OpEd

Fundi i një marrëzie të gjatë

Ky ishte një vit i marrë, e marrëzia e tij nuk përfundon këtë 31 dhjetor

Ky vit nuk përfundon më 31 dhjetor, edhe pse pas asaj date do të shënojmë 2021. Datat tashmë për ne që punojmë nga shtëpia kanë humbur substancën, brendinë, kanë mbetur vetëm nurma arabë të lidhur me viza a presje. Nga kjo rrjedhje datash kanë shpëtuar vetëm disa numra, ato të marrjes së rrogës për fatlumët, gjithmonë e më shumë pakicë.

Gjatë kësaj kohe, pamë njerëz të mbetur pa asnjë të ardhur, përveç ndihmave të shteteve. Pamë ku ka shtet e ku ka lojëra shtetesh. Kujtoj se si fëmijë kur luanim shtëpish e merrnim shumë më seriozisht lojën. Pastronim, rregullonim, e thurnim mirë gardhin, vendosnim lule në kopësht, vizëllonim qelqe me ngjyra që i gjenim … pra edhe me copëra materialesh të ricikluara arrinim të krijonim një lojë reale që na bënte të ndiheshim zotërinj e zonja të vërteta shtëpie. Fëmijët janë seriozë, jo vetëm në lojna. Për ta çdo veprim është real, i sinqertë, për shembull fëmijët nuk hanë kurrë më shumë ushqim sesa ua kërkon organizmi. Grykësia është tipar romak, shkruan Adriani në kujtimet e tij, njëri nga perandorët e Romës i përfshirë te ‘të mirët’. Grykësia është tipar i adultit, do të thoshim sot, ajo që na mbush e na shkatërron.

Por, nëse do të flisnim për grykësinë si një koncept më të gjerë, si një nevojë të pakontrollueshme njerëzore për ta mbushur veten derisa të mos plasim, seria e parë e njerëzve që na vijnë përpara syve janë pushtetarët. Jo vetëm ata që ‘pushtojnë’ një qeveri, por gjithë ajo seri njerëzish që mban nën pushtet edhe ndonjë nga hallkat më të rëndomta të shtetit. Grykësia në ditët e festave ka qenë gjithmonë ambicja, gëzimi dhe krenaria natyrale e të varfërve, shkruan Adriani, në librin e Marguerite Yourcenar. Grykësia e pushtetarëve tanë është e përditshme dhe kjo na tregon qartë se nga çfarë lloj varfërie kanë dalë ata.

Të jemi më të thjeshtë, janë ditë festash e do të duhej të shpërndanim mirësi. Por një pyetje mund ta bëjmë, a na bëri njerëz më të mirë gjithë kjo ligësi nëpër të cilën po kalojmë? A u mbështetëm te njëri-tjetri kur patëm nevojë? A kërkuam ndihmë? A dhamë? Do të vazhdoja me plot pyetje, por secili nga ne e di vetë përgjigjen. Ligësia na përforcoi vetitë tona dalluese, ku i varfri varfërohet çdo ditë e pasuri vazhdon të pasurohet. E këtu nuk flas vetëm për para, por për ndenja njerëzore, mbi të gjitha për ndjenja njerëzore. A mund të flasë njeriu për ndjenja jonjerëzore? Për ndjenja kafshërore? Sendore? Duket absurde pyetja, por koha gjithmonë tregon se lufta më e madhe që bën njeriu në jetën e tij, duket të jetë ajo që të mbetet njeri. Është vështirë të mbetesh njeri në çdo kohë e kjo pandemi na provoi.

Sot jetojmë në një botë tjetër, edhe pse në pamje duket e njëjta. Ne kemi ndërruar. Mungesa e kontakteve njerëzore na ka goditur empatinë dhe kjo duhet të ishte një këmbanë e fortë alarmi në një shoqëri. Kur nuk ke empati për tjetrin, ti humbet një pjesë të madhe të ndjenjave të tua, bëhesh më i ftohtë në raport me të tjerët, më i huaj, izolohesh. A ka dënim më të madh për njeriun sesa izolimi? Kjo pandemi na detyroi që edhe vdekjen ta prisnim të vetmuar. Mijëra njerëz shkuan e po shkojnë pa asnjë përqafim, shtrëngim duarsh a shikim përkëdhelës. A i pamë mjaftueshëm dhimbjet e tyre? A e ndiem atë lloj zbrazëtie që vetëm vdekja di të lërë mbrapa?

Çfarë ëndrrash shohin ata që çdo moment presin vdekjen e flenë me shpresën se do ta shohin edhe një mëngjes tjetër?

Ky ishte një vit i marrë e marrëzia e tij nuk përfundon këtë 31 dhjetor. Paqartësia ku po jetojmë nuk është vetëm pjesë e paqartësisë globale, ne e kemi hise edhe mjegullën tonë që nuk na hiqet syve. Të marrim një shembull, në shoqëritë perëndimore programet argëtuese realizohen nga komedianë e profesionistë, në shoqërinë tonë realizohen nga analistë politikë. Debate të kota televizive që prodhojnë vazhdimisht urrejtje, janë kthyer në cirkus të përditshëm, të cilët i bëjnë njerëzit të besojnë se edhe ata janë pjesë aktive e politikës. Kështu do të shpejtojnë të shkruajnë një status në rrjete, do ta japin gjykimin e tyre pa menduar se ai do harrohet për pak orë, sikurse vetë debatet shterpe.

Por do të qëllojë diku ndonjë më i marrë që do ta marrë seriozisht marrëzinë dhe do ngrejë dorë përpara kamerave. Tema do të bëhet gjithëpërfshirëse. Pushtetarët do dënojnë marrëzinë, do ta përkrahin moralisht viktimën pa thënë asnjë fjalë për marrëzinë që viktima vetë ka krijuar gjatë dhe e gjitha do të përfundojë për pak orë, ku viktima lirisht mund të shpallet hero e heroi viktimë. Tek e fundit çfarë rëndësie ka fitorja mes dy të marrëve?!

Ku është e keqja, është edhe e mira. Ky vit i mbrapshtë u mbyll me një ogur të mirë, zgjedhjet parlamentare. Të paktën pushtetarët do ta përfaqësojnë vullnetin tonë. Gjërat ndoshta do të kthehen në vendin e vet, bashkë me to edhe debatet televizive. Ndoshta problemet tona një ditë do të bëhen edhe probleme mediale. Ndoshta një ditë do të vaksinohemi e do të hyjmë në vitin e ri. E deri atëherë, unë do të vazhdoj të pyes:

Çfarë ëndrrash shohin ata që po përballen të vetmuar me vdekjen?