OpEd

I ndritur si zog

Njerëzit mund të kënaqen duke i parë zogjtë pa qenë nevoja t’i zotërojnë ata. Vëzhgimi i shpendëve është një hobi gjithnjë e më i popullarizuar mbarë botën, duke ofruar mundësinë e mijëra specieve për t’u parë dhe pa pasur nevojë për të pastruar kafaze. Ky hobi lulëzoi gjatë bllokimit nga koronavirusi dhe duket se po mban shumë ndjekës të rinj - shpesh akoma më të rinj se gjatë asaj kohe. Të shpresojmë se kjo do të vazhdojë. Vëzhguesit e shpendëve kanë qenë prej kohësh në krye të përpjekjeve për të mbrojtur speciet e egra dhe mjedisin e tyre. Zvogëlimi i popullimit të zogjve të egër ka nevojë për këto përpjekje më shumë se kurrë më parë

Zogjtë gjenden anembanë botës, në mjedise të ndryshme, nisur prej pinguinëve në Antarktikë deri te pëllumbat në Sheshin Trafaglar, e nga harabelat e njohur në lëndinat tona deri tek albatrosët e mëdhenj që kalojnë vite në det pa e prekur kurrë tokën. Ka më shumë se 10.000 lloje që arrijnë në shumë miliarda individë të egër. Kësaj duhet t’i shtojmë dhjetëra miliarda zogj që i rrisim për mishin a vezët e tyre dhe të tjerët që i mbajmë si kafshë shtëpiake.

Për fat të keq, pothuajse një në shtatë nga këto mbi 10.000 specie shpendësh janë aktualisht në rrezik të zhdukjes. Madje edhe speciet e zakonshme janë në rënie. Një studim i bërë së fundi ka vlerësuar se popullsia totale e shpendëve të të gjitha llojeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada ka rënë prej 30 për qind që nga viti 1970.

Është e lehtë ta hedhësh poshtë fatin e tyre. Përdorimi i termit “tru shpendi” si një fyerje tregon se shumë njerëz kanë një mendim jo të mirë për inteligjencën e shpendëve. Mirëpo, po gabohen. Puna e Irene Pepperbergut me Alexin, një papagall gri që jetoi nga viti 1976 deri më 2007, ka treguar se një zog mund t’i mësojë konceptet siç janë “ngjyra” dhe “forma”. Pepperberg ia tregonte Alexit një kub të kuq dhe një sferë të kuqe dhe do të pyeste: “Çka është e njëjtë?” - ai do të përgjigjej “ngjyra”. Kur i shfaqet një kub i kuq dhe një kub i verdhë dhe i bëhet pyetja e njëjtë, Alexi do të përgjigjej: “forma”.

Papagajtë nuk janë të vetmit zogj inteligjentë. Në vitin 2002, Betty, një sorrë e Kaledonisë së Re, u përball me enigmën e përpjekjes për të nxjerrë mishin nga një tub. Ajo përkuli një copë teli dhe e përdori atë për ta lidhur mishin dhe për ta nxjerrë jashtë, duke u bërë kështu jo vetëm një përdorues i veglave, por edhe prodhues i tyre - karakteristika që dikur konsideroheshin të veçanta vetëm për njerëzit.

Kohët e fundit sorrat e tjera të Kalendonisë së Re kanë treguar se ato mund të përfaqësojnë mendërisht një detyrë me tri faza: të marrin një shkop të shkurtër, ta çojnë atë në një cep të një vendi ku mund të shfrytëzohet për të nxjerrë një gur nga tubi, dhe pastaj duke e larguar gurin nga një cep tjetër në një vend të tretë, ku duke hedhur atë poshtë tek një tub tjetër, lirohet një derë që do t’i siguronte sorrës ushqim.

Pëllumbat - të parë shpesh me përbuzje nga këmbësorët urbanë - mund ta mësojnë dallimin mes pikturave të Monetit dhe Picassos, edhe kur shfaqen piktura që zogjtë nuk i kanë parë kurrë më parë.

Ata gjithashtu grupuan pikturat nga Cézanne dhe Renoir me ato të Monetit, dhe pikturat e Braque dhe Matisses me pikturat e Picassos. Kur pikturat e Monetit u shfaqën kokëposhtë, pëllumbat nuk arritën t’i dallonin ato nga pikturat e kubistëve. Paraqitja e pikturave të Picassos në të njëjtën mënyrë nuk bëri asnjë ndryshim.

Zogjtë janë shpezë shtëpiake shumë të njohura. Budgerigas, të njohur si “budgies” u importuan për herë të parë në Britani nga vendi i tyre Australia rreth vitit 1840, dhe shpejt u bënë një hit i njerëzve. Sot ata gjenden në mesin e kafshëve më të njohura në botë. Qindra specie të ndryshme, përfshirë kanarinat, zogjtë e dashurisë dhe një mori speciesh jo shumë të njohura mbahen po ashtu si kafshë shtëpiake.

Fatkeqësisht, shumë njerëz që blejnë zogj si shpezë shtëpiake i trajtojnë ata si stoli të gjalla, duke i çmuar vetëm për pendët a zërin e tyre, më shumë sesa për mendjen që kanë. Ata kanë pak ide sesa inteligjentë dhe kompleks janë shoqëruesit e tyre të rinj dhe nuk janë të vetëdijshëm për kërkesat bazë të kujdesit ndaj tyre. “Budgies”, për shembull, janë jetëgjatë (10-15 vjet nëse kanë kujdesin e duhur) dhe janë shumë socialë. Sikurse qentë, ata kanë shumë nevojë për vëmendje dhe dashuri nga pronarët e tyre, si dhe për lodra e kohë jashtë kafazeve të tyre, për t’i mbajtur ata të lumtur ndërkohë që pronarët e tyre nuk janë në shtëpi. Sidoqoftë, në mënyrë tipike zogjtë si shpezë shtëpiake lejohen të ndërveprojnë shumë më pak me pronarët sesa macet apo qentë. Dhe për shkak se ata zakonisht janë të mbyllur në kafaze, nuk mund të shkojnë te pronari i tyre kur u duhet vëmendje.

Fakti që disa lloje të zogjve mund të blihen për pak dollarë në dyqan kafshësh pa bërë as edhe një pyetje ose trajnim të nevojshëm nuk është diçka që duhet të tolerojë një shoqëri që kujdeset për mirëqenien e tyre.

Shumë zogj përfundojnë në “qendrat e shpëtimit” për adaptim, duke shfaqur shpesh sjellje të dëmshme si shkulja e puplave, të cilat shfaqen si rrjedhojë e keqtrajtimit.

Disa reforma të thjeshta mund të përmirësojnë jetët e zogjve si kafshë shtëpiake. Njëra do të ishte që t’u kërkohej njerëzve që synojnë të blejnë një të tillë, të kryejnë një kurs interneti dhe të kalojnë një provim përfundimtar. Këto provime mund t’u përshtaten llojeve kryesore të zogjve, të tillë si papagajtë, kanarinat dhe zogj të tjerë këngëtarë. Një alternativë tjetër do të ishte që të gjithë shitësit e zogjve të ofrojnë njohuritë bazike për kujdesin e duhur ndaj kafshës shtëpiake, duke ua thënë gojarisht, por edhe të shkruara para se të finalizohet shitja.

Njerëzit gjithashtu mund të kënaqen duke i parë zogjtë pa qenë nevoja t’i zotërojnë ata. Vëzhgimi i shpendëve është një hobi gjithnjë e më i popullarizuar mbarë botën, duke ofruar mundësinë e mijëra specieve për t’u parë dhe pa pasur nevojë për të pastruar kafaze.

Ky hobi lulëzoi gjatë bllokimit nga koronavirusi, dhe duket se po mban shumë ndjekës të rinj- shpesh akoma më të rinj se gjatë asaj kohe.

Të shpresojmë se kjo do të vazhdojë. Vëzhguesit e shpendëve kanë qenë prej kohësh në krye të përpjekjeve për të mbrojtur speciet e egra dhe mjedisin e tyre. Zvogëlimi i popullimit të zogjve të egër ka nevojë për këto përpjekje më shumë se kurrë më parë.

(Peter Singer, profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit, është themelues i organizatës joprofitabile, “The LIfe You Can Save”, që rezultoi nga libri i tij me të njëjtin emër. Librat e tij të tjerë janë edhe: “Animal Liberation”, “Practical Ethics” dhe “Ethics in the Real World”. David S. Wilcove, profesor ekologjie, biologjie evolucionare dhe i çështjeve publike në Universitetin e Princetonit, është autor i librit “No Way Home: The Deciline of the World’s Great Animal Migration (Island Press, 2007). Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).