktivitetet fitimprurëse, por më pak të qëndrueshme.
Për të pasur një pyllëzim të qëndrueshëm, banorët e komuniteteve rurale, duhet ta shohin atë si një burim të besueshëm për të ardhura stabile. Institucionet qeveritare mund të reduktojnë pasigurinë ekonomike përmes legjislacionit dhe stimujve.
Fatkeqësisht, ndryshimet e fundit të politikave në fakt kufizojnë qëndrueshmërinë e pylltarisë në Brazil. Dobësimi gradual i organeve kombëtare përgjegjëse për kontrollin dhe mbikëqyrjen e përdorimit të tokës është një nga shkaqet kryesore të rritjes së fundit të shpyllëzimit në pellgun e Amazonës dhe politika e kreditimit rural të Brazilit gjithashtu bën pak për të mbështetur iniciativat ekonomike të qëndrueshme për mjedisin. Në vitin 2019 dhe 2020, vetëm 3% e disbursimeve të bëra nga institucionet financiare në rajonin e Amazonës u drejtuan drejt aktiviteteve të qëndrueshme; shumica e pjesës tjetër shkoi në industri të njohura për dëmtimin e ekosistemit vendas, sikurse prodhimi i sojës dhe blegtoria në shkallë të gjerë.
Organizatat e udhëhequra nga komuniteti janë kyç për promovimin e pylltarisë së qëndrueshme, por aftësia e tyre për të bërë ndryshime është e kufizuar, për shkak të mungesës së kapitalit. Aktivitete si mësimi i teknikave më të qëndrueshme për fermerët ruralë, krijimi i tregjeve që inkurajojnë investimet në produkte pyjore dhe zhvillimi i mënyrave për të integruar komunitetet e Amazonës në zinxhirët e vlerës, kërkojnë kohë dhe janë të shtrenjta.
Ruajtja e pyjeve varet nga disa faktorë të ndërlidhur. Legjislacioni për të mbështetur përpjekjet për ruajtjen dhe më shumë financime për iniciativa si ato të përmendura këtu, do të ndihmojnë në promovimin e punës që është pozitive për mjedisin. Ama, pa ndryshime strukturore në nivel kombëtar dhe lokal për t'ua mundësuar banorëve ruralë të fitojnë jetesën nga aktivitetet e qëndrueshme pyjore, shkatërrimi i biomeve më të rëndësishme pyjore të Tokës do të vazhdojë.
(Autori, anëtar redaktor i Ceiri News, është ekonomist dhe bashkëpunëtor në Instituto Conexões Sustentáveis – Conexsus, OJQ e fokusuar në zhvillimin e ndërmarrjeve rurale dhe pyjore që ruajnë biomet në Brazil. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)