OpEd

Mbështetja për zgjerim nga ata që nuk kanë fare ndikim

Në Forumin e Bledit në Slloveni u dëgjuan shumë deklarata inkurajuese për procesin e zgjerimit të BE-së, për mbështetjen për vendet e rajonit të Ballkanit. Por kjo mbështetje erdhi nga politikanët si Janez Jansha i Sllovenisë, Moravietski i Polonisë dhe Viktor Orban i Hungarisë. Pikërisht këta tre politikanë nga qarqet e Evropës Perëndimore konsiderohen si shembuj të largimit nga standardet evropiane. Në Bled, porosia më e madhe erdhi nga mungesa. Nga mungesa në debat e politikanëve të lartë nga Gjermania, Franca dhe Holanda, ata që në fund të fundit edhe vendosin për zgjerim

Për një kohë të gjatë në qarqet evropiane nuk ka pasur debate të hapura rreth procesit të zgjerimit të BE-së. Madje as debate të mbyllura. Në njërën anë për shkak të masave mbrojtëse nga pandemia, por në anën tjetër për shkak se ky proces tashmë është në një rrugë qorre, pa vizion nga ana e BE-së, pa dëshirë për t’u zgjeruar e në anën tjetër pa ndonjë vullnet të qartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të kryer reformat, të cilat do t’u ndihmonin që të integrohen vërtet në BE.

Në këto rrethana po zbatohet ajo thënia e një politikani evropian, i cili me ironi, në një debat të mbyllur, e përkufizoi procesin e zgjerimit me thënien se “BE-ja bëhet kinse dëshiron të zgjerohet dhe t’i pranojë vendet e Ballkanit, e ato vende bëhen kinse duan vërtet të kryejnë reformat dhe të anëtarësohen”.

Javën e shkuar në Bled të Sllovenisë u zhvillua një debat për procesin e zgjerimit. Ishte debat i hapur dhe shumë interesant. Madje u zhvillua në kuadër të temës “E ardhmja e Evropës”, duke çuar porosinë se një e ardhme për Kontinentin e Vjetër nuk mund të imagjinohet pa i përfshirë në atë kornizë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shumë të zgjuar, shumë interesant dhe të matur u paraqitën në atë debat liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vështirë të gjesh ndonjë vërejtje në ato që thoshin. Prej shprehjes së gatishmërisë për të bashkëpunuar mes vete në rajon, për të shikuar nga e ardhmja e deri tek dhënia e garancive se këto vende nuk kanë asnjë alternativë tjetër pos integrimeve në BE. Sikur dikush të mos e dinte se çfarë thonë dhe si veprojnë të njëjtët liderë në vendet e tyre, do të fitonte përshtypjen se pikërisht liderë të tillë i mungojnë BE-së.

Por edhe nga liderët politikë që në këtë debat erdhën nga vendet e Bashkimit Evropian erdhën fjalë të mëdha në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Më së largu në këtë mbështetje shkoi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Si kritik i madh i Brukselit, ai i shprehi aq mbështetje Serbisë, saqë tha se “më shumë ka nevojë BE-ja për Serbinë sesa Serbia për BE-në”. Duke besuar se vërtet është ashtu, atij pa masë iu falënderua presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pos Orbanit, në favor të zgjerimit, duke kritikuar “Evropën Perëndimore, e cila nuk mund t’i mbajë ligjërata askujt”, u shpreh edhe kryeministri i Polonisë, Mateusz Moravietski. Si nikoqir i takimit, njëlloj edhe kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, porositi se nuk ka për BE-në alternativë tjetër për të stabilizuar në mënyrë të përhershme rajonin e Ballkanit Perëndimor pos integrimit të plotë të këtij rajoni në BE.

Në Forumin e Bledit në Slloveni u dëgjuan shumë deklarata inkurajuese për procesin e zgjerimit të BE-së, për mbështetjen për vendet e rajonit të Ballkanit që gjithmonë tingëllon mirë. Por kjo mbështetje erdhi nga politikanët si Janez Jansha i Sllovenisë, Moravietski i Polonisë dhe Viktor Orban i Hungarisë. Pikërisht këta tre politikanë nga qarqet e Evropës Perëndimore konsiderohen si shembuj të largimit nga standardet evropiane. Në Bled porosia më e madhe erdhi nga mungesa. Nga mungesa në debat e politikanëve të lartë nga Gjermania, Franca dhe Holanda, ata që në fund të fundit edhe vendosin për zgjerim.

Në Gjermani dhe Francë zhvillohen zgjedhjet dhe derisa ato të mos përmbyllen, zgjerimi i BE-së është gjëja e fundit e cila u shkon në mënd. Edhe kur të përmbyllet procesi zgjedhor dhe të dihet se kush do ta udhëheqë qeverinë në Gjermani e kush do të jetë presidentë në Francë, zgjerimi i BE-së nuk do të kthehet si prioritet. Paralajmërimet se me metodologjinë e re të zgjerimit ky proces do të përshpejtohet, që ishte një kuptim naiv, u dëshmuan të mos kenë qenë të sakta. Asgjë nuk ka ndodhur që kur kjo metodologji e re ishte miratuar. Nuk ka pasur hapje dhe mbyllje të kapitujve në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi dhe Serbisë, nuk janë hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. As me Kosovën nuk ka pasur asnjë lëvizje, as drejt liberalizimit të vizave e as drejt aplikimit me status kandidati.

Edhe kur pas një muaji apo pak më shumë në Slloveni të zhvillohet edhe një samit i madh BE-Ballkan Perëndimor, pos fjalëve të mira dhe konfirmimeve formale për “të ardhmen evropiane për rajonin e Ballkanit”, nuk do të ndodhë asgjë konkrete në favor të zgjerimit të BE-së. Kështu na mëson edhe përvoja me shumë samite të tilla që janë zhvilluar në të kaluarën, prej atij në Zagreb në vitin 2000, në Selanik në vitin 2003 e deri tek ai i Sofjes në vitin 2019, dhe Samitit virtual të Zagrebit vitin e shkuar.