OpEd

Hajnia ka shumë emra

Derisa nuk i shikon deklaratat e pasurisë së politikanëve dhe shërbyesve civilë; derisa nuk merr vesh edhe sa e sa para janë vjedhur, apo janë marrë a dhënë mitë për të kryer shërbime, apo janë përdorur për t'u shpërlarë me provizionin për shpëlarësin - nuk e kupton se Kosova është një vend jashtëzakonisht i pasur. Dhe se ka shumë pasanikë, që paratë nuk i mbajnë vetëm këtu, por që i kanë shpërndarë në kushedi cilat parajsa fiskale

Lajmi i gëzueshëm i javës është se arritën 180 mijë vaksina të blera dhe se vaksinimi përnjëmend masiv nisi këtë javë. Vetëm ditën e djeshme janë vaksinuar mbi 9600 veta, kurse numri i përgjithshëm i të vaksinuarve do ta kalojë 200-mijëshin sot. Nga ana tjetër, incidenca e të infektuarve vazhdon të jetë e ulët, edhe pse dje u regjistruan dy vdekje si pasojë e virusit.

Mbase nuk është herët të thuhet se tashmë i kemi hyrë shtegut të një normalizimi, të cilin jemi duke e pritur thuajse një vit e gjysmë. Me ndjenjën se bile për një kohë do të jemi të sigurt se nuk do të përfundojmë në spital, edhe nëse sëmuremi pas vaksinimit.

Kosova, sinqerisht, do të duhej të shndërrohej në një rast studimi shkencor. Është e pabesueshme që, po qe se duhet marrë shënimet zyrtare si të mirëqena, në situatën kur të fundit e nisëm vaksinimin në rajon; kur patëm dy valë shumë të rënda infeksionesh dhe kur u treguam tepër shumë shpërfillës karshi masave që duhej respektuar, e që sot të kemi 107.749 të infektuar dhe 2.258 të vdekur. Nuk e di njeriu çfarë të mendojë.

Me këtë ritëm vaksinimi, deri në fund të muajit, mund të vaksinohen 600 mijë njerëz dhe ky do të ishte sukses i jashtëzakonshëm. Të urojmë se ardhja e kontingjenteve të vaksinave do të jetë e rregullt dhe se të gjithë ne që duam të vaksinohemi do ta kemi marrë edhe dozën e dytë më së voni në tetor.

* * *

Dje u shënua përvjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut. Asnjëherë si dje nuk pata rastin të shihja e dëgjoja aq shumë urata për Delegatët e 1990-s. Atë që e kishin bërë ato gra e burra para 31 vjetësh ishte vërtet heroike, në kushtet e okupimit më të egër, nën rrethimin e hekurt të policisë që e mbikëqyrte ndërtesën e Kuvendit edhe me helikopterë.

Pa dyshim se ata janë pjesë e historisë së Kosovës dhe ishin njerëzit që e hapën shtegun drejt Pavarësisë që do të shpallej 28 vjet më vonë. Ajo që do të mbetet e shënuar nga dita e djeshme, ishte mungesa e një numri të madh delegatësh, të cilët ndërkohë u shuan. Porse edhe do të mbahet mend edhe për faktin se dje u shpalos pllaka e vendosur te hyrja e ndërtesës së Kuvendit që e shënon këtë ditë, për ta vulosur në histori.

Përgëzime dhe faleminderit atyre që u treguan të guximshëm dhe atdhedashës kur e shpallën Kosovën Republikë.

* * *

Pjesa tjetër e rrëfimit të javës ka të bëjë me hajninë, e cila duket se në këto 20 vjetët e fundit është bërë endemike në Kosovë.

Java e zbulimit të hajnive nisi fillimisht me zbulimin se Ministria e Bujqësisë dhe agjencia e saj famëkeqe i paguajnë 56 mijë euro në muaj qira, pra rreth 675 mijë euro në vit, një ndërmarrësi privat, për të cilin thuhet se ka lidhje të afërta me udhëheqësit e shkuar të shtetit. Të kujtojmë, Ministria e Bujqësisë ka qenë e vendosur në ndërtesën e ish-Komitetit bashkë me Ministrinë e Kulturës. Porse, ishte marrë një vendim i kotë dhe megaloman, që këto dy ministri të zhvendoseshin prej aty, ashtu që në atë ndërtesë të vendosej Presidenca, në kohën e Hashim Thaçit.

Pra, një Ministri që ka mundur të vazhdonte të punonte në objektin ku ka qenë, kot së koti shkakton shpenzime milionëshe buxhetit për një vendim të marrë menaxherial.

Porse edhe qiranë e majme që paguhet kot, mbase edhe do ta falnim disi, po të mos ishte hajnia masive që ka ndodhur brenda Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Pas aksionit të zhvilluar në shkurt të sivjetmë, para tri ditësh u ndërmor pjesa e dytë e aksionit që përfundoi me arrestimin e edhe të 21 zyrtarëve që u kanë mëshuar karate granteve të dedikuara për bujqit.

Nga kjo që po rrjedh si informatë, po del se kjo agjenci ishte shndërruar në agjencinë për zhvillimin e biznesit personal të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe dostave të tyre. Për keqardhje, i gjithë mundi për ta ngritur bujqësinë në këmbë, kur përfituesit në fund duken të mos kenë qenë bujqit që shkallmohen në fushë, por hajnat e ulur nëpër institucione bashkë me ata me të cilët i kryejnë krimet dhe me ata të tjerët që i mbrojnë.

* * *

E të njëjtën ditë kur ndodhi "desanti" në AZHB, u arrestuan edhe drejtori i administratës si dhe kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur për Media. Në një grackë të përgatitur si nëpër filma, ofruesi i mitës, në koordinim të plotë me Policinë, i merr paratë nga vetë policia, e cakton takimin me mitëmarrësin në një lokal në qytet dhe ia dorëzon paratë, "për ta hequr një dënim", i cili madje nuk kishte kaluar nëpër procedura. Pra, një dënim që ka mundur të ishte shqiptuar dikur në të ardhmen, por që i kapuri në flagrancë, vendosi t'ua falë me një kundërshpërblim të vockël.

Gjasat janë se një veprim të tillë do ta kenë bërë mbase edhe në të kaluarën, ngase i arrestuari serbes i kishte shkruar porosi shefit të tij, për t'i treguar se i kishte marrë paratë.

E se gjërat ka kohë nuk janë si duhet në KPM i tregojnë zhvillimet që nga koha kur flitej për të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të futbollit nga operatorët e ndryshëm. Nuk ishin në rregull as nga koha kur me ngulm mbroheshin interesat e operatorëve kabllorë në dëm të transmetuesve të përmbajtjes programore, e aq më pak u treguan të ishin në rregull kur pa pritur e pa kujtuar, pa asnjë paralajmërim të vetëm, u ndryshua një rregullore që kishte marrë tri vjet të miratohej dhe e cila tre vjet refuzohej të zbatohej nga vetë trupat e KPM-së, në dëm të televizioneve dhe në favor të operatorëve kabllorë.

Pra, nëse arrestimi i këtyre dy personave është fillimi i shpalosjes së lëmshit në KPM, atëherë druaj se shumë gjëra të këqija do të mund të dalin nga ky institucion, i themeluar me Kushtetutë. Dhe po them druaj, se është absolutisht e pakuptueshme se si një zyrtar që punon mbi dhjetë vjet në atë institucion me një rrogë jo më të madhe se 600-700 eurosh të ketë pasuri të paluajtshme në vlerë prej gjysmë milioni eurosh, vetura të shtrenjta dhe madje parcela për parking.

E keqja në gjithë këtë punë është se deklarimi i pasurisë i këtij lloji, nuk ia ka vrarë syrin askujt. Pra, sikurse në rastin e AZHB-së, zyrtarët kanë vjedhur, jo vetëm për vete, dhe dikush i ka mbrojtur ata. Se ndryshe nuk kishin mundur të operonin kaq gjatë.

* * *

E rrëfimin për krimin endemik në Kosovë na e rikujtoi Prokuroria e Shtetit me ngritjen e një aktakuze në rastin e Parkut industrial në Malishevë. Pas një hulumtimi të thuktë të KOHËS, u zbulua se një metër katror toke andej nga Malisheva ishte shitur për 10 CENTË. Mirë e lexuat: CENTË. E më pas ishte planifikuar që po kjo tokë të shpronësohej me çmimin prej 7 eurosh për metër katror - pra një hajni super e sofistikuar ku janë përfshirë me ministra, zëvendësministra e një kryetar komune.

Mbase do të jetë interesante të theksohet se po ajo KPM e përmendur më lart, kishte gjetur se KOHA kishte bërë shkelje të Kodit të Etikës kur kishte raportuar për këtë rast. Se kinse nuk i kishim dhënë mundësi njërit nga të akuzuarit që të deklarohej, që natyrisht nuk ishte e vërtetë. Po sidoqoftë, tash edhe ky ish-zëvendësministri, Faton Thaçi, edhe ish-ministri Bajram Hasani e Ragip Begaj, kryetar i Malishevës, do të kenë mundësinë të deklarohen para gjykatës.

I fundit në rrëfimin e shumë hajnive që kanë ndodhur, e të cilat ngadalë po zbulohen, është edhe denoncimi i rastit të mirëmbajtjes së urave në Kosovë në Prokurorinë Speciale nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Mjedisit. Sërish një hulumtim i KOHËS kishte qitur në pah se kontrata që e kishte pasur vlerën nominale 500 mijë euro, kishte përfunduar me pagesën e shërbimeve në vlerë prej 5 milionë eurosh.

Gjatë hulumtimit, pronari i kompanisë përfituese kishte thënë se kontrata kishte qenë 4,3 milionë euro, e që "mbase ato 500 mijë euro do të kenë qenë çmim njësie", thënie që nuk përkonte me dosjen e tenderit.

Pas kësaj, i pari u lajmërua Pal Lekaj, ish-shef i këtij dikasteri, për të thënë se nuk kishte qenë ai që e kishte nënshkruar këtë kontratë. Dokumentacioni në posedim të KOHËS e vërteton se ai e kishte nënshkruar, për shkak se ligji obligon që kontratat me vlera të mëdha të nënshkruhen nga ministri.

Tash i mbetet Prokurorisë të merret me këtë. Po qe se gjendet edhe një prokuror sikurse ky që po merret me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, mbase ky vend edhe ka njëfarë shprese. E veç të gjenden edhe gjykatës me integritet që gjykojnë sipas ligjit e jo interesit e presionit, atëherë mbase edhe mund të shënohet fillimi i një këndelljeje të pritur prej kohësh.

* * *

Derisa nuk i shikon deklaratat e pasurisë së politikanëve dhe shërbyesve civilë; derisa nuk merr vesh edhe sa e sa para janë vjedhur, apo janë marrë a dhënë mitë për të kryer shërbime, apo janë përdorur për t'u shpërlarë me provizionin për shpëlarësin -- nuk e kupton se Kosova është një vend jashtëzakonisht i pasur. Dhe se ka shumë pasanikë, që paratë nuk i mbajnë vetëm këtu, por që i kanë shpërndarë në kushedi cilat parajsa fiskale.

Hajnia në Kosovë ka edhe bossa, edhe operativca, edhe të tillë që shërbejnë si ombrellë. Është e turli-llojshme dhe ka shumë fytyra që kanë edhe emra.

flaka@koha.net