Vështrime

Mirupafshim në Kosovën e lirë

Si e shndërruam urimin hebraik “Vitin e ardhshëm në Jerusalem” në ecejakun tonë tridhjetëvjeçar për zgjerimin e kuptimit të lirisë?

1.

E pata përdorur në fund të vitit 1989, pastaj edhe më 1990, derisa u shtua në numër lista e njerëzve që bënin adresim të tillë dhe që më bindnin se ata po e fillonin të parët, tipar i veçantisë sonë - një përshëndetje të vjetër hebraike, “Vitin e ardhshëm u pafshim në Jerusalem”. Përshëndetja definoi dy mijë vjetët e këtij populli, të të qëndruarit në diasporë (vetë fjala është me origjinë nga Dhiata e Vjetër, në versionin greqisht, me domethënie shpërndarje). Pjesëtarët e atij populli, që, siç thotë Dhiata e Vjetër ia kishin “mbathur nëpër shtatë rrugë”, dhe tash gjendeshin në të katër anët e botës, i uronin njëri-tjetrit vit pas viti e shekull pas shekulli që vitin e ardhshëm të takoheshin në Jerusalem, pra, të kthyer nga mërgimi i detyruar, më në fund në shtëpi, apo në sinonimin shpirtëror e religjioz të nocionit shtëpi.