Vështrime

Masakrimi i votës së mërgatës

Pastaj i dëgjon çjerrjet e tyre se si Albin Kurti po dëshiron qeverisje absolute. Po atë gjë po ia mundësoni pikërisht ju me sjelljet e juaja gjatë këtyre 22 vjetëve që nga përfundimi i luftës. Për shumë votues, Albin Kurti dhe Vetëvendosja do të jenë "e keqja e nevojshme", sepse partitë e tjera ua kanë sjellë shpirtin te hundët dhe votuesit e shohin se s’ka çfarë të humbet sikur rasti t’i jepet Vetëvendosjes dhe partitë e tjera të ndëshkohen me votë

Zyrtarisht dje filloi fushata zgjedhore e partive politike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Në fakt, fushatat filluan që në ditën e parë kur Gjykata Kushtetuese e bëri të ditur pjesërisht vendimin e saj mbi jokushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë Hoti.

Propaganda e cila po bëhet në këto zgjedhje është nga më të egrat deri më tani në Kosovën e pasluftës. Së paku unë po e perceptoj ashtu. Në shtatë studio televizive me frekuenca kombëtare, si dhe me transmetime live në rrjete sociale të debateve të tyre politike me analistë e zhurmues mercenarë politikë, dhunojnë popullin çdo natë të mundshme me futkotizmat e tyre shterpë dhe në shumë raste janë vetë avokatët e dreqit.