OpEd

Imuniteti i tufës është më afër se që mendoni

Teksa variantet e reja po shfaqen ngutshëm dhe ka shpërthime të reja në vendet që duket se e kanë pasur virusin nën kontroll, COVID-19 mbetet një problem global. Duhej ta dinim tanimë që krejt kjo e kërkon një zgjidhje globale. Shtimi i fundit në furnizime dhe përllogaritja e vaksinave nga Komisioni Global lënë të kuptohet se ajo çfarë duhet veçse është në dorën tonë

Kur do t’i vaksinojë bota 80 për qind të të gjithë të rriturve, sa niveli i perceptuar nga shkencëtarët për arritjen e imunitetit të tufës kundër COVID-19? Përgjigjja e shumicës së njerëzve për këtë pyetje është 2023-a apo 2024-a, gjë kjo që sugjeron për pesimizmin e thellë rreth përparimit të vaksinimit përtej botës së varfër.

Kjo dhe është arsyeja pse premtimet në samitin e G7-s për dhurimin e një miliard vaksinave për vendet e varfra gjatë këtij viti dhe më 2022, për disa dukej si një ndryshues zemërgjerë i rregullave të lojës.

Ama dëshpërimi është ndjenja e gabuar, kurse vet-urimi i G7-s është reagimi i gabuar. Nëse shkalla aktuale ditore e vaksinimit vazhdon, bota mund ta arrijë synimin e imunizimit deri në janarin e 2022-s.

Hapi i parë drejt veprimit efikas është që ta bindim vetveten se një problem është zgjidhur. Për këtë qëllim, Komisioni Global për Politika të Paspandemisë, një grup ky i pavarur i 34 veprimtarëve dhe mendimtarëve të nivelit të lartë nga çdo cep i botës, ka bërë kalkulime matematikore për ta realizuar një numërim së prapthi për vaksinimin global. Befasisht, kemi zbuluar se sfida është larg më e menaxhueshme sesa që kemi menduar, dhe në aspektin kohor, shumë më i shpejtë se që është vlerësuar nga Qeveritë e G7-s.

Aritmetika është e thjeshtë, por së pari duhet të vendosni nëse ta shihni Kinën, vendin më të populluar të botës, si frymëzim apo përjashtim. Sipas “Our World in Data”, Kina tani numëron 17-20 milionëshin e 33-36 milionë dozave që po administrohen përreth botës përditë. Nëse Kina përfshihet, shifrat mbërrijnë në zero brenda vetëm 200 ditësh; pa Kinën, koha rritet në 370 ditë. Ky është një dallim i rëndësishëm, por konsiston me mbërritjen në vijën e finishit në korrikun e 2022-s, e jo në janar. Edhe nëse bëhet i domosdoshëm një prag më i lartë prej 90 për qind, falë efikasitetit më të ulët të vaksinave kineze, ne prapëseprapë jemi aty diku afër.

Le t’i shikojmë numrat.

Popullata botërore kap shifrën prej 7.9 miliardësh, rreth 5.85 miliardë e të cilëve janë të rritur (74 për qind). Nëse caku është një shkallë imunizimi prej 80 për qind, 4.7 miliardë njerëz do të duhej vaksinuar, që me vaksinat dydozëshe nënkupton se duhen 94. miliardë doza. Deri më 11 janar 2021, “Our World in Data” raportoi se më tepër se 2.3 miliardë doza veçse janë administruar kudo në botë, duke lënë vetëm rreth shtatë miliardë doza. Përpjesëtojeni këtë me shifrën mesatare të nivelit ditor (34 milionë) dhe fitoni përafërsisht 211 ditë – janari i 2022-s.

Po, shtatë miliardë është numër jashtëzakonisht i madh. Por shikoni se çfarë po ndodh: përditë, Kina është duke administruar 17-20 milionë doza; India administron vetëm diç më shumë se tre milionë; dhe madje Afrika administron rreth 900.000 syresh – 37 për qind rritje që nga fillimi i muajit. Për më tepër, këto shifra po rriten në shumicën e vendeve. Ndonëse jo akëcili vend me të ardhura të mesme do të jetë në gjendje që ta kapë hapin e Kinës, ky të paktën duhet të jetë synimi motivues.

Deri para pak kohësh, kufizimi kryesor dhe burimi i zemërimit ishte furnizimi i kufizuar me vaksina. Por, prodhimi është duke u rritur theksueshëm, pasi që prodhimi global mujor i vaksinave të miratuara nga të paktën një trup i madh rregullator është rritur nga 420 milionë doza në prill, në 822 milionë doza në maj.

Dy zhvilluesit kinezë të vaksinave, Sinovac dhe Sinopharm, numërojnë më shumë se gjysmën e këtij totali (duke e trefishuar prodhimin nga 164 milionë doza në prill në 454 milionë në maj). Prodhimi i vaksinave Pfizer-BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca në Bashkimin Evropian është dyfishuar, nga 69 milionë në 140 milionë, përderisa numri i dozave të Pfizer-BioNTech, Modernas dhe Johnson & Johnsonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur nga 71 milionë në 105 milionë. Të dhënat e vetme zhgënjyese të prodhimit ishin në Indi, ku prodhimi ka rënë nga 76 milionë doza gjatë prillit në 62.6 milionë në maj.

Në muajt në vijim, kufizimi kyç më nuk do të jenë mungesat në furnizim, por më shumë sfidat financiare dhe logjistike, veçmas në vendet më të varfra që kanë mbulueshmëri të kufizuar infrastrukturore dhe të përkujdesjes shëndetësore. Këto pengesa mund të zbuten, po qe se shtetet e kamura e lirojnë prodhimin më shpejt, ashtu që të tjerët të blejnë, dhe po qe se bëhen të disponueshme më shumë ndihma financiare bilaterale dhe multilaterare për të mbështetur sistemet e shëndetit publik dhe blerjet e vaksinave.

Mos u gaboni: Kina, sipas të gjitha gjasave, do ta luajë një rol të madh dhe mbase prijës në këtë proces.

Si prodhuesja më e madhe botërore e vaksinave kundër COVID-19 (megjithëse i një shumëllojshmërie më pak të sofistikuar sesa ato perëndimore), Kina do ta ketë të imunizuar popullatën e saj deri në shtator apo aty diku, duke gjeneruar një bollshmëri kapaciteti prodhues për të furnizuar botën (bashkë me financim).

Kjo është arsyeja pse zotimet perëndimore në G7, sado të mirëseardhura që të jenë, në realitet janë disi prapa kurbës. Vendet e G7-s po i ofrojnë një miliard dozat e tyre në një hapësirë kohore të përshtatshme për to, duke i ndarë midis fundit të 2021-s dhe më 2022, por kërkesa faktike në vendet më të varfra dhe me të ardhura të mesme po vjen shumë më herët sesa këto data. Kjo do të thotë se Kinës po i jepet një treg masiv dhe një mundësi diplomatike për të hyrë në lojë me mbase 500 milionë doza për çdo muaj, gjatë të paktën katër muajve të 2021-s.

Nëse kjo gjë ndodh, korniza kohore befasisht e shkurtër që rezultoi nga numërimi ynë së prapthi për vaksina mund në fakt, të shkurtohet edhe më shumë. Pjesët rurale të Afrikës dhe ato të paqëndrueshme të Amerikës Latine do të përballen me sfidat më të mëdha, por ato mund të kapërcehen me ndihmën e qeverive të vendeve të pasura, përshirë të Kinës, dhe nga fondacionet e mëdha filantropike. Fushatat e vaksinimit masiv në botën e zhvilluar nuk janë asgjë e re. Suksesi varet nga zemërgjerësia, vullneti politik dhe besimi se zgjidhja është sa e nevojshme po aq edhe e arritshme.

Teksa variantet e reja po shfaqen ngutshëm dhe ka shpërthime të reja në vendet që duket se e kanë pasur virusin nën kontroll, COVID-19 mbetet një problem global. Duhej ta dinim tanimë që krejt kjo e kërkon një zgjidhje globale. Shtimi i fundit në furnizime dhe përllogaritja e vaksinave nga Komisioni Global lënë të kuptohet se ajo çfarë duhet veçse është në dorën tonë.

(Bill Emmott, ish-kryeredaktor i “The Economist”, është drejtor i Komisionit Global për Politika të Paspandemisë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).