Vështrime

Rindërtimi i marrëdhënieve kineze-amerikane

Menaxhimi i konkurrencës afatgjate mes Kinës dhe SHBA-së, kërkon qartë durim, e një samit i vetëm virtual - ani pse shumë i mirëpritur - nuk mjafton për të frymëzuar shpresën për marrëdhënie më të qëndrueshme dypalëshe. Jemi në fazat e hershme të asaj që ka të ngjarë të jetë rivaliteti qendror gjeopolitik i shekullit 21. Ajo që mund të shpresohet në mënyrë të arsyeshme është që të dyja palët ta ndërtojnë infrastrukturën diplomatike për ta menaxhuar rrugën me gunga përpara

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është thelluar në shkëlqimin e projektligjit të tij për infrastrukturën dypartiake prej 1.2 trilion dollarësh, të cilin ai e nënshkroi më 15 nëntor. Mirëpo, samiti virtual i Biden me presidentin kinez, Xi Jinping, po në të njëjtën ditë, e bëri të qartë nevojën që të dy liderët të investojnë një pjesë të kapitalit të tyre politik në rindërtimin e infrastrukturës që mbështet marrëdhëniet dypalëshe gjithnjë e më të brishta mes këtyre dy vendeve.

Gjatë takimit të tyre, që të dy presidentët shprehën dëshirën për shmangien e një lufte ftohtë të re. Mirëpo, asnjë samit nuk do t’i kthejë marrëdhëniet SHBA-Kinë në rrugën e duhur pa ndonjë marrëveshje themelore midis dy vendeve.