Vështrime

Austria fillon në Ballkan – me një duhmë të rëndë...

Ryshfet, korrupsion, gazetarë të blerë, portale shpifëse, anketa të manipuluara: tingëllon si në Ballkan, por duket se krejt kjo ka ndodhur edhe në Vjenë. Por për dallim nga Ballkani, në Austri ende ka prokurorë që nuk frikësohen të bastisin edhe zyrat e kancelarit. Edhe sa mund të qëndrojë në pushtet kancelari Sebastian Kurz, të cilin e çonte në qiell Richard Grenelli?

■ Një legjendë thotë se Ballkani fillon në Vjenë. Domethënë: në Ballkan ka korrupsion, ryshfetdhënie, keqpërdorime, manipulime, keqpërdorime. E çka jo tjetër! Thuhet se autor i fjalisë “Ballkani fillon në Vjenë” është sundimtari i Austrisë, princi Klemens Wenzel Lothar von Metternich. Historianët janë të bindur se princi Metternich nuk e ka thënë këtë fjali. Por, s’ka lidhje: e ka thënë apo jo, fjalia e bën xhiron nëpër media perëndimore që nga shekulli i 19-të.

■ Tani legjenda austriake duhet të korrigjohet. Ballkani nuk fillon në Vjenë, as askund në Austri, por Austria fillon në Ballkan! Së paku sa i përket korrupsionit, ryshfetdhënies, mashtrimit, mediave të blera, “gazetarëve” dhe politikanëve me ambicie kriminale.