OpEd

Tregtia dhe e ardhmja e ushqimit

Për ta përmbysur këtë trend dhe për t’u siguruar që sistemet ushqimore funksionojnë për njerëzit dhe planetin, qeveritë duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për t’i përditësuar rregullat globale mbi tregtinë. Në të njëjtën kohë, duhet t’i braktisin politikat që shtrembërojnë tregun global të ushqimit që është në zhvillim të shpejtë

Askush nuk mund të mbijetojë pa ushqim. E megjithatë, sistemet ushqimore të botës kanë shumë nevojë për reformë. Për të siguruar qasje universale në ushqimin adekuat, si dhe qëndrueshmërinë afatgjatë mjedisore, duhet të ndryshojmë mënyrën se si prodhojmë, përpunojmë, transportojmë dhe konsumojmë ushqim. Dita Botërore e Ushqimit duhet të na shtyjë të marrim parasysh se si ta arrijmë këtë dhe të pranojmë se tregtia duhet të jetë pjesë e zgjidhjes.

Samiti i fundit i Kombeve të Bashkuara për Sistemet Ushqimore bëri me dije jo vetëm nevojën për reforma gjithëpërfshirëse, por edhe rolin kryesor që qeveritë duhet të luajnë në përmirësimin e funksionimit të tregjeve ushqimore. Kjo do të kërkojë bashkëpunim më të thellë ndërkombëtar. Siç na ka kujtuar pandemia COVID-19, veprimi i përbashkët është thelbësor për t’ua mundësuar të gjithë njerëzve të jetojnë jetë të shëndetshme dhe me dinjitet.

Pengesat në tregtinë e nevojave themelore, të tilla si ushqimi dhe ilaçet, pengojnë përpjekjet për të përmirësuar ushqimin dhe shëndetin, duke minuar kështu bazën e prosperitetit të ardhshëm. Në të kundërtën, tregtia efektive mund të zvogëlojë urinë dhe kequshqyerjen jo vetëm duke siguruar shpërndarjen e furnizimeve me ushqim, por edhe duke krijuar punë të mirë dhe duke rritur të ardhurat.

Urgjenca e problemit është bërë e pamohueshme. Tashmë e dimë se ndryshimi i klimës po ndryshon modelet e temperaturës dhe reshjeve dhe po çon në ngjarje më të shpeshta dhe ekstreme të motit - të gjitha këto mund të nxisin shkatërrimin në prodhimin e ushqimit. Në një kontekst të tillë të paqëndrueshëm dhe të paparashikueshëm, tregjet globale të ushqimit ofrojnë një litar shpëtimi për vendet ose rajonet që përballen me sulme të papritura.

Ne tashmë jemi duke mbetur prapa. Në vitin 2015, bota miratoi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, përfshirë SDG 2, që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund urisë në botë, për të arritur sigurinë ushqimore dhe për të përmirësuar ushqimin dhe promovuar bujqësinë e qëndrueshme deri në vitin 2030. Gjashtë vjet më vonë, ne jemi shumë larg në rrugën drejt përmbushjes së këtyre qëllimeve. Në fakt, është krejt e kundërta, duket se po lëvizim prapa, të goditur nga erërat e forta, si pandemia, rëniet ekonomike, konfliktet e dhunshme dhe problemet e lidhura me klimën. Në fakt, uria dhe kequshqyerja u rritën në mënyrë të konsiderueshme në vitin 2020: sipas OKB-së, rreth 9.9 për qind e popullsisë botërore vlerësohet të ketë qenë e nënushqyer vitin e kaluar, nga 8.4 për qind në vitin 2019.

Për të përmbysur këtë trend dhe për t’u siguruar që sistemet ushqimore funksionojnë për njerëzit dhe planetin, qeveritë duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për t’i përditësuar rregullat globale mbi tregtinë. Në të njëjtën kohë, duhet t’i braktisin politikat që shtrembërojnë tregun global të ushqimit që është në zhvillim të shpejtë. Për shembull, qeveritë shpenzojnë 22 miliardë dollarë çdo vit për të mbajtur flotat e peshkimit ekonomikisht të paqëndrueshme në det - politikë që nxit pakësimin e rezervave të peshkut. Programet për mbështetjen e fermave mund të shtrembërojnë në formë të njëjtë tregjet ushqimore dhe bujqësore, me subvencionet e karburanteve fosile që i përkeqësojnë efektet.

Qeveritë duhet të gjejnë mënyra të reja për të ndaluar keqinvestimin në të mirat publike që lidhen me ushqimin dhe bujqësinë, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta, duke përmirësuar shpërndarjen globale të burimeve të pakta. Këtu, ata duhet të përfitojnë nga rëndësia në rritje e tregtisë digjitale dhe shërbimeve në vendet e varfra.

Sfida mund të duket e frikshme. Mirëpo, me një qasje shtesë, përparimi është i mundur. Në muajin nëntor në konferencën e 12-të ministrore të Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë, ministrat e Tregtisë do të kenë një mundësi për të hartuar një qasje të tillë dhe për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm përpara.

Për shembull, ministrat do të marrin parasysh se si të përfundojnë subvencionet e dëmshme të peshkimit, të cilat kontribuojnë në peshkimin e tepërt dhe kapacitetin e tepërt, dhe kërcënojnë me zhdukjen e disa specieve detare. Shtetet gjithashtu mund të bien dakord t’i përjashtojnë blerjet humanitare të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së nga kufizimet e eksportit, duke e bërë kështu ushqimin më të qasshëm për të varfrit në botë dhe ata të zhvendosur nga konfliktet e brendshme ose efektet e ndryshimit të klimës.

Për më tepër, ministrat do të kenë një mundësi për të çuar përpara negociatat për një sërë çështjesh që lidhen me tregtinë bujqësore, përfshirë shkurtimet në subvencionet qeveritare që shtrembërojnë tregtinë dhe përmirësimin e qasjes në tregjet e huaja. Këtu, marrëveshja për masat konkrete, si dhe për drejtimin e bisedimeve të ardhshme, do të përbënte përparim të arritshëm drejt së ardhmes ushqimore që na duhet.

Dita Botërore e Ushqimit ofron një mundësi të rëndësishme për të kujtuar se si dhe pse ushqimi ka rëndësi për njerëzit. Mirëpo, ne nuk duhet të harrojmë rolin jetik që luan tregtia në formësimin e prodhimit, disponueshmërisë, çmimeve dhe cilësisë së atij ushqimi. Asnjë përpjekje për të krijuar një sistem ushqimor më të barabartë dhe të qëndrueshëm nuk do të jetë e plotë pa veprimin e bashkërenduar të udhëheqësve botërorë në tregti.

Okonjo-Iweala, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë, është ish-ministre e Financave dhe e Punëve të Jashtme të Nigerisë. Ky vështrim është shkruar nga rrjeti botëror i gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”). Përktheu: Gent Mehmeti