Vështrime

Kurthi i Dick Martyt

Në raportin e tij, që mban datën 7 janar 2011, Dick Marty konstaton se “në periudhën fill pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të merrnin në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin rendin e ligjshmërinë, organe të trupit u janë marrë disa robërve në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi”. Ky formulim makabër, që vret ndërgjegjen e secilit njeri racional, ndikoi që më 25 janar 2011 të aprovohej në formë të Rezolutës Raporti i Dick Martit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ky formulim ishte në fakt një kurth, në të cilin ra Këshilli i Evropës.

Nuk është e rastësishme që ky raport u soll për aprovim gjashtë muaj pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010 kishte konstatuar se akti i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është në akord me të drejtën ndërkombëtare. Serbia u gjend në një gjendje dëshpëruese pas opinionit të Gjykatës së Hagës. Në një gjendje të tillë dëshpëruese për humbjen e betejës juridike, e cila ishte pasuar nga humbja diplomatike në Këshillin e Sigurimit, ku ishte insistuar që OKB ta shpallte jolegal aktin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, diplomacia serbe dhe ruse në marrëveshje me kundërshtarin e pavarësisë Dick Marty sollën në Këshillin e Evropës Raportin në fjalë. Duket se e kishin pritur rastin e volitshëm për të bërë këtë gjë. Si rrjedhim i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, BE formoi Task-forcën Hetimore Speciale, kurse Kuvendi i Kosovës, më 3 gusht 2015, aprovoi Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe aprovoi nenin 162 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.