OpEd

Shkelja e parimeve si konstantë e LDK-së

LDK e drejton gishtin tregues vetëm ndaj të tjerëve, sepse ballafaqimi me vetveten e demaskon atë edhe më shumë.

Brenda një viti udhëheqja e tanishme e LDK-së tha: nuk bëjmë koalicion me PDK-në, PAN-in do ta çojmë në opozitë, koalicion do të bëjmë vetëm me VV-në, presidenti i takon LDK-së, jemi kundër “Mini-Schengenit”, jemi kundër “Jugosllavisë së re të Ramës dhe Vuçiqit”, jemi për reciprocitet ndaj Serbisë, rimbursimi i Trustit Pensional është shkelje kushtetuese.

Ndërkohë: LDK ka bërë koalicion me AAK-në dhe Nismën (dy parti që kurrë nuk janë shquar për mirëqeverisje), LDK tani po ia ofron PDK-së postin e presidentit (“i takon PDK-së”, po thotë kryetari i LDK-së. E pse para një viti i takonte LDK-së?), “Mini-Schengeni” është gëlltitur nga LDK, reciprociteti me Serbinë ka rënë në ujë, rimbursimi i Trustit pensional tash është realitet me miratimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Këtë joparimësi disa mençurakë pa vota të LDK-së duan t’ia shesin opinionit si parimësi. Çfarë cinizmi! Ku po jetoni, rugovistë të rrejshëm? Sa parimore është një parti që brenda një viti është rrugës për t’i ndërruar tre apo katër partnerë qeverisës? Pas pak ditësh LDK shënon 31-vjetorin e themelimit. Kjo parti, pa dyshim, ka merita historike në rrugëtimin shtetformues të Kosovës. Askush me dy kokrra mend nuk ia mohon këto merita LDK-së. Por nuk jetohet vetëm me këngë për historinë. Elektorati po ndryshon, sepse gjenerata të reja duan punë e ardhmëri, nuk jetojnë dot vetëm me rrëfime për punën e lavdishme politike të Ibrahim Rugovës.

Ruajtja e status kuosë nuk është politikë vizionare. Gjëja më e gabueshme që mund të bëjë LDK është ta fajësojë tash popullin përse ky popull naiv po i beson “popullizmit të VV-së”. Vullneti për qeverisje nënkupton vullnet për zgjidhje të problemeve, jo ikje nga problemet. Orientimi i një partie bëhet bindës kur ajo e di çka dëshiron dhe kur këtë dëshirë arrin ta prezantojë bindshëm në opinion. Këtë rrugë LDK mund ta gjejë kur i rinon vlerat e saj tradicionale, por jo me ata që vlerat tradicionale i keqpërdorin për mashtrime elektorale. Vlerat tradicionale janë të dobishme kur inkorporohen në një politikë që përqafon të ardhmen – me ide, me plane, me guxim për të marrë përgjegjësi, me vendosmëri për të luftuar kanceret metastazuese: korrupsionin, krimin, nepotizmin, keqqeverisjen. Partia nuk duhet të jetë bajrak që fluturon siç fryn era dhe nuk noton edhe kundër rrymës.

Sot LDK ndodhet në udhëkryq, por në radhë të parë për shkak të gabimeve të saj dhe jo ndonjë konspiracioni publik. LDK e drejton gishtin tregues vetëm ndaj të tjerëve, sepse ballafaqimi me vetveten e demaskon edhe më shumë. Për një demokraci dominimi frymëzënës i një partie është i dëmshëm. S’mund të jetë ndryshe as nesër, nëse kjo ndodh me VV-në në zgjedhjet e ardhshme (pa marrë parasysh kur mbahen ato). Por për t’iu kundërvënë konkurrencës politike duhet së pari aftësi për të fituar besimin e qytetarëve. Besimin e qytetarëve LDK nuk e fiton nëse krerët e saj e shikojnë popullin me përçmim, duke e mallkuar se po i beson verbërisht kësaj apo asaj partie.

Ta lëmë anash VV-në. Në Istog, një vatër e LDK-së, në zgjedhjet e kaluara lokale LDK për pak i humbi zgjedhjet. Jo nga VV, por nga një kandidat i dobët i AAK-së. A u lexuan atëherë porositë e elektoratit? Jo. Sepse po të ishin lexuar, s’do të ndodhte debakli në Podujevë, së paku jo në raundin e parë. Në zgjedhjet e ardhshme lokale LDK rrezikon të humbë edhe një vatër tjetër të rëndësishme: Gjilanin. Në Prizren nuk ka kandidat që ka gjasa të sfidojë konkurrencën politike. Në Prishtinë përkrahja për VV-në është më e madhe se kudo në Kosovë. Njëri nga aderuesit e ri në PDK para disa muajsh shprehej i habitur se si djemtë dhe vajzat e Prishtinës, ata që jetojnë jo keq, që hanë ushqim vegan, që kanë vende të mira të punës në industrinë digjitale, që janë të hapur ndaj botës, po e votojnë një “popullist si Albin Kurti”?

Kjo është mënyra më e lehtë dhe më cinike për të mos i parë arsyet e kësaj lëvizjeje të elektoratit. Si PDK ashtu edhe LDK duhet ta kapin veten për hunde dhe jo të pështyjnë elektoratin mosmirënjohës. Sepse jo tërë elektorati përbëhet nga militantët. Militantët nuk janë shumica në shoqëri. Çështja nuk është as ideologjike. Çështja është: kush e ka toleruar dhe kush e ka ndërtuar këtë sistem korruptiv dhe kush mund ta shkatërrojë atë dhe ndërtojë një shtet funksional?

S’mund ta bëjë këtë vetëm as Albin Kurti, të cilit i duhet një ekip shumë më cilësor për t’u përballur me sfidat e mëdha. Por e tillë si është tani, pa kredibilitet dhe me probleme të brendshme, këtë s’mund ta bëjë as LDK. Çka duhet? Një udhëheqje e re, të cilës i beson opinioni i gjerë. Por në këtë betejë LDK tani për tani e ka harxhuar barutin. Megjithatë, shpresa vdes e fundit. Ose s’vdes kurrë. E ardhmja është e hapur. Me shumë kapituj të pashkruar. Varet nga LDK se çfarë do të shkruajë në këta kapituj. Shpresa dhe optimizmi ngjallen vetëm kur një parti arrin që shpresën dhe optimizmin t’i zgjojë në sytë e qytetarëve, e sidomos në mesin e të rinjve.