OpEd

Heqja e kapakut mbi pabarazinë globale

Ekziston një çështje konceptuale e mëtejshme, e ndoshta edhe më shqetësuese. Vendet me PPP të lartë - domethënë ato ku fuqia aktuale blerëse e monedhës vendëse konsiderohet të jetë shumë më e lartë se vlera e saj nominale - janë zakonisht ekonomi me të ardhura të ulëta dhe me paga mesatare të ulëta

Raporti i Pabarazisë Botërore 2022, i nxjerrë nga Laboratori Botëror i Pabarazisë me bazë në Paris, është një dokument i rëndësishëm për shumë arsye – duke filluar me demonstrimin e fuqisë së pamasë të kërkimit kolektiv të pacientëve.

Raporti ofron vlerësimet më të fundit, bazuar në grumbullimin e kujdesshëm të të dhënave kombëtare nga një mori burimesh të pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë në nivel kombëtar, rajonal dhe global. Ai jep të dhëna afatgjata të serive kohore për këta tregues, duke na lejuar të marrim parasysh modelet e fundit në një kontekst më të gjerë historik. Si dhe zgjerohet në dimensione të ndryshme të pabarazisë në zbulimin e mënyrave të reja.

Çdo ndërmarrje kërkimore aq ambicioze sa kjo, në mënyrë të pashmangshme do të nxisë grindje në lidhje me grupet e të dhënave të përdorura, supozimet e nevojshme për të gjeneruar seri të veçanta, dhe mënyrat se si disa boshllëqe të të dhënave janë mbushur. Kritika ime e vogël lidhet me përdorimin e normave të barazisë së fuqisë blerëse (PPP) nga Laboratori Botëror i Pabarazisë për të përcaktuar dhe krahasuar të ardhurat kombëtare nëpër vende.

Siç kam argumentuar edhe diku tjetër, ndërkohë që kurset e këmbimit të PPP-së duket se kontrollojnë për dallimet mes vendeve në nivelet e çmimeve dhe standardet e jetesës, ato janë të mbushura me probleme konceptuale, metodologjike dhe empirike. Si pikënisje, kurset e këmbimit të PPP-ve supozojnë se struktura e ekonomisë së çdo vendi është e ngjashme më atë të vendit standard (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) dhe ndryshon në të njëjtën mënyrë me kalimin e kohës. Kur zbatohet në ekonomitë në zhvillim, ky supozim del të jetë shumë i dobët.

Për më tepër, procedura e ndërlikuar e peshimit për mallrat mund të rezultojë në përfshirjen e produkteve jopërfaqësuese, me çmime të larta, të cilat rrallë mund të konsumohen në disa vende. Për shembull, Angus Deaton ka vënë në dukje se si kornfleksat e paketuar janë në dispozicion në vende të varfra, por blihen vetëm nga një numër i vogël i njerëzve të pasur. Peshat e shpenzimeve nga llogaritë kombëtare nuk pasqyrojnë modelet e konsumit të njerëzve që janë të varfër sipas standardeve globale.
Ekziston një çështje konceptuale e mëtejshme , e ndoshta edhe më shqetësuese. Vendet me PPP të lartë – domethënë ato ku fuqia aktuale blerëse e monedhës vendëse konsiderohet të jetë shumë më e lartë se vlera e saj nominale – janë zakonisht ekonomi me të ardhura të ulëta dhe me paga mesatare të ulëta. PPP është i lartë pikërisht sepse një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore merr shpërblim shumë të ulët, që do të thotë se mallrat dhe shërbimet janë të disponueshme më lirë se në vendet ku shumica e punëtorëve marrin paga të larta. Incidenca e përhapur e punës së papaguar në shumë familje të varfra në vendet me të ardhura të ulëta e përforcon edhe më shumë efektin. Pra, është e qartë se fuqia më e madhe blerëse e monedhës vendëse pasqyron kushtet e varfërisë dhe shpërblimin e ulët ose fare hiç për atë që mund të jetë shumica e punëtorëve.

Andaj të dhënat e PPP-së, të modifikuara nga PPP-ja mund të humbasin kuptimin. Duke e konsideruar fuqinë blerëse më të madhe të një të ardhure të caktuar monetare si një avantazh, në vend të një reflektimi të varfërisë më të madhe absolute të shumicës së punëtorëve të një ekonomie, PPP vlerëson në mënyrë efektive mbivlerësimin e të ardhurave të vendeve më të varfra krahasuar me ato të ekonomive më të pasura.

Për të gjitha këto arsye, mbështetja në kurset e këmbimit të PPP-së në krahasimet e të ardhurave ndërvendore – duke përfshirë masat e varfërisë dhe pabarazisë – është jashtëzakonisht problematike. Ekziston një rast i fortë për t’iu përmbajtur kursit të këmbimeve të tregut në matjen e pabarazisë mes vendeve, gjë që ka të ngjarë të zbulojë pabarazi shumë më të mëdha se ato që janë të dukshme në Raportin Botëror të Pabarazisë.

Pavarësisht këtij kundërshtimi, raportit i shtohet më shumë kuptim për pabarazinë, sidomos nëpërmjet dy masave të reja. E para është pjesa e femrave në të ardhurat nga puna, që është një tregues i dobishëm i pabarazisë gjinore. Botërisht kjo përqindje ka mbetur kryesisht e pandryshuar gjatë tri dekadave të fundit, në një të tretën, dhe ka qenë aq e ulët sa 10-15% në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore (MENA) dhe nën 20% në Azi, me përjashtim të Kinës. Ky tregues përfshin jo vetëm çekuilibrat e tregut të punës, por gjithashtu, në një mënyrë implicite , përqindjen më të madhe të punës së papaguar të kryer nga gratë brenda familjeve dhe komuniteteve, gjë që redukton qasjen e tyre në punën e paguar dhe ndikon në shpërblimin e tyre në punësimin me pagesë.

Masa e dytë inovative shqyrton pabarazinë në emetimet e dyoksidit të karbonit duke vlerësuar kontributet sipas kategorive të të ardhurave në të gjitha vendet. Gjetja e rëndësishme këtu është se, teksa pabarazitë në emetime nëpër vende janë të larta dhe të vazhdueshme, pabarazi të tilla ekzistojnë jo vetëm mes vendeve të pasura dhe të varfra, por brenda tyre. Ka emetues të lartë midis të pasurve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe emetues relativisht të ulët midis të varfërve në vendet me të ardhura të larta.

Për shembull,10% e njerëzve më të pasur në rajonin MENA emetojnë 33.6 tonë të dyoksidit të karbonit në vit për person, krahasuar me më pak se dhjetë tonë në gjysmën e poshtme të shpërndarjes së të ardhurave në Amerikën e Veriut. (50% e fundit në Afrikën Subsahariane lëshon një të njëzetën e sasisë së Amerikës së Veriut ose 0.5 tonë për frymë në vit).

Botërisht 10% i popullsisë më të pasur është përgjegjëse për më shumë se gjysmën e gjithë emetimeve të dyoksidit të karbonit. Kjo pikë është veçanërisht e rëndësishme, ngaqë, siç vë në pah Raporti, politikat mjedisore, sikurse taksat e karbonit i godasin më së shumti të varfrit, por ky grup rrallëherë kompensohet për masa të tilla. Treguesi i ri mundëson një konsideratë shumë më të pasur të asaj se si duhet të duken politikat klimatike të drejta shoqërore, si brenda dhe mes vendeve.

Në mënyrë të parashikueshme, Raporti është i fortë mbi politikat e duhura rishpërndarëse, sidomos për potencialin e rritjes së taksimit të pasurisë dhe fitimeve të korporatave. Ka gjithashtu hapësirë për të parë nga afër “parashpërndarjen” ose gamën e regjimeve rregullatore dhe kodet ligjore që kanë mundësuar në radhë të parë përqendrimin e tepërt të pasurisë dhe të ardhurave të sotme.

Shkaku kryesor i pabarazisë “parashpërndarëse” është me një fjalë privatizimi: i financave, të përbashkëtave natyrore, njohurive të përbashkëta, shërbimeve dhe komoditeteve publike. Kësaj mund t’i shtohet tendenca e shteteve – qartësisht e dukshme që nga kriza financiare botërore e vitit 2008 – për të mbrojtur kapitalin privat në shkallë të gjerë, duke e lejuar atë të bëjë kërdi mbi qytetarët e zakonshëm.

Realiteti i pasqyruar nga Raporti Botëror i Pabarazisë reflekton zgjedhjet e njerëzve, që nënkupton se kjo mund të ndryshojë duke bërë të tjera zgjedhje. Kjo është arsyeja pse ky raport është një përmbledhje shumë e vlefshme e të dhënave të dobishme dhe të analizave. Është një udhëzues për veprim.

(Jayati Ghosh, sekretare ekzekutive e International Development Economics Associates, është profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Massachusetts Amherst dhe anëtare e Komisionit të Pavarur për Reformën e Tatimeve Ndërkombëtare të Korporatave. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).