OpEd

Alienët zbarkojnë në Tokë nëpërmjet zyrës së LDK-së

Disi gjithmonë kam shpresuar se një ditë gjatë jetës sime në këtë planet do të isha dëshmitar i një zbarkimi të tillë alienësh si këta të Federatës Galaktike, të cilëve u referohet ish-drejtuesi i sigurimit të hapësirës izraelite, z. Eshed, alienë të cilët do të zbarkonin me anijet e tyre të avancuara kozmike dhe të cilët, përveçse do të vinin në paqe, do të na mësonin aq shumë për gjithësinë, spiritualitetin dhe teknologjinë e avancuar, e cila në sytë tanë do të perceptohej sikur një magji e vërtetë. Besoja se një vizitë e tillë do ta sillte paqen e gjithmbarshme në botë dhe do ta bënte njerëzimin të kuptonte se në rrugëtimin e vet përgjatë historisë diku kishte marrë kthesën e gabuar dhe e kishte gabuar drejtimin tërësisht. Mirëpo, siç do të thoshte kryetari i Komunës së Gjilanit, apo anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe nënkryetari i saj, z. Lutfi Haziri, alienët do të zbarkojnë në Tokë kah zyrat e LDK-së!

Kabllogrami më i rëndësishëm diplomatik, sa më përket mua, gjatë javës së kaluar ishte ai nga ish-drejtuesi i sigurisë hapësinore izraelite, Haim Eshed. Në një nga të përditshmet më prestigjioze izraelite z.Eshed deklaroi se planeti ynë vizitohet nga alienët, të cilët e përbëjnë njëfarë të ashtuquajtur Federatë Galaktike, në të cilën bëjnë pjesë specie të ndryshme inteligjente nga galatika jonë. Qeveritë e ndryshme, sipas z.Eshed, janë në dijeni dhe mbajnë kontakte të vazhdueshme me Federatën Galaktike. Por, pse ata alienë nuk zbarkojnë dhe nuk bëhen të dukshëm publikisht në mënyrë që e mbarë bota t’i shohë? Sipas deklaratave të z.Eshed, arsyeja qëndron në faktin se njerëzimi ende nuk është i gatshëm ta akseptojë ekzistimin e specieve të tjera inteligjente në gjithësi.

Një zbarkim dhe sfilatë e tyre publike do të rrezikonte atë të cilën e përbën materialin i cili e ndërthur shoqërinë njerëzore, duke filluar nga religjioni, njohuritë dhe nivelet e zhvillimeve teknologjike, ligjet e fizikës në hapësirë, anijet kozmike dhe fluturimet në distanca të largëta, si dhe shumë gjëra të tjera të cilat do të mund ta kolabonin komplet krejt sistemin e ndërtuar shoqëror në planetin tonë dhe të binte deri te shthurja totale e shoqërisë, duke mos pasur mundësi për t’i llogaritur pasojat.

Në fakt, deklaratat e ish-drejtuesit të hapësirës izraelite nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga Brookings Report, i cili përbëhej nga Studimet e Propozuara mbi Implikimet e Aktiviteteve Hapësinore Paqësore për Çështjet Njerëzore - ishte një raport i vitit 1960 i porositur nga NASA dhe i krijuar nga Instituti Brookings, në bashkëpunim me Komitetin e NASA-s për Studimet për Largësitë. Ky raport u paraqit në Komitetin e Dhomës së Shkencës dhe Astronautikës të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara në Kongresin e 87-të të Shteteve të Bashkuara, më 18 prill të vitit 1961.

Disi gjithmonë kam shpresuar se një ditë gjatë jetës sime në këtë planet do të isha dëshmitar i një zbarkimi të tillë alienësh si këta të Federatës Galaktike, të cilëve u referohet ish-drejtuesi i sigurimit të hapësirës izraelite, z.Eshed, alienë të cilët do të zbarkonin me anijet e tyre të avancuara kozmike dhe të cilët, përveçse do të vinin në paqe, do të na mësonin aq shumë për gjithësinë, spiritualitetin dhe teknologjinë e avancuar, e cila në sytë tanë do të perceptohej sikur një magji e vërtetë. Besoja se një vizitë e tillë do të sillte paqen e gjithmbarshme në botë dhe do të bënte njerëzimin ta kuptonte se në rrugëtimin e vet përgjatë historisë diku kishte marrë kthesën e gabuar dhe e kishte gabuar drejtimin tërësisht. Mirëpo, siç do të thoshte kryetari i Komunës së Gjilanit, apo anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe nënkryetari i saj, z.Lutfi Haziri, alienët do të zbarkojnë në Tokë kah zyrat e LDK-së!

E, çfarë do të thoshin alienët po të zbarkonin në Tokë kah zyrat e LDK-së? Ooo, tungjatjeta tokësorë! Hera e fundit kur ne e vizituam planetin tuaj ishte në kohën e Hazreti Isës, por siç po e vërejmë nuk paskan ndryshuar shumë gjëra. Hazreti Isën e lamë, Hazreti Isën e gjetëm. E lexuam edhe dersin të cilin e kishte bërë Hazreti Isa i tanishëm, në përkrahje të mjekëve dhe ballafaqimit të tyre me COVID-19, si përgjigje ndaj emisionit të Jeta Xharrës me anëtarët dhe familjarët të cilët kishin humbur më të dashurit e tyre në Klinikën Infektive të QKUK-së, ku flitej për kushte tejet të mjerueshme. Hazreti Isa i tanishëm, i cili nuk u besoi mjekëve të QKUK-së dhe sistemit shëndetësor kur vetë u ballafaqua me sëmundjen e tij dhe iku për shërim në Gjermani, normalisht në llogari të taksapaguesit kosovar. Athua çfarë dersi do t’u ketë mbajtur stafit dhe personelit mjekësor në Gjermani dhe a u ka treguar se ishte kryeministri i një shteti e se aty do të shërohej dhe do të qëndronte në llogari të taksapaguesit kosovar, do të pyesnin alienët veten!

Më tutje, alienët do ta takonin anëtarin e radhës së Kryesisë së LDK-së dhe nënkryetarin e dytë të saj, z.Agim Veliun. Do t’ia shprehnin ngushëllimet e tyre galaktike për humbjen e bastionit të Podujevës dhe do t’i dëshironin fat e rikthim të shpejtë në komunë, në mileniumin i cili do të pasojë.

Tutje, alienët e Federatës Galaktike do të dilnin nga zyrat e LDK-së, do të jepnin një konferencë për shtyp së bashku me kushëririn e tyre të largët kozmik z.Arben Gashi, i cili do t’u dëshironte atyre mirëseardhje në zyrat e LDK-së institucionaliste dhe shtetformuese, pjesëmarrëse e të gjitha proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, si dhe do t'u dëshironte qëndrim të bukur në kryeqytetin e Kosovës.

Nga aty, përfaqësuesit e Federatës Galaktike do të mirëpriteshin nga zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z.Driton Selmanaj, i ngarkuar me ekspertizën e çështjeve të alienëve dhe armatimin amerikan për luftën eventuale me ta!

Me të arritur në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, delegacioni i Federatës Galaktike do të përshëndetej nga ministrja e Punëve të Jashtme, znj.Meliza Haradinaj, e cila do t’ua shprehte kënaqësinë të cilën e pati për t'ua dhënë lejen për zbarkimin në planet dhe vizitën që ata do t'ia bëjnë Qeverisë së Kosovës. Do t’i shoqërojë ata deri në katin ku është e vendosur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, z.Avdullah Hoti, i cili do t’i mirëpresë me disa sandviçë delikatesë dhe do t’i shurdhojë me qetësinë e tij. Në shenjë respekti dhe mikpritjeje interplanetare, kryeministri Hoti, Federatës Galaktike do t’ia ofrojë edhe pakon e rimëkëmbjes ekonomike, që edhe ata ta kenë mundësinë të ngjyejnë pak në bereqetin e Trustit të Fondeve Pensionale. Por, këtu do të vinte përgjigja nga përfaqësuesit e Federatës Galaktike, se ata nocionin e parasë e kanë gjë të tejkaluar qysh prej shumë e shumë mileniumeve më parë dhe se zhvillimi i shoqërisë së tyre varet nga kontributet intelektuale të secilit individ në domenin e ekspertizës së tyre për të mirën e gjithmbarshme kolektive. Do të ishte paksa lajm i rëndë dhe goditës për t’u përbirë nga një kryeministër, i cili për ‘background’ e kishte ekonominë. Çfarë t’u ligjëronte tash studentëve të vet? Çfarë rëndësie paraqet tashmë prodhimi i brendshëm bruto (en-Gross domestic product, GDP), që është një tregues ekonomik i cili paraqet vlerën me çmimet e tregut të të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuara brenda një shteti në një periudhë të caktuar (zakonisht një vit).

Si dikush i cili vjen nga një rajon i njohur kosovar për nikoqirllëk, kryeministri Hoti do t’i njoftonte përfaqësuesit e Federatës Galaktike me partnerët e koalicionit të tij qeveritar. Do të mund ta parafytyroja impresionimin e tyre pas njoftimit me z.Fatmir Limaj, z.Ramush Haradinaj, i cili nuk do të hezitonte t’i përshëndeste për mirëseardhjen e tyre në planetin Tokë, duke ua kënduar këngën "Kah po shkon moj zanë". Me ikanakun e grupit 6+, Adem Hoxhën, alien i llojit dhe identitetit të vet.

Alienët e Federatës Galaktike do ta kishin edhe privilegjin të njoftoheshin, e pse jo edhe të pinin çaj në mesnatë në shtëpinë e deputetit Haxhi Shala. Nuk kam mëdyshje se alienët e Federatës Galaktike do të impresionoheshin nga intelekti i Haxhi Shalës. Ata nuk kërkojnë jeniçerë luftarakë, mirëpo nuk dyshoj se do t’ia kërkonin djalin për jeniçer intelektual diplomatik interplanetar dhe intergalaktik, ashtu siç ia kërkoi edhe Ambasada e Kosovës për konsull në Ambasadën e Kosovës në Pragë të Çekisë.

Unë me të vërtetë jam skeptik rreth asaj se çfarë ka deklaruar ish-drejtuesi i sigurisë hapësinore izraelite, Haim Eshed, si rreth asaj se çfarë shkruante në Brookings Report. Po qe se ata alienët e Federatës Galaktike do të zbarkonin në Kosovë, nuk e besoj se shthurja e materialit nga i cili është i ndërtuar organizimi shoqëror do t’i ndodhte shoqërisë tonë, por druaj se do t’u ndodhte pikërisht atyre - nuk do t’i infektonim me COVID-19, por me virusin se si shkatërrohet një shoqëri dhe si shndërrohet ajo në një shoqëri çakejsh, si egot politike partiake meskine janë aq të shkëputura nga nevojat dhe përditshmëria e një qytetari të rëndomtë kosovar.

Kështu, alienët e mi të nderuar të Federatës Galaktike, jo që ne nuk jemi të papërgatitur për ardhjen dhe zbarkimin tuaj, por nuk jeni ju të gatshëm të ballafaqoheni me krijesa vetëshkatërruese dhe egoiste, të cilat e quajnë veten qenie inteligjente.