OpEd

Vendimi për të ardhmen e njerëzimit

Veshtrim

Mbijetesa afatgjate e njerëzimit varet nga vendimet që ne i marrim tani. Liderët botërorë që mblidhen sivjet në G7-n, G20-n dhe samitet e tjerat për biodiversitetin dhe klimën duhet të mendojnë për shekujt dhe brezat e ardhshëm e jo për vite apo muaj. Sikurse në samitin e laureatëve të çmimit “Nobel”, ata duhet të udhëzohen nga një pyetje: Cili është përfitimi më i madh për njerëzimin?

Në samitin e kohëmëparshëm të G7-s në Cornwall, sir David Attenboroughu i përshkroi vendimet me të cilat ballafaqohen aktualisht vendet më të kamura të botës si “më të rëndësishmet në historinë e njerëzimit”. Dhe kishte të drejtë.

Samiti ishte mbajtur në sfondin e shumë krizave, përfshirë atë me pandeminë, ndryshimet klimatike, humbjen e biodiversitetit, pabarazinë në rritje dhe dezinformimin “infodemik”.

Të gjitha sfidat e kanë bërë këtë dekadën vendimtare për veprimin global. Teksa e mirëpresim zotimin e ri të G7-s për përgjysmimin e emetimit të dyoksid karbonit dhe kthimin kah politikat “pozitive karshi natyrës”, nëpërmjet shmangies së humbjes së biodiversitetit deri më 2030, këta hapa paraqesin minimumin e asaj që nevojitet të bëjnë vendet më të pasura në Tokë.

Siç cekin 126 laureatë të çmimit “Nobel” në një thirrje të fundit për veprim, “e ardhmja e gjithë jetesës në këtë planet, përfshirë njerëzit dhe shoqëritë tona, na kërkojnë të jemi efikas karshi të përbashkëtave globale”.

Ky konsensus ka dalë nga samiti i parë i organizuar ndonjëherë i laureatëve të çmimit “Nobel” – Planeti ynë, e ardhmja jonë – i cili ishte mbajtur nën nikoqirllëkun e organizatave tona, në fundin e prillit.

Laureatët e “Nobelit” dhe ekspertët e tjerë nga gjithë bota u bashkuan në vlerësimin e rreziqeve që i kanosen botës sonë të tej ndërlidhur. Në një epokë të karakterizuar nga dridhjet e përshpejtuara, të mëdha dhe sistematike, ne kemi eksploruar çfarë mund të arrihet tani dhe në vitet vijuese për ta vënë botën në një shteg më të qëndrueshëm.

Sa shqetësuese, sfida është edhe e drejtpërdrejtë. Po qe se nuk e përqafojmë veprimin transformues qysh në këtë dekadë, atëherë do të ndërmarrim një rrezik kolosal për të ardhmen e njerëzimit. Kolektivisht ne jemi duke dështuar në vlerësimin e peshës së qëndrueshmërisë shoqërore dhe mjedisore, duke i lejuar ndryshimet e përmasave të mëdha dhe të pakthyeshme në biosferën e Tokës. Duke i pasur parasysh këto rreziqe, ambiciet që qeveritë do t’i sjellin në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgow, gjatë nëntorit duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën dhe urgjencën e sfidës.

Jemi duke u ballafaquar me pika të rrezikshme të kthesës. Këtë e dimë jo nga teoritë shkencore dhe ekuacionet komplekse të mbështetura nga modelet kompjuterike, por nga ato që mund t’i shohim me sytë tanë.

Shumë nga pjesët e shtresave të akullta në Antarktik dhe Grenlandë janë duke u shkrirë. Rezervat e mëdha të karbonit në rrënjët, kërcejtë dhe dheun e pyjeve të Amazonës, por edhe në rajonet e acarit të përhershëm, janë duke u tkurrur dhe potencialisht po përkeqësohen teksa ne flasim. Qarkullimi Përmbysës Meridional i Atlantikut që e rishpërndan nxehtësinë globalisht është duke u ngadalësuar.

Në të njëjtën kohë, politikat e shumë shteteve po destabilizohen nga nivelet e larta të pabarazisë shoqërore dhe ekonomike, si dhe nga përhapja e shpeshtuar e informatave të gabuara dhe dezinformatave. Ndërsa ky proces tanimë është industrializuar tërësisht, me anë të teknologjive dhe platformave digjitale, infordemia është duke e kërcënuar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur efektivisht krizave globale.

Takimi Planeti ynë e ardhmja jonë ka lartësuar nevojën për të investuar më tepër në shkencë, në mënyrë që të mund ta kuptojmë botën dhe ta nxisim inovacionin fitimprurës për shoqërinë. Vaksinat kundër COVID-19 u zhvilluan në kohë rekorde, ngase ne veçse kishim investuar në kërkimet me vlerë prej më se një dekade në zbërthimin e ARN-në dhe imunogjenëve. Qeveritë e G7-s tani janë zotuar që ta ndjekin shtegun e bashkëpunimit më të ngushtë ndërkombëtar për kërkime dhe zhvillim. Por do të na duhet gjithashtu që t’i eksplorojmë modelet e reja afariste për ta lehtësuar ndarjen e njohurive shkencore dhe investimeve për kërkimet bazike.

Rrjetet ndërkombëtare të institucioneve shkencore do të kenë gjithashtu nevojë për investime. Universitetet duhet t’i përfshijnë konceptet e administrimit planetar në kurrikulat e tyre. Dhe shkollimi në secilën moshë duhet të përfshijë me një theks të fuqishëm natyrën e provave dhe metodën shkencore, në mënyrë që të ndihmohet në gjenerimin e imunitetit të tufës kundër gënjeshtrave dhe dezinformatave të përhapura nga grupet specifike të interesit dhe mediat partizane.

Fundi i epokës së karburanteve fosile e ngërthen një lloj transformimi monumental ekonomik që veçse është duke ndodhur. Por nuk do ta arrijmë përparimin e nevojshëm pa dinamizëm ekonomik. Derisa vendet e G7-s e kanë sinjalizuar synimin për shkëputjen nga thëngjilli, shumica ende duhet të caktojnë një datë dhe strategji specifike për veprim në këtë drejtim. Me buxhetin e karbonit përherë në tretje, një ngatërrim i tillë nuk është në pajtueshmëri me ruajtjen e stabilitetit klimatik në apo nën 1.5 gradë celsius të ngrohjes, në krahasim me nivelet paraindustriale.

Përfundimisht, të gjitha vendet duhet të pranojnë se pabarazitë në rritje midis të pasurve dhe të varfërve i ushqejnë pakënaqësitë dhe mosbesimin, duke i rrezikuar kontratat shoqërore që janë të nevojshme për vendimmarrjet kolektive të vështira e afatgjate. Për t’i zbutur këto rreziqe ne duhet ta plotësojmë GDP-në me parametra të tjerë që e përthekojnë më mirë mirëqenien e njerëzve dhe natyrës. Liderët e së sotmes duhet të jenë të guximshëm në shërbim të shprehjes përfundimtare të drejtësisë: të drejtën e brezave të ardhshëm për një biosferë të jetueshme.

Mbijetesa afatgjate e njerëzimit varet nga vendimet që ne i marrim tani. Liderët botërorë që mblidhen sivjet në G7-n, G20-n dhe samitet e tjerat për biodiversitetin dhe klimën duhet të mendojnë për shekujt dhe brezat e ardhshëm e jo për vite apo muaj. Sikurse në samitin e laureatëve të çmimit “Nobel”, ata duhet të udhëzohen nga një pyetje: Cili është përfitimi më i madh për njerëzimin?

(Carl Folke, drejtor shkencor i Qendrës së Stokholmit për Qëndrueshmëri dhe drejtor i Institutit Beijer për Ekonomi Ekologjike në Akademinë Mbretërore suedeze të Shkencës, dhe Richard J. Roberts, laureat i çmimit “Nobel” dhe zyrtari kryesor shkencor në New England Biolabs, i kanë kontribuuar këtij vështrimi. Johan Rockström është drejtor i Institutit të Potsdamit për Kërkime mbi Ndikimin Klimatik. Marcia McNutt është kryetare e Akademisë së Shkencave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Brian Schmidt, laureat i “Nobelit”, është zëvendësdekan i Universitetit kombëtar australian. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).