Vështrime

“Blerësi i portokajve”: mbi racizmin antishqiptar të Aleksandar Vuçiqit

Nëse ka diçka që i çmend nacionalistët serbë, atëherë ky është shqiptari normal, shqiptari që ka vetëbesim, që e njeh botën dhe që nuk nënshtrohet. Aleksandar Vuçiqi në mendjen e tij shqiptarin e përfytyron si shitës tullumbash, shitës farash, bartës qymyri dhe si mashtrues që luan me qibritë. Shërimi i këtyre komplekseve raciste kërkon kohë. Serbia nuk e ka gjetur ende liderin që është i gatshëm të shërojë veten dhe shoqërinë nga stereotipat racistë.

Këta (nacionalistët serbë) ende kujtojnë se kthehen në Prishtinë për ta vendosur para Hotelit Grand pllakatin: “Ndalohet hyrja për qenë dhe shqiptarë”. Ende ëndërrojnë se mund t’i hyjnë pazarit të Prishtinës dhe t’ua marrin markat krejt shitësve. Ende ua ha mendja se mund të veprojnë si Arkani në vitet 90-të: të futen në argjendari, të marrin “fitimin” dhe të kthehen në Hotelin Grand për ndonjë orgji me prostituta që silleshin për të argëtuar kriminelët serbë që për fundjavë vinin nga Bosnja, ku kishin kryer krime kundër civilëve. Aleksandar Vuçiqi është fëmijë i kësaj epoke, kur ishte krejt “normale” që në diskursin publik në Serbi shqiptari të shihej jo vetëm si qytetar i rendit të dytë, por edhe si skllav, si shërbëtor që duhet të ulë kokën përballë padronit. Përkundër humbjes së luftës më 1999, nga diskursi i nacionalistëve serbë nuk është hequr gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Sepse, siç pati shkruar shkrimtari i shquar serb Bora Qosiq më 2008, pak javë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shoqërinë serbe shqiptarët janë parë si diçka e “keqe”, por të cilët janë të nevojshëm për të punuar në ndërtimtari apo për të prerë dru. Shqiptari nuk mund të jetë tjetër veçse druvar. Ose bartës qymyri. Qosiq i përshkuan shqiptarët nga perspektiva e gjashtëvjeçarit. Ata vinin nga jugu, ishin të hajthëm, të varfër, çanin dru nëpër oborre, nganjëherë flinin në bodrume dhe ushqeheshin me sardina dhe rrush. Ishin modestë, të ngurrueshëm, kryesisht të përzemërt. Bora Qosiq, i cili e ka kryer shërbimin ushtarak në Prizren, tregon se nuk i kujtohet të ketë qenë i miqësuar me ndonjë djalë shqiptar gjatë fëmijërisë në Beograd. Sepse, thotë ai, në shkollat tona nuk kishte shqiptarë.