OpEd

E vërteta e gjeneral Rahim Ademit (1)

Gjenerali kroat, Rahim Ademi, i lindur në Komunën e Vushtrrisë, në Kosovë, më në fund ka folur: në ditarin e tij të luftës ai zbulon detaje të padëgjuara për luftën çlirimtare në Kroaci, mes të tjerash tregon se si e mposhti Ratko Mlladiqin dhe e shpëtoi vendin nga pushtimi total serb dhe si u përpoq Kroacia zyrtare t’ia ngarkojë tinëzisht mëkatet e luftës. Një prezantim në tri pjesë mbi një rrugëtim gati të pabesueshëm ushtarak: nga Kosova e viteve ‘70 në akademitë më të mira ushtarake të Jugosllavisë, nga terrori psikik i shërbimit sekret ushtarak jugosllav deri tek ikja nga armata që u bë realizuese e planeve serbomadhe dhe kalimi në ushtrinë kroate

“Samo istina”, vetëm e vërteta, këtë titull e mban libri i sapobotuar i gjeneralit kroat, Rahim Ademi. Bëhet fjalë për ditarin e tij të luftës, në të cilin ai me saktësi, në mënyrë objektive dhe të paanshme, përshkruan pjesëmarrjen e tij në luftën për çlirimin e Kroacisë. Ndoshta një libër të tillë gjeneral Ademi nuk do ta kishte shkruar ose së paku jo në formë të tillë, po të mos kishin ndodhur viteve të fundit disa zhvillime që jo vetëm për të janë irrituese.

Në një seri të televizionit kroat HRT mbi gjeneralin Ante Gotovina, roli i Rahim Ademit është inekzistent. Në një skenë të filmit, Gotovina dërgohet në front për t’i takuar ushtarët në prag të festës së Krishtlindjeve. Timonin e veturës e mban një kroat, kryqi në gjoks tregon se ai është kroat i vërtetë dhe katolik i vërtetë. Sipas gjeneral Ademit, e vërteta është kjo: personi që e ka dërguar Gotovinën në front për të takuar ushtarët për Krishtlindje ka qenë Rahim Ademi, i cili në film nuk duket fare. Është zëvendësuar me një shofer kroat. Ky falsifikim i historisë e kishte shtyrë Rahim Ademin që të reagojë publikisht. Libri i tij, i botuar nga gazeta “Veçernji list”, është një protestë kundër tendencave të qarqeve nacionaliste kroate për të minimizuar rolin e Rahim Ademit në çlirimin e Kroacisë.

E vërteta historike është se pa rolin e Rahim Ademit forcat serbe me gjasë shpejt do të merrnin Shibenikun dhe kështu njëra pas tjetrës do të binin linjat mbrojtëse në rajonin e Dalmacisë. Më 16 shtator 1991, Ratko Mlladiqi po qëndronte para urës së Shibenikut, me plot besim se së shpejti forcat e tij do të marshonin në këtë qytet. Kështu do të bëhej edhe një hap drejt pushtimit të Kroacisë dhe vendosjes së kufirit të Serbisë së Madhe në linjën Karlobag-Virovitica. Mlladiq ishte i kujdesshëm, e dinte se ura mund të jetë e minuar, andaj hoqi dorë nga sulmi i menjëhershëm dhe vendosi që me Korpusin e 9-të të Kninit së pari të inspektojë terrenin.

Planet e Mlladiqit mbetën të parealizuara, sepse ato i prishi një oficer i ri i lindur në Kosovë, i cili sapo kishte braktisur Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe kishte kaluar në anën e forcave kroate për të mbrojtur Kroacinë nga agresioni serbomadh. Rahim Ademi është ushtaraku që e mposhti Mlladiqin në fushëbetejë. Ai e përgatiti dhe zbatoi planin operativ për t’iu kundërvënë forcave serbe. Kështu ai e shpëtoi Kroacinë nga depërtimi i Mlladiqit drejt Adriatikut. Këtë meritë nuk ia kanë harruar gjeneral Ademit ata kroatë që janë të sinqertë me veten dhe ndaj dëshmive të luftës. Edhe në shumicën e mediave kryesore kroate, roli i Ademit vlerësohet meritueshëm.

Mbrojtja e Shibenikut është vetëm njëri nga kapitujt e lavdishëm të karrierës së bujshme ushtarake të Rahim Ademit. Në librin e tij, Ademi tregon edhe për çlirimin e Kninit, qytetit kryesor kroat të mbajtur nën kontroll nga serbët. Para se ushtria kroate në fillim të gushtit 1995 të niste aksionin për të çliruar Kninin, ekzistonte një konflikt mbi konceptin e çlirimit të territoreve të okupuara. Shtabi i Përgjithshëm i armatës kroate insistonte që Knini të çlirohej përmes linjave që kishin shfrytëzuar edhe partizanët në Luftën e Dytë Botërore. Ministria e Mbrojtjes favorizonte zbritjen e njësive elitare të ushtrisë kroate në Knin përmes vendeve të quajtura Dinara dhe Crvena zemlja, aty ku gjendej një poligon i ish-APJ-së. Kjo ishte rruga më e vështirë.

Gjeneral Ademi shkruan në librin e tij se planin për të depërtuar përmes kësaj rruge në Knin e ka shkruar ai – me urdhër të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Gojko Shushak. Megjithatë, një natë para sulmit Shtabi i Përgjithshëm kishte lëshuar direktivën që të hiqet dorë nga mësymja përmes Dinara dhe Crvena zemlja. Ademi dhe gjenerali tjetër kroat, Ante Gotovina, kishin injoruar urdhrin. Pas çlirimit të Kninit, pozicionet e tjera të serbëve të Kroacisë ranë si kulla prej letre. Operacioni “Oluja” (Stuhia) solli çlirimin e Kroacisë. Shumica e serbëve u larguan në kolona të gjata drejt Bosnjës dhe Serbisë, bëhej fjalë për rreth 200 mijë njerëz. Kësisoj përqindja e serbëve në Kroaci ra nga 12 në 5 për qind dhe kështu ndryshoi përgjithmonë pasqyra demografike e Kroacisë. Gjatë rikthimit të kontrollit të shtetit kroat në territoret e kontrolluara nga serbët, oficerë të papërgjegjshëm kroatë kryen ose toleruan kryerjen e disa krimeve të luftës, kryesisht kundër serbëve të pambrojtur, shumica pleq e plaka, të cilët nuk kishin braktisur vatrat e tyre.

Në libër Rahim Ademi përshkruan në detaje nëntë operacione ushtarake të udhëhequra prej tij, të cilat ia sollën lirinë Kroacisë. Libri ofron një pamje të re nga një perspektivë tjetër mbi luftën për çlirimin e Kroacisë. - Në pjesën e dytë të këtij prezantimi do të ofrohen detaje mbi rrugëtimin e Rahim Ademit nga Kosova në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë.