Vështrime

Lista kontrolluese për sundimin e ligjit

Parimi i sundimit të ligjit është njëri ndër kryesorët së bashku me liritë individuale dhe liritë politike që përmendet në vet preambulën e Statutit të Këshillit të Evropës i miratuar në Londër në vitin 1949. Sundimi i ligjit është një koncept i gjerë, i cili është i lidhur ngushtë me vetëqeverisjen demokratike. Si i tillë, sundimi i ligjit nuk kufizohet vetëm në degën e pushtetit gjyqësor të cilin e përdorim më së shpeshti, por në të gjitha degët dhe nivelet e pushtetit shtetëror, si gjatë ushtrimit të një autoriteti publik, por edhe tek marrëdhëniet e vetë individëve sipas së drejtës private.

Përtej një parimi kërkesat për sundimin e ligjit duhet të jenë të materializuara në sistemin politik dhe juridik të një vendi dhe të cilat funksionojnë në praktikë duke i dhënë kuptim qeverisjes demokratike si dhe lirive dhe të drejtave universale. Për këtë qëllim Komisioni i Venecias në kuadër të Këshillit të Evropës në vitin 2011 miratoi raportin për sundimin e ligjit, i cili identifikoi tipare të përbashkëta për sundimin e ligjit në të cilin u përfshi edhe lista kontrolluese, e cila mund t`u shërbente shteteve për të vlerësuar gjendjen e sundimit të ligjit. Përfundimisht lista kontrolluese për sundimin e ligjit u miratua nga Komisioni i Venecias në vitin 2016 dhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 2017. Kjo listë në masë të madhe i jep kuptim dhe përkufizim paksa më konkret nocionit të sundimit të ligjit.