OpEd

Kosova ka nevojë për gjykatës të pavarur dhe të guximshëm e jo për “serbë” dhe “shqiptarë”

Edhe po të ishin marrë vesh në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe Serbisë se trupi gjykues në Kosovë duhet të formohet duke pasur parasysh përkatësinë etnike të të akuzuarve, BE-ja do të duhej vetë të kërkonte që kjo të ndryshohej. Në dialogun e pakuptimtë deri tash të Brukselit, BE-ja është aq e hutuar, saqë, me apo pa vetëdije, kërkon politizim të gjykatave në Kosovë, profilizim etnik të gjykatësve, prokurorëve dhe policëve, diçka që shkon kundër vlerave të BE-së

Kur në vitin 2013 ishte arritur “marrëveshja e parë” mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiq, u sqaronte gazetarëve serbë se çfarë kishte arritur Serbia me atë marrëveshje.

Një prej arritjeve më të mëdha, sipas tij, ishte se “çizmja shqiptare nuk do të shkelë në veri”, ndërsa tjetra se “shqiptari nuk do të jetë në pozitë për t’i gjykuar serbët”. E para ishte interpretim jo edhe krejt i saktë i një marrëveshjeje që Kosova kishte arritur me NATO-, përmes shkëmbimit të letrave mes kryeministrit të atëhershëm Thaçi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, që njësitë e FSK-së të mos shkojnë në veri pa pajtim me KFOR-in. Po fjala ishte vetëm për njësitë e FSK-së. Ndonëse edhe kjo vetvetiu ishte skandaloze, sepse Kosova pranonte që një pjesë e territorit të saj të kishte trajtim ndryshe nga pjesët tjera, ajo nuk përfshinte edhe njësitë policore, por vetëm FSK-në.

E dyta kishte të bënte me një pjesë të marrëveshjes për përbërjen etnike të gjykatave, prokurorëve, policisë në veri të Kosovës, apo më saktësisht me komunat me shumicë serbe. Këto pjesë të marrëveshjes ishin në kundërshtim në disa raste me Kushtetutën e Kosovës, por qartë në kundërshtim me parimet themelore të Bashkimit Evropian. Në botën demokratike nuk mund të përcaktohet përkatësia etnike e prokurorëve, gjykatësve apo shefave të policisë si kriter për funksionet e tyre. Sidomos jo nëse në një shtet siç është Kosova nuk jetojnë vetëm shqiptarët dhe serbët, por ka edhe të tjerë.

Kosova, siç po e shohim në shumë raste, dështime dhe shembuj skandalozë, ka nevojë për prokurorë dhe gjykatës profesionalë, të guximshëm, me integritet të lartë, të pavarur, që nuk bien pre e asnjë presioni, sidomos atij politik e jo për “shqiptarë “ dhe “serbë”. Për këtë na mëson vetë Bashkimi Evropian. Gjyqësori dhe në përgjithësi sundimi i ligjit gjithmonë ka qenë një prej problemeve më të mëdha të Kosovës. Madje mund të thuhet se mungesa e profesionalizimit të prokurorëve dhe gjykatësve e ka fajin më të madhe edhe për dështimin e procesit të liberalizimit të vizave.

BE-ja dhe Kosova kanë rënë në grackën e Serbisë për t’i profilizuar në baza etnike gjykatësit, të cilët do të duhej të ishin të pavarur.

që shkoi ishte një rast i cili e nxori në shesh këtë problem serioz. Ishte konfirmimi i dënimit të Ivan Todosijeviqit për shkak të deklaratës së tij ku e quajti masakrën e Reçakut si “trillim”. Ky dënim shkaktoi reagime në Serbi, nga presidenti i Serbisë e deri tek Kisha Ortodokse Serbe. Secili reagim më skandaloz se tjetri. Sepse as presidenti i një shteti fqinjë, madje as po të ishte edhe president i Kosovës, e as kisha nuk janë të thirrur të sulmojnë vendimet e gjykatave. Edhe më skandaloze ishte reagimi i BE-së përmes zëdhënësit. Reagimi ishte në përputhje me atë që kishte kërkuar presidenti i Serbisë, Vuçiq. Zëdhënësi i BE-së gjeti se si, me mënyrën e caktimit të panelit gjyqësor, Kosova nuk e kishte respektuar Marrëveshjen e Brukselit.

“BE-ja merr në dijeni vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës në rastin e Ivan Todosijeviqit. Sa u përket modaliteteve të procesit ndaj Todosijeviqit në rastin e Apelit, rikujtojmë se marrëveshja e vitit 2013 e arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e vlefshme. Kjo marrëveshje parasheh, mes të tjerash, që Gjykata e Apelit në Prishtinë cakton një panel me shumicë gjykatës serbë të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe. Në këtë rast konkret kjo nuk është respektuar”, kishte thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Por në BE nuk patën pastaj përgjigje të saktë se a ishte ky rast i lidhur me “komuna me shumicë serbe” apo ndaj një individi që është edhe politikan. Kjo, sipas BE-së, “duhet t’u adresohet autoriteteve të Kosovës e jo neve, sepse ata e dinë se me çfarë ka lidhje rasti”. Nga BE-ja pastaj insistuan se këtu “nuk bëhet fjalë për profilizim etnik të gjykatësve”, por për “obligim që rrjedh nga një marrëveshje të cilën e kishin pranuar të dyja palët”.

Ky rast tash rrezikon edhe pjesëmarrjen e Listës Srspka në zgjedhjet lokale në Kosovë, e rrezikon edhe vazhdimin e dialogut në Bruksel. U pa kjo nga kërkesa e shumë politikanëve në Serbi që “të rrëzohet ky vendim gjyqësor”, përndryshe ata do ta kuptojnë këtë si “largim i Kosovës nga dialogu”. Pra, nga Serbia kërkojnë që me vendime politike të anulohet një vendim gjyqësor. E BE-ja nuk deklarohet. Kur Serbia i akuzon shqiptarët, shpesh pa bazë, në BE pohojnë se “nuk i komentojnë proceset gjyqësore”. Një respekt i tillë i proceseve gjyqësore në rastin e Kosovës nuk po tregohet.

Vërtet BE-ja nuk e ka komentuar vendimin, por më shumë përbërjen etnike të panelit gjyqësor. Dhe kështu ka rënë në grackën e Serbisë duke paragjykuar se dënimi ka qenë “politik”, pasi “shumica e gjykatësve ishin shqiptarë”: me fjalë të tjera, sikur shumica të ishin serbë, Todosijeviq nuk do të dënohej. Sepse sikur të ishin serbë, do të konstatonin se “Todosijeviq e ka thënë të vërtetën për Reçakun”. E ajo e vërtetë, siç tha edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, është ajo që e ka thënë Todosijeviq se “ Reçaku ishte një trillim”.

Përkundër thirrjeve që dërgon BE-ja ndaj “të gjithë liderëve në rajon” që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të tregojnë përmbajtje për shkak të respektit ndaj viktimave dhe të punojnë për vlerësim të sinqertë dhe vërtetë të së kaluarës, BE-ja duke e përgjithësuar këtë temë, duke mos iu referuar në mënyrë direkte masakrës së Reçakut e as deklaratave të liderëve të Serbisë, po e relativizon vetë këtë çështje. Madje masakrës së Reçakut i referohet edhe BE-ja si “ ngjarje”.

Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve”, ka thënë ai.

“ Fuqishëm nënvizojnë se çdo mohim apo revizionizëm i ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë konfliktit në Ballkanin Perëndimor në vitet ‘90 janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka thënë zëdhënësi i BE-së kur është pyetur për mohimin e masakrës së Reçakut.

Ja se çfarë shkruan në vendimin e Trupit Gjykues të Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi në dënimin e Vlastimir Gjorgjeviqit në pikën 416:

“Sipas gjetjeve të Trupit Gjykues, jo më pak se 45 shqiptarë të Kosovës ishin vrarë në Reçak më 15 janar 1999, përfshirë një grua dhe një fëmijë. Së paku njërës viktimë i ishte prerë koka. Shumica e të vrarëve ishin mbi moshën 50 vjeçe. Shumica ishin vrarë duke u shtirë në kokë, si duket nga një distancë e afërt. Të vrarët kishin të veshura rroga civile kur ishin vrarë”, shkruan mes të tjerash. Por kjo për Serbinë ishte “trillim”, ndërsa për BE-në vetëm një prej “ ngjarjeve” nga e kaluara.

Sjellja e Serbisë ndaj krimeve, glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit, mosbashkëpunimi me mekanizmat e Tribunalit të Hagës, është diçka që BE-ja e di fort mirë dhe e ka të dokumentuar me shumë shembuj. Prandaj befason edhe më shumë gatishmëria e BE-së për të pasur mirëkuptim për një sjellje të tillë të Serbisë.

Edhe po të ishin marrë vesh në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë se trupi gjykues në Kosovë duhet të formohet duke pasur parasysh përkatësinë etnike të të akuzuarve, BE-ja do të duhej vetë të kërkonte që kjo të ndryshohej. Në dialogun e pakuptimtë deri tash të Brukselit, BE-ja është aq e hutuar, saqë, me apo pa vetëdije, kërkon politizim të gjykatave në Kosovë, profilizim etnik të gjykatësve, prokurorëve dhe policëve, diçka që shkon kundër vlerave të BE-së.

Në këtë mënyrë, nëse kështu vazhdon, dialogu do të ndihmojë që të polarizohet edhe më shumë Kosova në baza etnike e jo të arrihet një pajtim dhe integrim i serbëve.