Ekzistojnë mënyra të ndryshme për t’i rregulluar telashet ekonomike të njerëzve. Garancia për vendet e punës është baza themeltare prej së cilës mund të ndërtohen zgjidhje për sfidat ekonomike që qëndrojnë përpara nesh
Kriza klimatike do t’i zhdukë me miliona vende të punës shumë kohë përpara se këtë ta bëjnë robotët e frikshëm. Është përllogaritur se vetëm ndikimi i nxehtësisë do të eliminojë një ekuivalent prej 80 milionë vendeve të punës me orar të plotë deri në vitin 2030, pa i llogaritur ato që humben si rezultat i zjarreve në pyje, përmbytjeve, stuhive dhe ngjarjeve të tjera ekstreme të motit. Krejt këto do ta lënë pas shifrën historikisht të pashembullt të 255 milionë vendeve të humbura të punës në gjithë botën gjatë 2020-s. Meqenëse zhvillimet e fundit i kanë lënë jashtë lojës modelet e parashikueshme klimatike, e çuditshmja është se parashikimi i humbjes së ndërlidhur me klimën e vendeve të punës ka qenë gjithashtu e nënvlerësuar.
Vera brutale e këtij viti duhet ta ketë bërë të qartë se asnjë shtet, person apo vend i punës nuk është i sigurt nga shkatërrimet e ndryshimeve klimatike. Megjithëkëtë, ekonomistët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë frikësuar një ekonomie “të tejnxehur”, duke e vrarë mendjen nëse politikëbërësit duhet t’i ashpërsojnë kushtet e kredisë dhe ta ulin ritmin e punësimit dhe të rritjes së të ardhurave me qëllim që ta luftojnë ngritjen e çmimeve që buron prej fytit të ngushtë në zinxhirin e furnizimit dhe pengesave sektoriale.
Familjet e punësuara kësisoj ballafaqohen me kërcënimin jo nga një, por nga dy valë të vapës: pikëpamja e falimentuar tradicionale se inflacioni duhet të luftohet me papunësi dhe humbja në ardhje e vendeve të punës sherri i ngrohjes globale.
Garancia për vendet e punës është antidoti për të dyja. Është politika e punësimit në sektorin publik ajo që i garanton vend pune me pagë të denjë për mbajtjen e familjes, përfshirë beneficionet, një personi që është në nevojë për të dhe e kryen këtë funksion në mënyrën që i zbut presionet inflacionare. Është njashtu përgjigjja më e qartë për konsensusin ndërkombëtar, të paracaktuar në Marrëveshjen për klimën të nënshkruar më 2015 në Paris, se çdo veprim klimatik duhet t’i përmbahet zotimit për “imperativët e një transicioni të përnjëmendtë të fuqisë punëtore dhe krijimin e vendeve të denja dhe cilësore të punës në përputhje me prioritetet zhvillimore të caktuara në shkallë vendi”.
Andaj, kur Kongresi amerikan e përpiloi rezolutën e Marrëveshjes së Re të Gjelbër (GND), ai i informoi vëzhguesit se propozimi i tij për një garanci federale rreth vendeve të punës ishte element jetik. Njashtu, manifesti i 2020-s për “punën e demokratizimit”, i cili u publikua në 43 gazeta të botuara në 27 gjuhë të botës, ka identifikuar të drejtën e punësimit si kërkesë thelbësore dhe komponentë kritike për dekarbonizimin e ekonomisë.
Organizata Ndërkombëtare e Punës gjithashtu e ka pranuar këtë ide si mënyrën më të mirë për formësimin e “një të ardhmeje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të sigurt të punës që garanton punësim të plotë, produktiv dhe të lirshëm të vendeve të denja të punës për të gjithë”.
Nëse “vendet e denja të punës për të gjithë” do të bëhen standard i zbatueshëm politik, atëherë qasja në vendet e punës me paga të përballueshme për një jetë të mirë duhet të garantohet për të gjithë – e jo vetëm të nënkuptohet në tekstin e pakove të stimulimit dhe të politikave të tjera. Garancia e GND-së për vendet e punës do t’i siguronte vendet e humbura të punës që mekanizmat konvencionalë të tregut nuk arrijnë t’i ofrojnë, duke i çuar përpara projektet që i shërbejnë një qëllimi publik, përfshirë trajtimin e sfidave urgjente të lidhura me klimën.
Siç e përshkruan në librin tim “The Case for a Job Guarantee”, përfitimet e një programi të këtillë janë të shumëfishta. Nisur prej presidencës së Franklin D. Rooseveltit deri te Rezoluta për GND-në, garancia për vendet e punës ka qenë përherë një ide “e gjelbër” e destinuar për ruajtjen si të njerëzve ashtu edhe të planetit. E siguron një ofertë tradicionale të punës për të gjitha familjet punëtore, përfshirë ato që posedojnë shtëpi, biznese dhe mjete jetese që po zhduken prej përmbytjeve dhe po shkrumbohen nga zjarret. Është kjo ura drejt vendeve të denja të punës për ata që punojnë me lëndë djegëse, kur transicioni i gjelbër t’u japë fund industrive nxjerrëse. E siguron po atë punësim që nevojitet për rindërtimin e komuniteteve dhe e shëron planetin, teksa e hap shtegun më të shkurtër drejt rimëkëmbjes pas pandemisë.
Përtej funksionit të tij si rrjet sigurie për punësim, garancia për vendet e punës është mekanizëm jetik për parandalimin e jostabilitetit ekonomik, pa marrë parasysh nëse buron prej ndryshimeve strukturore në globalizim, ndryshimeve teknologjike apo recesioneve. Programi do të bymehet në kohën e nevojës më të madhe, kur çmimet, të ardhurat dhe punësimet në sektorin publik janë në rënie. Por do të jetë njashtu edhe vetëkufizues, duke u tkurrur kur pjesët e tjera të ekonomisë e sigurojnë hisen e tyre të furnizimit me vende të punës të paguara mirë.
Kësisoj, pak a shumë sikurse stabilizuesit e tjerë automatikë që prej kohësh janë parapëlqyer kundruall politikave të përgjithësuara të stimulimit, garancia për vendet e punës do të luhatet. Dallimi është se, ndryshe prej stabilizuesve të tjerë, e ka potencialin që të ndihmojë në ribërjen e ekonomisë.
Me garancinë në fuqi, ekonomistët më nuk mund ta justifikojnë papunësinë si një “haraç i natyrshëm” në luftën kundër inflacionit. Por në mungesë të tij, “vendi i denjë i punës për të gjithë” do të mbetet veçse një slogan bosh, ndërsa papunësia një kërcënim permanent. Nuk mund të flasim seriozisht për gjithëpërfshirjen po qe se njerëzit me ngjyrë, kujdestarët, personat me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë përjashtohen sistematikisht nga vendet e mira të punës.
Propozimet për garanci në vendet e punës janë jashtëzakonisht të popullarizuara dhe jo vetëm përbrenda organizatave kryesore klimatike, si “Sunrise Movement”, të cilat janë angazhuar për to. Komunitetet e mihjes së thëngjillit në Virginian Perëndimore dhe në Kentucky kanë filluar që ta shohin potencialin e tyre transformues. Nga New Englandi deri në Appalachia të Kalifornisë, një koalicion përherë më i gjerë i individëve, organizatave, si dhe prijësve të së drejtave qytetare në SHBA janë duke e shndërruar këtë politikë në kërkesë qendrore.
Garancia e gëzon atë lloj mbështetjeje të gjithanshme që vetëm pak programe të tjera mund ta synojnë. Në një sondazh të 2020-s në SHBA, 79 për qind e respondentëve nga vijat e ndryshme “demografike, partiake dhe gjinore” e kanë mbështetur idenë, siç kanë bërë edhe 72 për qind e respondentëve në një sondazh të ngjashëm në Mbretërinë e Bashkuar, të kryer në pothuajse të njëjtën kohë. Në Francë, 79 për qind e votuesve e mbështesin garancinë federale për vendet e punës, ndërkaq politika është përkrahur edhe nga kryebashkiakët në Paris dhe Lille.
Kohë më parë, plot 93 për qind e amerikanëve të anketuar e mbështetën iniciativën kombëtare të punësimit dhe trajnimit që krijon vende mirë të paguara të punës për të papunësuarit, si një komponentë e përpjekjeve për rimëkëmbje nga COVID-19.
Për më tepër, kriza me COVID-19 ka treguar se financat nuk janë të pamjaftueshme. Shtet njëra pas tjetrës kanë miratuar buxhet të majmë për luftimin e pandemisë. Nuk është aksidentale që rritja më e madhe e shpenzimeve ishte në vendet monetarisht sovrane që lëshojnë dhe kontrollojnë valutat e tyre, dhe ku financat qeveritare sigurohen nga bankat qendrore dhe nga ministritë e financave. Madhësia e pakove të stimulimit më 2020 ka lëvizur nga 18.7-përqindëshi i GDP-së në Kanada në 21.8 për qind të Japonisë, si dhe 26.9 për qind në SHBA. Vendet që kanë mungesë të sovranitetit monetar kanë pasur hapësirë më të paktë fiskale të manovrimit për përgjigje ndaj pandemisë – një sfidë kjo që pa dyshim se do ta vështirësojë edhe përgjigjen e tyre karshi klimës.
Por pa marrë parasysh nëse qeveritë e kuptojnë këtë gjë apo jo, kostoja e mosveprimit apo veprimit të vonuar në luftimin e krizës klimatike veçse është brumosur në buxhetin e akëcilit vend. Korrektësia e gabuar fiskale nuk mund të lejohet që ta dëmtojë agjendën e vendosur politike. Siç ka theksuar kohë më parë shefi i Komitetit për Buxhet në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, John Yarmuth, vendet që gëzojnë sovranitet monetar mund të ballafaqohen me kufizime në burime dhe inflacion, por nuk mund të ngelin pa fonde. Dhe si ndotësit më të mëdhenj, ata e kanë obligim moral lansimin e një Plani të Gjelbër Marshall për globin.
Planeti nuk është një konsumator që paguan. Ne nuk e kemi luksin e kohës për ta strukturuar kthimin “korrekt” tregtar nga investimet klimatike apo për t’i nxitur akterët e duhur privatë ose të stimulojmë shtysa të tregut për trajtimin e problemit.
Për një sfidë të përmasave planetare që nuk ofron ndonjë kthim të qartë financiar, qeveritë duhet të veprojnë vendosmërisht, drejtpërsëdrejti dhe bashkërisht për sajimin e një transicioni të përnjëmendtë për të gjithë.
Siç kanë paralajmëruar prej kohësh shkencëtarët e klimës, edhe modelet më të sofistikuara nuk i llogarisin në plotësi të gjitha pikat e mundshme të kthesës, boshllëqet e reagimit dhe burimet e fshehta të tensionimit. E njëjta gjë vlen edhe për modelet ekonomike. Problemet si papunësia masive, pabarazia e thellë dhe mungesa e vendeve të mira dhe të qëndrueshme të punës krijojnë dinamikat e tyre të reagimit dhe të pikës së kthesës. Historikisht, ato kanë përfshirë ngritjen e autoritarizmit, shovinizmit, ksenofobisë, paragjykimit, tensioneve racore dhe etnike, tkurrjes së demokracisë dhe jostabilitetit shoqëror, ekonomik dhe politik.
Përmbajtja e saktë e drejtësisë klimatike do të mbetet një terren i kontestuar, pasi që pretendimet lëvizin nga kërkesat më modeste për vendet e mira të punës e deri te vizionet më radikale të përfundimit të kapitalizmit ekstraktues dhe imperializmit ekonomik.
Ekzistojnë mënyra të ndryshme për t’i rregulluar telashet ekonomike të njerëzve. Garancia për vendet e punës është baza themeltare prej së cilës mund të ndërtohen zgjidhje për sfidat ekonomike që qëndrojnë përpara nesh.
(Pavlina R. Tcherneva, profesoreshë e asociuar e ekonomisë në Kolegjin Bard, është studiuese në Institutin për Ekonomi Levy dhe autore e librit “The Case for a Job Guarantee”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).