OpEd

Fajësia e lindur e këmbës së zezë që huq penalltinë

Thotë një mik imi se Ballkani Perëndimor duke ikur prej nacionalizmave të vet po bllokohet prej nacionalizmave brenda BE-së

1.

Po i shikoja në fund edhe penalltitë e finales së Kampionatit Evropian të futbollit dhe në momentin e të përfunduarit të ndeshjes i thashë mikut me të cilin e ndoqëm ndeshjen se të nesërmen do të ketë reagime raciste në Angli.

Pashë te miku im shprehje fytyre të pikëpyetjes dhe i shpjegova se fakti që tre nga pesë lojtarët anglezë që nuk shënuan gol nga penalltia ishin me ngjyrë të zezë, do të ishte shkas për reagime në rrjete sociale e ndoshta edhe në tabloide që do ta lidhnin disfatën angleze me lojtarët zezakë. Ndodhi ashtu, dhe tashmë kjo çështje ka marrë edhe dimensionin politik të akuzave mes pushtetit e opozitës.

Por befasia e mikut tim, i lindur e rritur në tolerancën zvicerane, u shpreh në thjeshtësinë e konstatimit:

- Interesant, nuk do ta mendoja këtë gjë fare.

Natyrshëm për një zviceran. Njeriu që huqi penalltinë për Zvicrën quhej Rodriguez dhe nuk kishte koment domethënës zviceran që do ta fajësonte prejardhjen e tij për mungesë preciziteti në këmbë.

2.

Por është gjithnjë e më i madh numri i njerëzve (dhe vendeve evropiane) ku ngjyra dhe mbiemri i futbollistit që huq penalltinë ndezin dritat e kuqe të një këndvështrimi që nuk është ai i mikut tim zviceran. Dhe, natyrisht, nuk ka të bëjë fare me futboll, ka të bëjë me diçka që quhet politikë identitare. Në shembullin e futbollit, për racistin anglez këmba e bardhë e anëtarit të kombëtares do të shënonte gol dhe Anglia do të bëhej kampion, ndërsa këmba e zezë dështoi dhe ia dha fitoren një kombëtareje siç është Italia, e që për racistin anglez është e një kombi e vendi të rangut inferior.

Për një qytetar shqiptar të Kosovës si puna ime, nuk ka nevojë për shumë shpjegime. Gjatë ish-Jugosllavisë i tërë kombi shqiptar në këtë shtet kaloi nëpër një përpjekje për të dëshmuar se është i barabartë me kombet e tjera. Një shqiptar është dashur të jetë shumë i mirë në atë që bënin të tjerët-sport, studime, këngë, teatër - për të dëshmuar se është i njëjtë si të tjerët. Dhe, kjo betejë vazhdon: i tërë procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është për të arritur një moment historik ku Serbia pranon se Kosova është e barabartë me të dhe shqiptarët, një popull që u pa si tradicionalisht inferior, janë të barabartë me serbët, ata që tradicionalisht janë konsideruar apo e kanë konsideruar veten superiorë.

Popujt a grupet që konsiderohen inferiorë (zezakët e kombëtares, shqiptarët e ish-Jugosllavisë) reduktohen në fund, në thjeshtësinë e tabloidit, në të fajshëm që duhet të dëshmojnë pafajësinë. Zezaku i kombëtares është i paaftë për nga natyra, nga ngjyra dhe duhet të dëshmojë se di të lozë futboll, atë që një i bardhë me emër e mbiemër anglez nuk duhet ta bëjë, sepse ai nga lindja është i aftë për të shënuar gol dhe për ta bërë Anglinë kampione. Shqiptari në ish-Jugosllavi, gjatë kulmit të fashizmit serb, ka qenë për nga natyra negativ - ta përdor një shprehje beninje - por për ta dëshmuar këtë shumicë ka qenë edhe një pakicë e quajtur “shqiptarë të ndershëm”.

Dhe, serbi në shkrimin e sotëm shqip, posaçërisht në gjuhën e shpejtë të portaleve në Kosovë, është për nga natyra fajtor për krimet e bëra (të supozuara a jo) ndaj shqiptarëve. Andaj ka hyrë tashmë në fjalor përditshmërie titulli i artikullit i cili na tregon se “u arrestua serbi për krimet e 20 vjetëve më parë” apo “dy serbë u ndalën me armë të padeklaruara”. Apo “serbët dogjën fshatin tonë”, që të gjithë serbët, ata të fshatit tonë, ata të tjerët që janë serbë të Kosovës, ata që janë të Serbisë, ata që janë serbë të Ballkanit, që të gjithë serbët e botës. Që të gjithë serbët janë fajtorë, në këtë gjuhë portalesh, për faktin që janë serbë.

3.

Por në një vështrim më të gjerë e paradoksal, kufiri mes “fajshmërisë” dhe “pafajshmërisë” së paragjykuar po fshihet.

Një mik imi nga Shqipëria deklaroi në një konferencë se Ballkani Perëndimor që ka pësuar nga nacionalizmat e vet ka menduar se do t’i tejkalojë ata duke u integruar në Bashkimin Evropian, por nuk mund ta bëjë këtë integrim mu për shkak të nacionalizmave të shteteve të BE-së. Maqedonia e Veriut e rrjedhimisht Shqipëria nuk mund të hapin negociatat për anëtarësim në BE, sepse u bllokuan nga nacionalizmi i rilindur bullgar i cili kërkon të definojë linjat e reja identitare mes bullgarëve dhe “popullit” që rron ngjit me të. Më herët Greqia kërkonte tërheqje të qartë të vijës identitare mes territorit të quajtur Maqedoni dhe popullit që e quan veten të tillë, dhe kjo çoi tek ndërrimi i emrit të kësaj që sot është Maqedonia e Veriut.

Apo t’i kthehemi futbollit, një vend si Spanja, fuqi ekonomike e politike brenda BE-së, me aspirata për ta zërë vendin e Britanisë së Madhe pas largimit të saj nga BE-ja e ka aq të ndërlikuar relacionin me Kosovën, saqë kur dy vendet luajtën ndeshjen kualifikuese për kampionat në Spanjë, sigla e Spanjës në transmetimin e TV-së publike u paraqit me shkronja të mëdha e ajo e Kosovës me të vogla.

4.

Bëhen së shpejti njëzet vjet prej se Ballkanit Perëndimor iu premtua “perspektiva evropiane” në Samitin e Selanikut më 2003. Me ritmin e sotëm të integrimit, mund të kalojnë edhe njëzet të tjerë duke pritur në “dhomën e perspektivës”.

Po, problem kanë qenë vetë shtetet e Ballkanit Perëndimor që nuk kanë ecur më shpejt në reforma e ndryshime. Por ato jetojnë në një hapësirë ku as s’kanë përfunduar konfliktet e as s’janë përcaktuar qartë shtetet. Lufta identitare vazhdon.

E, megjithatë, problemi mund të vihet në një pyetje të formës tjetër: po të ishin të gatshme shtetet e Ballkanit Perëndimor, a do të pranoheshin më shpejt nga BE-ja? Dhe përgjigjja është jo, madje qartazi jo, siç po shihet me rastin e Shqipërisë apo të Maqedonisë së Veriut.

Pyetja tashmë i shtrohet BE-së dhe fërkimeve të veta identitare: diku mes rolit të emërtuesit më të ulët të përbashkët (bazuar tek inatet e mbufatura të shteteve dhe lëvizjeve autoritare ) dhe idesë themelore të federalizmit të një kontinenti të bashkuar në vlera të shoqërisë së hapur.