OpEd

22 vjet

Është 22 vjetori nga hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë dhe fundi i luftës e cila nisi më 1997 mes UÇK-së dhe forcave serbe, dhe kulminoi me fushatën 78-ditëshe të bombardimeve nga NATO kundër Jugosllavisë së Millosheviqit. Derisa me të drejtë kujtojmë momentet e çlirimit të Kosovës nga pushtuesi kriminal serb, mbetet ndjenja e pashlyeshme se shumë raste janë humbur në këto 22 vite. Sigurisht, veç lirisë edhe pavarësia është arritur - por shtetndërtimi nuk është përmbyllur, ndërsa në shumë fusha kemi parë ngecje shumevjeçare të pashpjegueshme.

Dhe, themelorja, nuk kemi parë drejtësinë për krimet e luftës ndaj popullatës civile në Kosovë për më shumë se 10,000 të vrarë, për më shumë se 4,500 të zhdukur (prej të cilëve rreth 1,700 mbeten ende të pagjetur), për mijëra raste të dhunimeve, gati një milion të dëbuar, për mijëra shtëpi e prona të djegura e dëmtuara, për shkatërrimin sistematik të të gjithë ekonomisë dhe jetës sociale...

Jemi 22 vjet nga fundi i luftës dhe ditët e çlirimit, por nuk jemi aty ku është dashur të mbërrijmë.

Sa për krahasim, në vitin 1967 – 22 vjet pas luftës së Dytë Botërore – Evropa ishte në ngritje të vrullshme ekonomike, kishte një rimëkëmbje të gjerë kulturore, bashkëpunim ndërshtetëror, dhe kishte arritur në pragun e integrimeve, që pikënisje kishte pajtimin mes kombeve evropiane të ndërtuar mbi drejtësinë dhe llogaridhënien.

Por, ne nuk jemi aty. Në disa momente, madje, duket sikur ne (Kosova dhe rajoni) gjendemi aty ku Evropa u gjet 22 vjet pas Luftës së Parë Botërore – në prag të një përplasjeje të madhe mes kombeve, pasi synimet dhe ideologjitë që nxitën Luftën e Parë Botërore nuk ishin mposhtur bazuar në drejtësinë, por ishin mbyllur përkohësisht, andaj dhe u rishfaqën dy dekada më vonë.

Andaj, pyetja që duhet t’ia shtrojmë vetes, por edhe rajonit dhe Evropës – sot, 22 vjet prej kur përfundoi lufta dhe u arrit paqja në Kosovë – është: Pse drejtësia është lënë anash dhe i hapet rruga fashizmit të ringjallur që shkaktoi gjithë atë vuajtje në vitet 1980 dhe 1990, jo vetëm në Kosovë? Pse rrezikojmë të na përsëritet historia?

22 vjet pas çlirimit të Kosovës, liria ende është e brishtë. Dhe e kaluara ende nuk është e tejkaluar.

Gëzuar 22 vjet nga çlirimi i Kosovës...