Vështrime

Shanse për ndryshime në Kosovë dhe për reflektimin e madh të humbësve

Në vend që të tentojnë të formojnë “pakicën bllokuese” në Kuvendin e Kosovës, për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje, humbësit duhet të reflektojnë dhe ta shohin veten në pasqyrë. Nëse vazhdojnë me zbulimin e “antiamerikanëve”, me lamentimet për “rrezikun nga komunizmi” dhe me nënçmimin e popullit duke thënë se “kanë rënë pre e manipulimeve të Vetëvendosjes”, mund t’i bëjnë dëm Kosovës por nuk do t’i bëjnë mirë vetes. E panë në këto zgjedhje se gjeneratat kanë ndryshuar dhe me këtë ndryshim duhet të pajtohen. Më së shumti populli i ka dhënë mësim LDK-së. Kjo parti më nuk mund të fitojë duke u thirrur në dr. Ibrahim Rugovën, kur pohimet më të shpeshta të përfaqësuesve të saj ishin “jemi lodhur”, “na keni lodhur” dhe “mos na lodhni”

Kosova është sui generis për shumë gjëra. Dhe mund të bëhet një prej shembujve të vetëm në botën demokratike ku fituesi, i cili ka marrë më shumë vota se të gjitha partitë e tjera së bashku, të mos jetë në gjendje ta ushtrojë pushtetin. Kjo, për shkak se në Kosovë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, pos nevojës së krijimit të shumicës qeverisëse, ekziston edhe mundësia e krijimit të asaj që njihet si “pakica bllokuese”. Krijimi i një të tille është edhe më i mundshëm pasi 20 prej 120 vendeve në Kuvend janë të rezervuara për deputetët nga radhët e komuniteteve joshumicë. Dhe 10 prej tyre për komunitetin serb. Në kushte normale, në vende normale, me politikanë që kanë sadopak përgjegjësi, deputetët e pakicës shkojnë me këdo që krijon koalicionin shumicë. Por në vendet ku bëhen pazaret politike, dhe jo vetëm politike, gjithçka është e mundur.