OpEd

Sedati kundër Rexhepit: një lojë mafiozo-politike turke

Sedat Peker, bos i mafisë turke, po e lëkund në themel pushtetin e Rexhep Taip Erdoanit. Peker, i cili ka leje qëndrimi në Kosovë dhe biznes në Prizren, po i akuzon politikanët turq se janë të përzier në tregti me drogë, shantazhe, korrupsion...

“Me ty, abi, do të flasim sy më sy”. Abi është fjalë turke dhe në shqip mund të përkthehet me “bacë”. Sedat Peker, 49-vjeçar, shpeshherë i veshur me këmishë të bardhë, të cilën e shkopsit dy-tri pulla për të treguar gjoksin, pra Sedat Peker me fjalinë “me ty, abi, do të flasim sy më sy” i drejtohet bash Rexhep Taip Erdoanit, kryetarit të Turqisë. Peker me gjasë po flet nga një dhomë hoteli në Dubai. Dhe çfarë thotë Peker, ka potencial të lëkund pushtetin e Erdoanit.

Gjithçka filloi para tri javësh. Peker paralajmëroi se do të shpalos të zezat e pushtetarëve turq, pra rrethit të ngushtë të Erdoanit: lidhjet me krimin e organizuar, lidhjet me tregtinë me drogë, lidhjet me aferat korruptive, lidhjet me terroristët e al-Kaidës, me kontrabandë me naftë dhe armë në dhe nga Siria. “Disa tiranëve do t’u tregoj se s’ka asgjë më të rrezikshme se një burrë që s’ka frikë nga vdekja”, shkroi Peker në Twitter. Pra, ai bëri të qartë se nuk e ka ndërmend të dorëzohet, sepse: nuk ka frikë.

Akuzat e tij Peker i poston në Youtube. Një mafioz incizon veten në një dhomë hoteli. Në njërën nga videon ai pyet: “Kush është sot në sallë? Sylejman, a je këtu? Ju pelikanët, a jeni këndej?” Sylejmani është ministri i Brendshëm Sylejman Sojlu (Süleyman Soylu), për të cilin në qarqet politike dhe mediale turke thuhet se mund të jetë pasardhës i Erdoanit, pasi ideja që si pasardhës të etablohet dhëndri i Erdoanit, Berat Albajrak, dështoi. Në nëntor të vitit të kaluar ai dha dorëheqje nga posti i ministrit të Financave, me gjasë për shkak të mospajtimeve me Erdoanin mbi qasjen ndaj krizës ekonomike.

Që nga fillimi i majit Peker ka postuar në Youtube shtatë video, të cilat përmbajnë akuza të rënda kundër vartësve e njerëzve më besnikë të Erdoanit. Në njërën nga videot, të cilat ndërkohë janë shikuar nga 70 milionë shikues interneti, Peker ia prezanton diagnozën Sylës, pra Sylejmanit, ministrit të Brendshëm: me “një tru të madh sa një lajthi” ai dëshiruaka të bëhet president. Kjo, sipas mafiozit, nuk shkon. Raporti mes Sedat Peker dhe Süleyman Soylu mund të përshkruhet ndoshta më së miri kështu: një ngatërresë gjak- dhe hakmarrëse. Peker thotë se para 30 vitesh i ka ndihmuar Süleyman Soylu të hyjë në politikë. Por Syla, thotë Peker, më tradhtoi në çastin vendimtar. Peker i drejtohet Süleyman Soylu me “bukurosh”, i cili duke i shantazhuar u ka marrë miliona disa biznesmenëve dhe ka përgjuar zëdhënësin e Edoanit, Ibrahim Kalin.

Në një shtet demokratik e funksional qytetaret dhe qytetarët nuk do t’i besonin një mafiozi. Policia turke është duke e hetuar mafiozin Sedat Peker. Por meqë Turqia nën Erdoanin është larguar shumë nga demokracia, 75 për qind e turqve dhe turkeve më me qejf i besojnë një mafiozi. 75 për qind – kështu ka njoftuar instituti i anketimeve Avrasya Arastirma.

Peker nuk e ka akuzuar ende direkt Erdoanin. Me të dëshiron të flasë si “vëllai me vëlla”. Në Turqi momentalisht nuk ka temë tjetër më dominuese se beteja e Sedat Peker kundër pushtetit të Erdoanit. Peker është “produkt” i “shtetit të thellë” turk, një aleance mes ushtarakëve, politikanëve, mafiozëve, biznesmenëve. Në vitet 90-të kjo aleancë akuzohet se ka sunduar faktikisht shtetin. Kur Erdoan erdhi në pushtet më 2003 premtoi se do të zhdukë “shtetin e thellë”. Por pas tentimit për puç më 2016, Erdoan po kërkon afërsi me strukturat ultranacionaliste, të cilat tradicionalisht janë të afërta me qarqet ekstremiste dhe mafioze. Erdoan qeveris bashkë me partinë ekstremiste MHP.

Afërsia jokritike e qeverive të Kosovës me pushtetin e Erdoanit ka pasur efekte negative. Shumë resurse ekonomike të Kosovës i janë dorëzuar firmave turke të afërta me Erdoanin – dhe i janë dorëzuar në tabak të argjendit. Për t’ia bërë qejfin Erdoanit kapësit e shtetit të Kosovës kidnapuan dhe ia dorëzuan shërbimit sekret turk disa “gylenistë”, të cilët u dënuan me burg shumëvjeçar në Turqi, në një proces jostransparent. Kosova dhe sidomos Prizreni vazhdon të jetë një arenë e lloj-lloj “politikani” e “biznesmeni” turk.

Edhe Sedat Peker u vërtit nëpër Kosovë. Në janar doli ky njoftim nga autoritetet e Prishtinës: “Ministria e Punëve të Brendshme ju njofton se pas raportimeve në disa media, rreth arrestimit të qytetarit turk, Sedat Peker nga autoritet e Maqedonisë Veriore dhe deportimit të tij në Republikën e Kosovës, se shtetasi turk nuk është shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme mund të konfirmoj se personi në fjalë nuk posedon pasaportë kosovare, siç është raportuar, por i njëjti posedon vetëm leje qëndrimi të përkohshëm, në emër të një biznesi të regjistruar në Prizren, nga viti 2014 dhe të vlefshëm deri më 29/12/2021”. Nuk precizohej çfarë biznesi paskësh Sedat Peker në Prizren. Por ndoshta kthehet ai vetë e i tregon opinionit, sepse leje qëndrimi në Kosovës, sipas MPB-së, ka deri në fund të dhjetorit të këtij viti.

Një pyetje e shumëdiskutuar në Turqi është kjo: kush qëndron pas Sedat Pekerit? Nga rrethi i Erdoanit thuhet se pas “budallallëqeve” të Pekerit qëndrojnë “armiqtë e Turqisë”. Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” shtron pyetjen nëse Peker është duke u dirigjuar nga shërbimet e huaja sekrete? Të interesuar për ta dëmtuar Erdoanin ka shumë. Izraeli – për shkak se Erdoani përkrah Hamasin. Egjipti – për shkak se Erdoan përkrah Vëllazërinë Myslimane. Nuk duhet harruar këtu edhe SHBA-të, të cilat janë të mllefosura për shkak të afërsisë së Erdoanit me Rusinë.