Vështrime

Duhet të ndryshojë qasja e jo formati i dialogut në Bruksel

Në vend të presionit ndaj Kosovës që të vazhdojë të dyshojë në shtetësinë e vetvetes, dhe të kërcënimeve se dështimi i dialogut do ta lërë veriun jashtë kontrollit të Kosovës, BE-ja duhet të insistojë që dialogu vërtet të jetë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sot, edhe pse flitet për suksese historike në këtë dialog, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më jonormale sesa ishin para nisjes së dialogut. Edhe Kosova, edhe BE-ja, edhe Serbia duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj dialogut, e jo formatin e tij. Për ata që në të ardhmen do ta kenë pushtetin në Kosovë do të mbetet një detyrë e hidhur që të zbatojnë obligimet që i kanë marrë ata të cilët para tyre ishin në pushtet

Pjesëmarrësit në dialog duan që ta shohin atë dhe rezultatet që ka sjellë vetëm në aspektin pozitiv. BE-ja thotë se ka arritur një sukses historik, sepse përmes dialogut janë zgjidhur “shumë çështje praktike për qytetarët”. Përfaqësuesit e Kosovës në dialog thonë se përmes tij Kosova arriti të ketë Marrëveshje Stabilizim-Asocimi me BE-në dhe i është afruar liberalizimit të vizave, ndërkohë që Kosova ka shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj. Beogradi thotë se përmes dialogut ka arritur të mbrojë interesat e shtetit në territorin e “Krahinës së Kosovës dhe Metohisë”, ndërkaq ka arritur përparim të madh edhe në procesin e integrimeve në BE. Dhe nëse shikohet kështu, atëherë askush nuk do të duhej ta kritikonte këtë dialog e as të shprehet kundër tij.