OpEd

Një rastësi që kushton

Kur Avdullah Hoti garoi për kryeministër, tre vjet më parë, ai ofrohej si një teknokrat që ka njohuri dhe aftësi për të reformuar, para së gjithash, administratën dhe ekonominë e vendit. Ofronte plane për qeverisje më të mirë, përmirësim të kushteve të të bërit biznes, lirim nga taksat, reduktim të papunësisë dhe ekonomisë joformale, rimëkëmbje të ndërmarrjeve publike. Premtonte edhe përmirësime në fushat e arsimit, shëndetësisë, politikave sociale dhe kushteve të punës. Por, më tepër se kaq, Hoti ofrohej edhe si model i një qeverisjeje të heshtur, intelektuale e akademike, që vendimet i merr jo bazuar në interesin momental politik, por duke u mbështetur në të dhënat shkencore dhe pragmatizmin profesional, sidomos në çështjet e menaxhimit të parasë publike. Vetë Hoti, në paraqitjet e tija publike të kohës, paralajmëronte se Qeveria e tij do ta “çkapë” shtetin të kapur nga partitë e luftës, se fitorja e tij do ta “çlironte të ardhmen” e vendit, dhe si ai, si lider i asaj që e quajti “brezi i Republikës”, do ta përmbyllë shtetndërtimin.

* * *

Më 2017, votuesit nuk i besuan Hotit dhe LDK-së. Partia e tij, në ato zgjedhje, për herë të parë në historinë e saj doli e treta – prapa fituesit, koalicionit PAN, dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Sigurisht, rënia e LDK-së në vendin e tretë (LDK-ja doli e para në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2004, dhe më pas deri më 2017 gjithmonë ishte e dyta) nuk mund t’i faturohet si përgjegjësi Hotit. Tekefundit, ai thjesht po sakrifikohej për t’i evituar çarjet më të mëdha në parti, si ato të vitit 2006/2007, që ndan LDK-në në dy kampe pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Më 2017, Hoti, një ushtar besnik i Isa Mustafës, nën hijen e të cilit ngriti gjithë karrierën e tij profesionale dhe politike, po e merrte një goditje të pritur në vend të partisë – të gjithë e kishin të qartë se LDK-ja në ato zgjedhje nuk kishte kurrfarë gjasash për fitore; qeverisja e Isa Mustafës me PDK-në nuk e bindi as elektoratin luajal të partisë, gjë që ishte arsyeja pse vetë Isa Mustafa nuk kandidoi në zgjedhje dhe e nxori Hotin si kandidat konsensual për ta sakrifikuar. Shikuar nga perspektiva e sotme, sakrifica u shpagua, edhe për Mustafën, edhe për Hotin. I pari vazhdon të jetë kryetar dhe vendimmarrës kryesor i partisë, edhe pse partia i humbi të gjitha zgjedhjet nacionale nën kryesimin e tij. I dyti është kryeministër, edhe pse si bartës i listës jo vetëm që nuk i fitoi zgjedhjet, por partisë ia dha rezultatin më të keq në historinë e saj. Por, nga perspektiva e oportunizmit politik, fitorja, së paku kjo momentale, është e Hotit. Ai arriti në krye të qeverisë ani pse as nuk kishte mbështetje votuesish (siç kishte, për shembull, kandidatja e LDK-së për kryeministre nga zgjedhjet e kaluara, Vjosa Osmani), e as entuziazëm nga vetë organet e partisë (Hoti, më shumë se kandidat i partisë është kandidat i kryetarit). Dhe Hoti mbetet aty falë rrethanave të tjera politike; përveç LVV-së askush nuk i dëshiron zgjedhjet tani. PDK-ja me kryetarin e saj Veseli, por edhe simbolin e saj politik, Thaçi, që të dy me aktakuza në Hagë, e ka vështirë të konsolidohet për të dalë në zgjedhje, sidomos pa e zgjidhur çështjen e udhëheqjes së partisë në mungesë të krerëve. AAK-ja e kupton se pozicioni i saj qeverisës është maksimali që mund ta arrijë, andaj dhe synimi është që të ruajë gjendjen si është për aq sa mundet – së paku deri në zgjedhje të presidentit. Vetë LDK-ja është e vetëdijshme për rënien që ka, dhe perspektiva (apo frika) se zgjedhjet tani do të mund ta shtynin partinë edhe më poshtë në listën e preferencave të votuesve, andaj dhe synimi i vetëm është që të shmangen zgjedhjet, me çdo kusht. (Për shumëkënd zor e imagjinueshme deri dje, por trendi i rënies e ka sjellë LDK-në shumë afër me AAK-në e pozitën e katërt). Situata, afatshkurtër pra, është një që favorizon ruajtjen e status-quo-së. Mbase edhe për VV-në shkuarja në zgjedhje tani, pa përfunduar pandemia COVID-19, do të bartte rrezik politik që mund të shmanget nëse zgjedhjet shtyhen për pranverë. Andaj dhe kjo status-quo ekzistuese ka gjasa të mbetet deri në mars, kur është afati kushtetues për ta zgjedhur presidentin-en. Me apo pa zgjedhje nacionale. Deri atëherë, Hoti do të mbetet ku është. Pra, deri në pranverë. Dhe kjo nuk do të jetë befasi për askënd, as për LDK-në. Edhe ashtu, askush nuk pret që Hoti të mbetet kryeministër deri në fund të mandatit kushtetues. As vetë Hoti, me gjasë. Me rrethanat politike që ka, sidomos meqë nuk e ka as shumicën funksionale parlamentare, kjo qeveri ka kohë që është dashur të dorëhiqet vetë (apo, siç mund të jetë edhe më saktë, nuk është dashur fare ta marrë detyrën). Por, e vërteta është se kjo qeveri vetë është prodhim i rrethanave jo fort normale politike: një proces i dialogut nën udhëheqjen e një administrate problematike amerikane, i ndodhur në një kontekst të polarizimit të skajshëm të brendshëm politik në Kosovë, ka krijuar mundësinë që Hoti ta marrë timonin e qeverisjes.

* * *

Por, edhe nëse është kështu – që Qeveria Hoti është rastësi e llojit të vet, jo veç e padëshiruar, por edhe e papritur – pyetja që tani do shtruar është në çfarë mase kjo qeveri, dhe ky kryeministër, i kryejnë detyrat për të cilat janë ngarkuar me ligj e Kushtetutë, dhe zbatojnë premtimet që i kanë dhënë vetë? Dhe, përgjigja është dëshpëruese. Sepse, Hoti si kryeministër nuk shfaq asnjë nga tiparet që promovonte dikur në garën për vota. Qeverisja Hoti as nuk është një qeveri teknokratësh që kryejnë punë pa bërë zhurmë, as nuk është qeveri profesionistësh e intelektualësh që vendimet i marrin bazuar në të dhënat dhe analizat pragmatike shkencore, as nuk është qeveri e reformave, as e ngritjes ekonomike, as e përmirësimit të kushteve për punë dhe biznes, as e reduktimit të papunësisë dhe rimëkëmbjes së ndërmarrjeve publike. As nuk është qeveri që përmirëson arsimin, as shëndetësinë, as politikat sociale e as kushtet e punës. As nuk është qeverisje e heshtur, akademike, as një që e “çkap” shtetin dhe “çliron të ardhmen”. Përmbyllja e premtuar e shtetndërtimit nga brezi i Republikës së Hotit nuk është gjë më shumë sesa një mit i sajuar për efekte zgjedhore, të cilit - ç‘është më e keqja - shumica as nuk i besoi, as nuk e votoi, e megjithatë të gjithëve na duhet ta vuajmë. Dhe do ta vuajmë, sepse efektet e një qeverie nuk përfundojnë me kalimin e saj në histori. Kosova ka vite që vuan për shkak të nënshkrimeve të vëna në letra nga njerëz që nuk janë më në pozita përgjegjëse – prej vendimeve e marrëveshjeve politike sikur që janë ato me Serbinë, e deri te vendimet qeverisëse që krijuan mundësi për zhvatjen shumëvjeçare të buxhetit publik nga kompani të afërta me politikën (fjalët si telekom, tender, terminal, privatizim, shpronësim, e shumë të tjera të ngjashme do të mbeten përkujtues i përhershëm për gabimet e individëve që vazhdon t’i vuajë shteti). Andaj, Qeveria Hoti mbase edhe i numëron javët (apo muajt) e fundit në pushtet. Dhe, LDK-ja mbase duhet të përgatitet të zgjedhë mes mbijetesës politike dhe vazhdimit të jetës në mitin e vetëkrijuar. Por kostoja e vërtetë, dhe më e madhe e gjithë këtij eksperimenti të mbrapshtë qeverisës që kemi – do të jetë barrë për Kosovën në vitet që vijnë.

agronb@kohaditore.com