OpEd

Koha e non-paperëve

KOHA bëri shumë mirë që botoi “non paperin”, ku supozohej për “nismën gjermano-franceze”, duke u distancuar nga verifikimi i autorësisë së dokumentit të tillë. Sepse, opinioni duhet të dijë sa më shumë edhe për idetë “joformale” që qarkullojnë, e ku në fokus, ato ide kanë fatin e vendit të tyre. Edhe Franca, Gjermania dhe BE-ja bënë mirë që reaguan dhe demantuan se ata janë autorë apo se qëndrojnë para këtij “non-paperi” të supozuar. Do të ishte mirë sikur të deklarohen edhe rreth ideve që paraqiten aty

Kohëve të fundit, politika e jashtme e BE-së është aq e hutuar, sa që 27 vendet anëtare vështirë se mund të merren vesh për ndonjë formulim të saktë, domethënës, të kuptueshëm për ndonjë çështje të rëndësishme. Kjo, për shkak se për secilin formulim duhet të kenë pajtimin e të gjitha shteteve anëtare. Nuk ka shembull më të mirë sesa Kosova dhe statusi i saj për të ilustruar se sa e brishtë, shpesh edhe bizare, duket politika e përbashkët e jashtme e BE-së.

Edhe gati 15 vjet pas propozimit të Marti Ahtissarit për statusin e Kosovës, BE-ja nuk ka qëndrim për atë dokument.

Edhe 13 vjet pas pavarësisë së Kosovës, BE-ja nuk ka qëndrim për statusin e Kosovës.

Së paku zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë qartë se “për BE-në Kosova nuk është shtet”. Por këto ditë në BE e ka të vështirë të ketë qëndrim unik edhe për ide të ndryshme. Në parim ato i kundërshton, por vetëm kur pyeten nga gazetarët.

Kjo, në kohën kur nuk ka asgjë “zyrtare” apo “formale” të qartë nga BE-ja. Pos frazave të vjetruara dhe bajate për “rrugëtim evropian” apo “marrëveshje gjithëpërfshirëse-ligjërisht obliguese” mediat dhe opinion duhet të merren edhe me non-paperë. Natyra e tyre është se mund të hidhen në publik për të testuar terrenin, me ide që nuk janë formale, dhe mund edhe të mohohen apo pohohen pastaj.

Nuk është hera e parë, as e fundit, që KOHA ka botuar dhe ka shkruar për dokumente të tilla. Sepse ato po ashtu ilustrojnë edhe situatën reale në të cilën ndodhet ndonjë proces. Kështu botoi edhe një “non-paper”, në të cilin flitej për një “nismë të përbashkët të Gjermanisë dhe Francës”.

KOHA bëri shumë mirë që botoi “non paperin”, ku supozohej për “nismën gjermano-franceze”, duke u distancuar nga verifikimi i autorësisë së dokumentit të tillë. Sepse, opinioni duhet të dijë sa më shumë edhe për idetë “joformale” që qarkullojnë për fatin e vendit të tyre. Edhe Franca, Gjermania dhe BE-ja bën mirë që reaguan dhe demantuan se ata janë autorë apo qëndrojnë para këtij “non-paperi” të supozuar. Do të ishte mirë sikur të deklarohen edhe rreth ideve që paraqiten aty.

Idetë që përmenden në atë “non-paper” janë pak a shumë ato ide për të cilat flitet tash e disa muaj në qarqet e BE-së. Edhe idetë për një status eksterritorial të Kishës ortodokse serbe, edhe idetë për t’i dhënë veriut një status special, tash në formën e një “zone autonome”, edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk dihet autori, por dokumenti duket shumë serioz. Gjuha e përdorur në dokument është kryesisht gjuhë në përputhje me frazat që përdorin zyrtarët e BE-së në Bruksel. Në dokument përmenden referenca të sakta në rezoluta të OKB-së, udhëzimet e Grupit të kontaktit, numri i fshatrave në disa komuna etj. Pra duket qartë se nuk është diçka që dikush ka pasur në mendje dhe thjesht e ka hedhur në letër dhe a ka ngjitur emrin “non-paper”.

Kur thonë ambasadorët, diplomatët apo zyrtarët e BE-së se ndonjë “non paper” nuk është i tyre, apo edhe se “nuk ekziston” kjo nuk do të thotë se idetë nuk ekzistojnë. Askush nuk e ka parë asnjëherë ndonjë plan për shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë. Por shumë njerëz e dinë se ato plane kanë ekzistuar dhe kanë qenë, madje afër edhe për t’u realizuar. Mirë ishte se Gjermania fuqishëm doli kundër ideve të tilla.

Në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë (apo siç e quajnë në Bruksel mes Beogradit e Prishtinës) kanë ndodhur për dhjetë vjet shumë gjëra. Por shumë prej tyre nuk kanë qenë në letër e as që janë konfirmuar. Ndoshta përmendja e tepërt e “Beogradit e Prishtinës” e jo “Serbisë e Kosovës” apo e “dy palëve” e jo “dy shteteve”, lë përshtypjen se më shumë është përdorur gjuha e Brukselit sesa e Gjermanisë dhe Francës. Sepse Gjermania dhe Franca e kanë njohur Kosovën e BE-ja jo. Mosnjohja sidomos ka ardhur në shprehje prej kur njerëzit kryesorë që merren me Kosovën dhe dialogun janë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ditët, javët dhe muajt në vijim do të tregojnë se a janë apo jo në tavolinë idetë e përmendura në këtë “non-paper”. Jo shumica, por që të gjithë diplomatët evropianë që i kemi kontaktuar privatisht kanë thënë se “pak a shumë ato janë idetë për të avancuar dialogun drejt zgjidhjes përfundimtare, me kompromis”.

Pra, do të ishte e mirëseardhur sikur Gjermania e Franca të mohojnë se kërkohet status edhe më i veçantë për Kishën ortodokse serbe, se propozohet “Zonë autonome” për veriun. Kjo do të lehtësonte shumë zyrtarët e Kosovës dhe nuk do të krijonte një kurth të re në dialog kur nga Kosova do të kërkohet shumë e nga Serbia pak.

Mediat nuk mund të presin që diçka të bëhet zyrtare, të konfirmohet, e pastaj të botohet. Në atë mënyrë nuk do ta kryenin profesionalisht misionin e tyre.