Vështrime

Shmangia: si e sëmuri Serbia regjionin?

Narracioni shqiptar ka të ngjarë të pësojë ndryshimin e vet, i pavarur prej bllokimit në Serbi. Ndryshimi do të ndodhë me një konstatim të thjeshtë që dikur kishte ndodhur në pjesë të tjera të Evropës: ende tash, 22 vjet pas luftës, flasim për luftën e jo për shtetin, jo për arsimin, jo për liritë e shëndetin?

1.

Është një pyetje që përmbledh një pjesë të madhe të ankthit të hapësirës publike të Serbisë: pse na bombardoi NATO-ja më 1999? Gjatë këtyre 22 vjetëve i është ikur një përgjigje që mund të ishte, “sepse diçka mund të kemi bërë gabim” dhe janë ndërtuar një sërë rrëfimesh që duan të shpjegojnë një konspiracion të madh gjithandej planetit. Në të janë shqiptarët që me para blenë kongresistë amerikanë, pastaj mashtrues boshnjakë që inskenonin se gjoja vriteshin, gjoja mbeteshin pa gjymtyrë dhe gjoja i mbushnin rrugët e trotuaret e Sarajevës me gjakun e tyre vetëm për t’i fajësuar snajperistët dhe artilerinë liridashëse të Ratko Mladiqit e më pastaj ishin kroatët që nëpërmjet kanaleve të fshehta të Vatikanit, Austrisë e Gjermanisë arritën ta zbatojnë politikën e definuar nga Bismarcku në shekullin XIX, që duke e nënshtruar Serbinë (“Rusinë e vogël”) ta pengojë Rusinë të dalë në dete të ngrohta (Adriatik).