OpEd

Në Shqipëri nuk do të ketë ndryshime as pas zgjedhjeve

Pa marrë parasysh se a do të jenë Rama me PS-në apo PD e LSI nga opozita ato që do të kenë mbi 70 mandate, në Shqipëri nuk do të ketë ndryshime. Sepse të tri partitë janë të udhëhequra nga të njëjtët njerëz sikur edhe para dhjetë vjetësh. Por edhe në këto zgjedhje u dëshmua një paradoks shqiptar: shteti me 2.8 milionë banorë (përfshirë një numër të madh nën 18 vjeç që nuk votojnë) ka më shumë se 3.6 milionë votues. Berisha, Rama, Meta, Basha janë ndër fajtorët kryesorë pse aq shumë qytetarë të Shqipërisë janë larguar nga shteti. Kjo nuk është meritë e liberalizimit të vizave, por pasojë e mungesës së besimit se në vendin e tyre njerëzit nuk kanë perspektivë

Zgjedhjet në Shqipëri të dielën e 25 prillit ishin të qeta, ndoshta edhe më të qetat prej kur zhvillohen zgjedhjet demokratike me sistem pluralist. Edhe reagimet e para të liderëve pjesëmarrës në to ishin të matura. Por para Shqipërisë është një periudhë mjaft sfiduese politike në pritje të konfirmimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe përkthimit të votave në vende në Kuvend. Jo vetëm numërimi i votave, por edhe procesi pas shpalljes së rezultateve do të mund të krijojnë tensione politike, sepse Shqipëria deri sot nuk ka krijuar një kulturë politike ku humbja e zgjedhjeve pranohet menjëherë dhe rezultati nuk kontestohet. Aq më tepër nuk do të jetë lehtë të pranohet humbja në rrethanat në të cilat dallimi është aq i vogël, saqë një vend në Kuvend mund të vendosë se kush do ta udhëheqë Qeverinë për katër vjetët e ardhshëm.

Shqipëria dëshmoi se pak a shumë ka një sistem praktikisht më shumë dypartiak, ngjashëm sikur Britania e Madhe, sesa shumëpartiak. Dy partitë kryesore, PD dhe PS, morën diku rreth 90 për qind të votave. Dhe kur dallimi mund të jetë i vogël, prapë LSI-ja mund të bëhet parti e cila do të vendosë se kush do ta krijojë qeverinë. Nuk është e garantuar se LSI-ja do të shkojë me PD-në për ta rrëzuar PS-në nga pushteti. Nuk do të ketë asnjë problem, as për Ramën e as për Metën, apo Kryemadhin prapë të bëhen bashkë. PS-ja e mori LSI-në në Qeveri pas akuzave më të rënda që ia bënë Metës me atë videokasetën e famshme. Pastaj PS-ja u arsyetua se “këtë e kërkonin socialistët evropianë për ta bashkuar të majtën”. Por LSI-ja më parë ishte edhe me PD-në. Edhe tash LSI-ja dhe PS-ja mund të thirren në “bashkimin e së majtës” nëse bëjnë pazare dhe krijojnë shumicën për të qeverisur së bashku. Por LSI-ja nuk e ka problem të shkojë as me PD-në. LSI-ja ka dëshmuar se nuk ka ndonjë problem ideologjik për të vendosur se me kë do të shkojë në Qeveri.

Dallimi që shihet në Shqipëri kësaj radhe, edhe pse qytetarët janë të ndarë pothuajse në dysh në mbështetje të partive politike, është se nuk ka më pasion dhe tensione që janë parë në të kaluarën. Dhe kjo mund të jetë një shenjë se së paku shoqëria shqiptare po e tejkalon periudhën e gjatë konfliktuoze. Ndoshta e kanë parë se me ndryshimin e qeverive në Shqipëri nuk ka ndryshuar shumë forma e qeverisjes.

As PS-ja e as PD-ja nuk kanë pësuar aq shumë nga reformat e brendshme. Lulzim Basha nuk kishte arritur të largohej shumë nga paraardhësi i tij, Sali Berisha. Rama udhëhoqi PS-në me pushtet të plotë pa krijuar një spektër më të gjerë të figurave të forta politike. Edhe fushatën Rama e bëri shumë të personalizuar. Ai ishte gjithkund, në aeroport, duke pritur vaksinat që ai pretendoi se vetë i siguroi, deri tek fshatrat dhe qytetet ku bëhej vaksinimi. Vetë fliste me qytetarët nëpër sheshe dhe i vetëm përballej nëpër debate televizive me gazetarë e analistë, kryesisht me një stil mjaft arrogant dhe paternalist. Prandaj edhe suksesin, e edhe dështimin e PS-së, Rama duhet t’ia bartë vetes. Nëse do të kërkohen gabimet e Ramës, në radhë të parë do të duhej të dilte tentimi për të relativizuar problemet, sidomos numrin e madh të njerëzve që janë larguar nga shteti.

Pa marrë parasysh se a do të jenë Rama me PS-në apo PD e LSI nga opozita ato që do të kenë mbi 70 mandate, në Shqipëri nuk do të ketë ndryshime. Sepse të tri partitë janë të udhëhequra nga të njëjtët njerëz sikur edhe para dhjetë vjetësh. Por edhe në këto zgjedhje u dëshmua një paradoks shqiptar: shteti me 2.8 milionë banorë (përfshirë një numër të madh nën 18 vjeç që nuk votojnë) ka më shumë se 3.6 milionë votues. Berisha, Rama, Meta, Basha janë ndër fajtorët kryesorë pse aq shumë qytetarë të Shqipërisë janë larguar nga shteti. Kjo nuk është meritë e liberalizimit të vizave, por pasojë e mungesës së besimit se në vendin e tyre njerëzit nuk kanë perspektivë. E po ata do të jenë në krye të Qeverisë apo opozitës edhe në katër vjetët e ardhshëm. Pra, Shqipëria nuk krijoi një strukturë të re politikanësh apo elite politike, e cila do të sillte ndryshime të mëdha në vend.

Edhe në Bruksel janë të interesuar për zgjedhjet në Shqipëri. Por jo aq sa mendohet. Pak a shumë partitë politike mbështesin anëtarët e tyre. Dhe Socialistët Evropianë mbështesin PS-në, ndërsa Partia Popullore Evropiane (EPP) PD-në. Mbështetja në linjën ideologjike më nuk shihet si ndërhyrje në punët e një shteti tjetër. Por edhe nga Brukseli si lajm “interesant” e panë votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet e Shqipërisë. Nuk ndodh shpesh që një kryeministër i një shteti të votojë në një shtet tjetër. Por në parim nuk ka ndonjë problem këtu, pasi Kurti, sikur edhe shumë politikanë apo figura të njohura nga Kosova, ka edhe shtetësi të Republikës së Shqipërisë. Problemi politik megjithatë ekziston. Ndoshta Kurti ka dashur edhe në këtë mënyrë të dërgojë mesazhin se ai nuk heq dorë nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Arsyen do ta dijë më mirë Kurti, por ajo që dihet është se Shqipëria u dha shumë njerëzve nga Kosova pasaporta, më shumë për të udhëtuar sesa për të votuar. Shqiptarët në Kosovë nuk mund të shihen si diasporë e Shqipërisë, sepse kështu do të donte Beogradi t’i shihte.

Angazhimi i Vetëvendosjes në Shqipëri megjithatë dha një përgjigje për të cilën duhet të mendojë edhe Albin Kurti. Vetëvendosje në Shqipëri nuk ekziston si ndonjë faktor relevant politik. Nëse nuk ndodh ndonjë befasi gjatë numërimit, kandidatët e VV-së nuk kanë gjasa të fitojnë ndonjë vend në Kuvend. E në Kosovë, VV-ja mori mbi 50 për qind të votave dhe mbi 60 për qind të votave të shqiptarëve të Kosovës. Dhe atë në një vend ku ka së paku pesë parti serioze, pa numëruar pakicat, e jo vetëm dy a tri si në Shqipëri. Siç kishte shkruar para disa vjetësh kolegu Enver Robelli “Vetëvendosja duhet ta dijë se me një autobus njerëzish nga Shqipëria nuk e bën bashkimin kombëtar”.

VV-ja në Kosovë nuk fitoi aq shumë për shkak se angazhohej më herët për bashkim me Shqipërinë, por për shkak se premtoi luftë kundër korrupsionit, nepotizmit dhe pse donte largimin e një strukture politike, e cila e udhëhoqi vendin për 20 vjet me shumë pak suksese. Por askush nuk mund t’ia mohojë dikujt tjetër nga Kosova të merret me zhvillimet politike në Shqipëri dhe anasjelltas. Edhe vetë Edi Rama mori dy të rinj nga Kosova dhe i bëri ministra në Qeverinë e tij në Shqipëri.

Ajo që Kosova mund t’i japë Shqipërisë është shembulli se sa shpejt numërohen votat, bëhen publike dhe sesi ato pranohen edhe nga humbësit pa marrë parasysh se sa e dhimbshme mund të jetë ajo humbje. Do të ishte një shenjë e ndryshimit nëse shumë shpejt edhe në Shqipëri dalin rezultatet dhe të gjithë, pa hezitim, i pranojnë ato.