Vështrime

Na pret një vit i ri normal

Na duhet një kthim prapa në normalitet, pas një viti tërësisht jonormal. Pas një viti në të cilin munguan vetëm të binin bretkosat nga qielli

Kaluam një vit të jashtëzakonshëm, të cilin shumë do të donin ta harronin, por nuk do ta kenë lehtë. Po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit XXI, me shumë shenja se jeta mund të kthehet në normalitet. Po hyjmë në një vit kur për dallim nga të mëparshmit do të donin një kthim prapa. Do të donim një normalitet të vjetër. Një normalitet ku do të mund t’i vizitojmë pa brenga familjet dhe shokët, të luajmë futboll, të pimë kafe e birra dhe të hamë nëpër restorante, të shkojmë në stadium për të parë futboll, në kinema, teatër... Të udhëtojmë me avion pa e përjetuar secilin udhëtim si një aventurë me shumë të papritura, me pritje dhe me bërje të analizave. Një normalitet ku do të ketë lojëra olimpike, ku do të luhet kampionati evropian në futboll me stadiumet e mbushura, normalitet ku miliona njerëz do të shkojnë në haxhillëk në Mekë, ku qindra e mijëra njerëz do ta ndjekin meshën e atit të shenjtë në sheshin e Shën Pjetrit në Romë, ku do të festohet Viti i ri Kinez, ku do të mbahet karnavali në Rio de Janeiro dhe ai në Venedik, shtegtimi në Lumin Gang në Indi dhe ku njerëzit do të ngjiten pa maska në Himalaje. Një normalitet i vjetër ku fëmijëve do t’u vinë shokët për ta festuar ditëlindjen, ku dasmat do të bëhen me krushq dhe këngëtarë, ku shtëpia do të jetë më shumë shtëpi e më pak vend pune, ku maskat do t’i bartin vetëm kur t’i ngjyrosim muret. Një normalitet ku konduktorit në autobus do t’ia tregojmë vetëm biletën e jo edhe maskën, ku policia do të kujdeset për t’i ndjekur hajnat e jo ata që nuk mbajnë distancën. Një normalitet në të cilin do të duhet saktë se kur hapet e kur mbyllet viti shkollor.