Tani ne mund t’i ikim më në fund debatit steril që e vendos rritjen ekonomike karshi administrimit ekologjik. Të dy duhet të shkojnë njëri përkrah tjetrit. Teknologjitë e pastra, efikase dhe fitimprurëse sot janë të disponueshme dhe sa më parë që i zbatojmë, aq më të disponueshme do të jenë nesër
Bota jonë është skajshmërish joefikase. Ne hedhim sasi enorme të energjisë, ujit, lëndës së parë dhe ushqimit. Ne madje i ‘hedhim hedhjet tona’ dhe burimet e çmuara që ato i përmbajnë.
Këtë e bëjmë jo domosdoshmërisht ngase na mungon vetëdija ekologjike, por më shumë për shkak se shoqëria në të cilën jetojmë është e ndërtuar mbi mitin e burimeve të pafundme.
Mbështetja e kësaj situate me bollëkun e rremë është moralisht e papranueshme, kur një hiseje të madhe të popullatës botërore i mungojnë ato që një pjesë e vogël vazhdimisht i hedhin. Krejt kjo ngërthen gjithashtu një kosto të konsiderueshme financiare, tani që ekzistojnë teknologjitë për t’u dhënë fund këtyre hedhjeve.
Derisa disa janë duke e shqyrtuar zbritjen ekonomike si një opsion për përmbushjen e caqeve globale klimatike dhe synimeve të tjera mjedisore, ekziston një arsye shumë më e fuqishme për t’i adoptuar teknologjitë që na lejojnë të bëhemi më efikas. Kjo e nënkupton zëvendësimin e infrastrukturës së moçme ndotëse me sisteme më të pastra moderne.
Lajm i mirë është se përfitimet rezultuese të efikasitetit peshojnë më rëndë se kostoja financiare e transicionit. Akoma më mirë, nuk do të na duhej ta sakrifikonim rritjen ekonomike në këtë proces.
Gjatë katër vjetëve të fundit, Fondacioni Solar Impulse ka zgjedhur dhe etiketuar më shumë se 1.000 produkte, shërbime dhe procese që mund ta rrisin konsiderueshëm efikasitetin në rrafshin e mobilitetit, ndërtimit, bujqësisë, industrisë, energjisë dhe ujit.
Efikasiteti është aftësia për të arritur më së shumti me më së paku. Efikasiteti energjetik, për shembull, nënkupton maksimizimin e shërbimit nëpërmjet minimizimit të konsumit.
Kërkimi për efikasitet ka pasur prej kohësh një reputacion të keq shkaku i të ashtuquajturit efekt i kërcimit, një fenomen ky i çoroditur nëpërmjet të cilit përmirësimet teknologjike rezultojnë me konsum të rritur burimesh.
Ekonomisti britanik William Stanley Jevons e kishte përshkruar atë për herë të parë më 1865. Shfaqja e motorëve më efikas me avull, ka vrojtuar ai, ka çuar në përdorimin më të madh të thëngjillit. Por, Jevonsi po i vrojtonte kushtet në një treg krejtësisht të lirë.
Sot, rregullimet ekologjike dhe shtysat për reduktimin e konsumit, si taksat e karbonit, ndihmojnë në ruajtjen e përfitimeve mjedisore të efikasitetit. Për më tepër, efektet e kërcimit funksionojnë në dy mënyra: vetëdija e rritur aktuale për mjedisin mund të prodhojë një efekt pozitiv, me anë të së cilës një amvisëri i shpenzon përfitimet ekonomike prej kostove më të ulëta energjetike të një diete më të shëndetshme apo blerjes së një veture elektrike.
Në cilindo rast, efikasiteti duhet të jetë pjesë e përgjigjes sonë të përgjithshme karshi sfidës klimatike. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka llogaritur se teknologjitë e së sotmes mund ta reduktojnë konsumin tonë të energjisë për rreth 3.000 teravat orë, apo më shumë se 10 për qind të totalit në disa rajone dhe 5 për qind në gjithë botën. Deri më 2040, ky potencial i përmirësimit pothuajse do të dyfishohet në afërsisht një të katërtën e konsumit total.
Kjo për shkak se sistemet e menaxhimit të energjisë viteve të fundit kanë qenë në gjendje t’i kufizojnë humbjet në gjenerim dhe shpërndarje, si dhe t’i mbështesin hiset në rritje të ndryshores dhe shpërndarjes së burimeve të ripërtëritshme, duke e rritur fleksibilitetin në rrjet. Janë bërë njëherësh më të mençura nëpërmjet integrimit të të dhënave për burimet e jashtme, siç janë kushtet atmosferike dhe modelet e trafikut. Me anë të përdorimit të inteligjencës artificiale, këto sisteme të avancuara mund ta parashikojnë kërkesën për energji më me saktësi dhe t’i përmirësojnë kapacitetet e reagimit.
Politikat publike për rritjen e efikasitetit do ta përmirësonin po ashtu qasjen në energji elektrike për 13 për qind të popullatës botërore që ende nuk është e furnizuar me të. Teksa standardi global i jetesës po rritet, ne duhet të sigurojmë që kërkesa e re e konsumit – përfshirë për energji, mallra dhe mobilitet – të përmbushet me pajisje efikase. Në këtë mënyrë mund të arrijmë prosperitet më të madh me anë të përmbushjes së zotimeve tona mjedisore.
Teknologjitë që e rrisin efikasitetin nuk janë të kufizuara vetëm në sektorin energjetik. Ne jemi duke hedhur po ashtu sasi të mëdha të ujit në një kohë kur mungesa e tij është duke i goditur me qindra-miliona njerëz – duke i ushqyer kryesisht konfliktet, zhvendosjet dhe telashet e tjera në jetë dhe jetesë. Por, teknologjitë e së sotmes na mundësojnë, për shembull, që të alokojmë sasi minimale të ujit të nevojshëm për rritjen e redimenteve bujqësore.
Përgjegjësi e politikëbërësve sot është që të caktojnë standarde më të larta të efikasitetit në çdo sektor. Kësisoj do të rritej kërkesa për teknologji të pastra dhe efikase, si dhe do të trimëroheshin kompanitë inovative për t’i futur ato në treg. Rregullimet e këtilla do të ishin vështirë të pranueshme po qe se do t’i penalizonin qytetarët dhe do ta minonin rritjen ekonomike. Por, teknologjitë e reja të gjelbra e bëjnë fiks të kundërtën: i rrisin fitimet e korporatave dhe gjenerojnë vende të reja pune.
Si rezultat i kësaj, tani ne mund t’i ikim më në fund debatit steril që e vendos rritjen ekonomike karshi administrimit ekologjik. Të dy duhet të shkojnë njëri përkrah tjetrit. Teknologjitë e pastra, efikase dhe fitimprurëse sot janë të disponueshme dhe sa më parë që i zbatojmë, aq më të disponueshme do të jenë nesër.
(Bertrand Piccard është themelues dhe shef i Fondacionit Solar Impulse. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).