OpEd

Retorika ndezëse vazhdon edhe pas zgjedhjeve në Shqipëri

Helmi ka depërtuar aq thellë në skenën politike shqiptare, saqë kthimi në normalitet do të mbetet vetëm ëndërr.

Edi Rama u përpoq të mbajë një fjalim disi pajtimtar pas sigurimit të mandatit të tretë për të drejtuar Shqipërinë. Por helmi ka depërtuar aq thellë në skenën politike shqiptare, saqë kthimi në normalitet do të mbetet vetëm ëndërr. Mjafton të lexohen mesazhet toksike edhe pas zgjedhjeve. Taulant Balla, socialisti karikatural, i cili para disa muajsh bënte zhurmë primitive duke u përpjekur ta njollosë Lulzim Bashën për “burgjet e UÇK-së” në veri të Shqipërisë, të cilat, sipas Ballës nuk kanë ekzistuar, e sipas gjykatës në Kosovë kanë ekzistuar, pra Taulant Balla, në euforinë e fitores, i drejtohet Ilir Metës me “Baba Dridhe Lika”, të cilit i uron të pi raki me çifteli në Gjirin e Lalzit. Meta me gjuhë aspak presidenciale i drejtohet Ballës me “vdekje tradhtarëve”. Lulzim Basha bëhet sikur nuk ndodhi asgjë dhe vazhdon traditën e keqe të politikanëve shqiptarë që s’japin dorëheqje edhe nuk marrin përgjegjësi për gabimet e tyre.

Në këtë film horrori nuk mungon as Sali Berisha, i cili mendon se të dielën në Shqipëri “fitoi droga”. Postimin e ilustron me dy foto të montuara të Edi Ramës. Lista e sharjeve vulgare me nënë nëpër studio televizive është tepër e gjatë. Shajnë politikanë, kacafyten “gazetarë” mercenarë dhe poterexhi të paguar. Mund të merret me mend si flasin këta politikanë e “gazetarë” kur nuk ka kamera.

Kryetari i Tiranës, dikur një aktivist premtues për një kulturë të re politike në Shqipëri, s’përton të gëlojë mendime kafehanesh të pista ballkanike. Duket se është akomoduar mirë në ambientin politik socialist. Sipas tij mashtrues janë vetëm të tjerët, ndërsa PS një çerdhe engjëjsh. Kjo gjuhë kriminale politike e pothuaj çdo politikani nuk mbetet pa pasoja. Dhe pasojat u panë: në asnjë vend të Europës së sotme nuk vriten njerëz në fushatë elektorale pos në Shqipëri. Dhe në Bjellorusi e vende të kësollojshme.

Kjo gjuhë e ka mbytur çdo besim në shtet. Mund të dalin në sipërfaqe skena kur kurdisen tenderë mes politikanëve dhe asgjë nuk ndodh. Mund të ndodhin shpërthime që marrin jetën e dhjetëra njerëzve dhe asgjë nuk ndodh. Ministra të ngarkuar me mbrojtje të rendit mund të mbrojnë baronët e drogës dhe shpëtojnë gati pa therë në këmbë. Mund të shkojnë për darka në Dubai “elitarët” me shpirt të rrejshëm socialist dhe asgjë nuk ndodh: sepse askush nuk kërkon llogari prej tyre. Mund të vriten njerëz në demonstrata dhe asgjë nuk ndodh.

Mund të marrë rreth 32 mijë vota një politikan që SHBA-të e kanë futur në listë të zezë që më 2015 dhe Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë thirrje të mos kandidojë. Pastaj shumë shqiptarë ankohen se shkelësit e ligjit po e bëjnë politikën. Po, pra, po e bëjnë me votat tuaja. Në botën e bagëtive vlen kjo maksimë: vetëm lopët më budallaqe i zgjedhin vetë kasapët e tyre. Pse së paku bota njerëzore s’nxjerr mësim nga këto përvoja nga bota e bagëtive?

Për aq kohë sa shoqëria shqiptare s’gjen forcë të prodhojë një alternativë të re politike, serioze, të pastër, Shqipëria do të mbesë peng i dy “partive të mëdha” dhe bishtave të tyre që i prodhon sistemi korruptiv. Blerja e votave, keqpërdorimi i të dhënave të qytetarëve nga pushteti, ndryshimet arbitrare kushtetuese, tallja me qytetarë dhe rivalë politikë, vrasjet për motive politike, mobilizimi i bandave nga të gjitha partitë, janë shenja të qarta që agonia do të vazhdojë.

Dhe shqiptarët do të ankohen ose largohen nga vendi. Ata që mbesin, do rezignojnë, krahas atyre që fitoren e kremtojnë për tarafin e tyre politik. Sepse, po, pushteti sjell edhe favore. E favoret e paligjshme janë baza e kapjes së shtetit. Por ekziston një adresë për t'u ankuar: voto politikanë të listave të zeza paradite dhe pasdite shko ankohu te Ambasada amerikane. Vend çudirash! Vend me opozitë me kredibilitet të ulët dhe me pushtetarë të dehur nga fitorja, e cila nuk e ka bazën në një garë të barabartë. Kjo “elitë” nuk e shëron Shqipërinë. Kjo do të vazhdojë të prodhojë helm. Dhe ky helm nuk hiqet me një fjalim siç tentoi Edi Rama.