OpEd

Evropiania nuk banon në Ballkan

Dita e Evropës lidhet me 71-vjetorin e fjalimit të Schumanit për një “Evropë të re”. Askush, më mirë se ai nuk mund të lidhte simbolikën personale me atë të kontinentit të vjetër. Inaugurimi i filozofisë së re evropiane, “të bashkuar në dallime”, mbante edhe vulën e tij të shumëfishtë identitare. I lindur në Luksemburg, nga baba gjerman (i prindërve francezë) dhe nga nëna shtetase e Luksemburgut, ai më vonë do të merrte shtetësinë franceze, duke arritur në postin e ministrit të Punëve të Jashtme.

Rrëfimi individual i Schumanit portretizon storjen kolektive evropiane midis dy luftërave botërore. Sidomos rajonin e Alsace-Lorrainit, ku shkaku i ndërrimit të juridiksioneve shtetërore, gjenerata të tëra shkonin në gjumë si shtetas francezë, e zgjoheshin si shtetas gjermanë dhe anasjelltas.

Vizioni i tij largpamës për ”Idenë Evropiane: pajtim dhe integrim”, paqësoi armiqësitë shekullore francezo-gjermane dhe solli paqen më të gjatë në Evropë. Për nga urrejtjet ndëretnike, Ballkani nuk dallonte shumë nga Evropa. Por, kjo e fundit arriti t’i tejkalojë ato, duke i sakrifikuar kufijtë për paqen. Ballkani, ndërkaq, nuk mësoi nga pësimet, vazhdoi ta sakrifikonte paqen për kufijtë.

Madje edhe sot: me harta të reja, të autorëve të vjetër, e me rivizatim kufijsh në letrat “anonime”. Me një Serbi, që kufirin e vendos “atje ku është një varr serb”; e me pushtimet e gjeneralëve të ushtrisë së vdekur. Me territor të zgjeruar, në dëm të tokave të fqinjëve; nga Pashallëku i Beogradit, në hegjemoninë e Ballkanit.

Pajtimi evropian u bë pas kërkimfaljes nga Gjermania për gjenocidin e kryer nga shtetarët dhe gjeneralët e saj. Pajtimi ballkanik nuk mund të arrihet pa kërkimfaljen për gjenocidin e kryer nga shteti dhe ushtria serbe. Sepse, Serbia, fatkeqësisht nuk ka një Adenauer e as një Brandt.

Prandaj, ideja evropiane nuk banon në Ballkan.