OpEd

Dialog për dialogun

Vitin 2020 e shënoi pandemia e koronavirusit, por edhe dialogu Kosovë – Serbi. E, para se të riniste dialogu Kosovë – Serbi, pati një dialog tjetër për të nisur këtë proces që po vazhdon tash në Bruksel: dialogu i faktorit ndërkombëtar me palën kosovare se duhet të heqë taksën, e më pas edhe reciprocitetin për t’i dhënë mundësi dialogut me Serbinë.

Dy qeveri, ajo Haradinaj e Kurti ranë edhe për shkak të presionit për dialog, edhe pse arsyet zyrtare janë tjera.

Një nga veprimet e para të Qeverisë së re të Kosovës, në krye me Avdullah Hotin, duhej të ishte heqja e masave të reciprocitetit me Serbinë, të prezantuara nga paraardhësit e tyre. Kjo nënkuptoi heqjen e pengesës zyrtare për vazhdimin e dialogut me Serbinë, i cili ishte bllokuar që nga fundi i vitit 2018. Dialogu me të vërtetë u ringjall – me detyra të shumta.

Presidentët Vuçiq dhe Thaçi u ftuan në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të cilin pati spekulime në Serbi se do të rezultonte me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, Dhomat e Specializuara të Kosovës me qendër në Hagë ngritën një padi kundër Thaçit, duke e akuzuar atë për një sërë veprash gjatë luftës në Kosovë, kurse takimi në Shtëpinë e Bardhë u anulua. Nga ana tjetër, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel vazhdoi pak më vonë, si në nivelin e lartë politik, ashtu edhe në nivel ekspertësh. Një numër takimesh u zhvilluan nga korriku deri në shtator në të cilat u diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, personat e zhdukur dhe të zhvendosur, statusin e komunitetit të pakicave dhe kërkesat e ndërsjella financiare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i mëvonshëm në Shtëpinë e Bardhë përfundimisht u zhvillua më 3 dhe 4 shtator. Dokumentet e nënshkruara në Uashington u vlerësuan si "historike", kryesisht nga administrata e Trumpit, por gjithashtu edhe nga presidenti Vuçiq dhe mediat nën kontrollin e tij. Megjithatë, përmbajtja e dokumenteve sugjeron që nuk mund të flasim për përparim të konsiderueshëm në normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Akoma, pjesëmarrja e intensifikuar e SHBA-së në këtë proces mbetet një fakt dhe, në këtë kuptim, katër qendra hulumtimi dhe gazetarët nga Beogradi, Brukseli, Prishtina dhe Uashingtoni do të përpiqen të bisedojnë për këto çështje.

Si do të ndikojnë zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në përfshirjen e SHBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Çfarë burimesh ka BE-ja për të inkurajuar të dy palët për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse? Si do të ndikojë në dialog ndryshimi i brendshëm politik në Serbi dhe në Kosovë - ose mungesa e tij? Si do të ndikojnë interesat konfliktuale të SHBA, BE, Rusisë dhe Kinës në situatën e brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, dhe rrjedhimisht në procesin e normalizimit? Cila është zgjidhja e mundshme për marrëdhëniet e ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë?

1) Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhe posaçërisht që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, SHBA-të nuk ka qenë veçanërisht të interesuara për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, as në Ballkan në përgjithësi. Sidoqoftë, kjo ndryshoi vitin e kaluar kur presidenti Trump e emëroi ambsadorin Richard Grenell si të dërguarin e tij special për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell-i ishte i etur që të nxiste një marrëveshje të shpejtë e cila mund t'u paraqitej qytetarëve amerikanë si një sukses i politikës së jashtme të Trumpit. "Marrëveshja" e nënshkruar në Uashington më 4 shtator konfirmon se qëllimi i saj kryesor është për të përmirësuar pozitën e Trump-it në garën presidenciale, në vend që të sjellë progres në marrëdhëniet reciproke Serbi-Kosovë. Si do ta vlerësonit angazhimin e SHBA në dialogun Beograd-Prishtinë deri tani dhe çfarë mund të presim pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA-ve?

Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës Koha Ditore: Angazhimi i SHBA në dialogun Kosovë-Serbi duhet të mirëpritet, sepse sjell energji në një proces që shpesh është devijuar nga ndërmjetësuesit e BE-së dhe i cili ka ngecur për një kohë. Angazhimi i SHBA gjithashtu do të duhej të sjellë qartësi në proces në një kohë kur BE nuk është në gjendje të përcaktojë qartë lojën përfundimtare, për shkak të pesë vendeve që nuk e kanë njohur si dhe vështirësive të brendshme për shkak të vendimmarrjes së vendimeve që bazohen në konsensus.

Por SHBA-të gjithashtu duhet të jenë të kujdesshme në përpjekjen e vet - nganjëherë na duket se, edhe pse BE ka qenë shumë i ngadalshëm, SHBA-të janë shumë të përshpejtuara.

Sipas mendimit tim, nocioni i një marrëveshjeje të shpejtë është iluzion; mund të arrihet, por kjo nuk do të jetë zgjidhje. Marrëveshja e Uashingtonit është dëshmi - kjo është vlerësuar si historike, por në të vërtetë nuk është as një marrëveshje formale midis Kosovës dhe Serbisë. Atë nuk e nënshkruan të dyja palët dhe është me të vërtetë më shumë një listë premtimesh që secila palë po ia bën administratës amerikane. Përveç kësaj, disa nga premtimet janë përsëritje për atë për të cilën kanë rënë dakord më herët, por që nuk është zbatuar. Dhe në fund, nuk ekziston asnjë mekanizëm, i cili e mikëqyr zbatimin e asaj për çfarë kanë rënë dakord; kjo i nënshtrohet vullnetit politik të partive dhe, meqenëse çdo letër e nënshkruan vetëm njëra palë, mendoj se nuk i plotëson kushtet që të quhet ligjërisht e detyrueshme.

Sa i përket sugjerimit se kjo marrëveshje është pjesë e një plani për të fituar më shumë vota në zgjedhjet presidenciale në SHBA, nuk mendoj se normalizimi ekonomik i Kosovës dhe i Serbisë vetvetiu në përgjithësi është i rëndësishëm për votuesit në SHBA. Ekzistojnë votues shqiptaro-amerikanë dhe serbo-amerikanë, por numri i tyre nuk është i mjaftueshëm që të arsyetohet shpenzimi i burimeve politike amerikane dhe i energjisë në këtë proces. Nga ana tjetër, mbase kjo është arsyeja që marrëveshjet e Uashingtonit - nëse mund t’i quaj kështu – i përfshijnë çështjet që nuk janë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë (siç është G5, Izraeli, Hezbollahu, etj.). Mirëpo, për askënd nuk është mirë nëse marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë është vetëm çështje e zgjedhjeve në SHBA; zgjedhjet janë afër dhe, pas kësaj ne kemi nevojë që të vazhdojë angazhimi i administratës amerikane, edhe pse ndoshta me më shumë takt dhe koordinim me BE.

Edward P. Joseph, ligjërues në John Hopkins SAIS: Angazhimi i administratës së Trump-it në dialogun Beograd-Prishtinë ka qenë një nga pritshmëritë me zvogëlime të përhershme. Çdo gjë filloi me një qëllim të lartë, e theksuar në letrat të cilat ua shkroi vetë Trumpi presidentit Vuçiq dhe Thaçit, duke shpallur "njohjen e ndërsjellë si element qendror" të marrëveshjes "historike". Kjo përfshiu mbështetjen e plotë, duke përfshirë mbështetjen aktive dhe angazhimin diplomatik të zyrtarëve të Departamentit të Shtetit për atë që do të mund të ishte ndarje destabilizuese e Kosovës. Administrata më pas nga territori iu kthye ekonomisë, duke e reklamuar fuqinë transformuese të rritjes ekonomike dhe të hapjes së vendeve të reja të punës.

Në një rajon që përballet me emigracionin kronik, fokusi për nxitjen e tregtisë dhe rritjes, është i mirëseardhur. Por ngjarja në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator është kryesisht vazhdim i marrëveshjeve për infrastrukturë tashmë të lidhura (dhe ruhen si sekrete) qysh në janar dhe në shkurt, bashkë me aktivitetin e shtuar për kreditë e NVM (ndërrmarrjeve të vogla e të mesme), pjesëmarrjen e Kosovës në Nismën e Mini-Shengenit. Siç kam pohuar, edhe nëse është për ta lavdëruar, ka pak arsye për të besuar se projektet ekonomike do të çojnë deri te përparimi politik.

Sa u përket dispozitave jo-ekonomike që përfshijnë Izraelin, teknologjinë e dyshimtë nga Kina dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, aplikimi mbetet edhe më tutje i pasigurt. Në fjalët e saj të fundit të ngrohta për teknologjinë kineze, kryeministrja Bërnabiq tashmë ka filluar të ndalojë përdorimin e "shitësve jo të besueshëm".

Siç e dinë votuesit amerikanë, zgjedhja në zgjedhje është po aq e ashpër siç është gjithmonë në kohët moderne. Udhëheqësia, demokracia, sundimi i ligjit, shkenca, e vërteta, drejtësia, mirësjellja, bashkëpunimi ndërkombëtar, respektimi i aleatëve dhe njohja dhe interesimi për Ballkanin - të gjitha gjenden në fletëvotim.

Vessela Tcherneva, zv/drejtoreshë e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme: Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është një nga çështjet e pakta ndërkombëtare që mund të marrë një kthesë të menjëhershme pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor. Edhe pse presidenti Trump ka për qëllim që të ketë përfitime politike afatshkurtra, kryesisht të lidhura me interesat e tij në Lindjen e Mesme, Joe Biden është i informuar mirë me zhvillimet në rajon dhe me siguri nuk është tipi i udhëheqësit politik i cili pohon se e meriton çmimin Nobël për paqe për ndalimin e “vrasjeve masive” midis serbëve dhe kosovarëve. Orientimi transatlantik i Joe Bidenit do të ishte frymëmarrje e freskët për dialogun dhe do të përforconte koordinimin midis SHBA dhe Evropës, që ka qenë gjithmonë strategji e vetme vendimtare për rajonin.

Igor Bandoviq, drejtor i Qendrës së Beogradit për Politikën e Sigurisë: Përfshirja e para pak kohshme e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi duhet parë nga perspektiva të ndryshme. Së pari, SHBA-të kanë qenë të përfshira në dialogun midis dy palëve kryesisht nga prapavija, duke i përdorur kanalet e veta për ta nxitur që marrëveshjet të nënshkruhen në kuadër të dialogut, të cilin është duke e udhëhequr Brukseli. Departamenti i Shtetit e konsideron çështjen e Kosovës si një nga më të rëndësishmet për qasjen e saj në çështjet e Ballkanit, të cilën ajo e realizon kryesisht duke bërë presion ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Me sa duket veprimet e fundit tregojnë më shumë mirëkuptim për problemin dhe SHBA konsiderojnë që dialogut duhet t’i kushtohet më shumë kujdes dhe angazhim. Gjithashtu, interesimin e ri të administratës Trump më shumë e përcjell një rreth i ngushtë i zyrtarëve të Trumpit se sa Departamenti i Shtetit.

Së dyti, duke pasur parasysh qëndrimin e administratës Trump ndaj shumë organizatave shumëpalëshe, duke përfshirë NATO dhe BE, dhe duke pasur parasysh mungesën e vendosmërisë së BE për këtë çështje, kjo gjithashtu është mënyrë se si SHBA përzihen në oborrin e BE, duke treguar ndikimin dhe mbështetjen e vet.

Dhe së treti, duke mbivlerësuar rëndësinë e marrëveshjes në "Uashington", Trump u përpoq t'u tregonte votuesve të vet se ai është i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Me qasjen e tij "Amerika e para" gjatë mandatit të tij të parë dhe dështimit në bisedat për paqe me Korenë e Veriut, presidenti aktual ka pak sukses në këtë moment në arenën globale. Duke pasqyruar marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve si një konflikt të përgjakshëm dhe të papërfunduar, ai synon ta paraqesë veten para votuesve si lojtar të suksesshëm dhe të rëndësishëm që mund t’ia sjellë paqen rajonit dhe mbarë botës.

2) Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, i udhëhequr nën patronatin e BE-së, nuk i ka plotësuar pritshmëritë e shumta. E para dhe më e rëndësishmja, ai nuk ka prodhuar ndonjë zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme dhe as nuk ka sjellë shumë përfitime konkrete për "njeriun e thjeshtë". Mirëpo, BE kohët e fundit e ka rifilluar dialogun dhe atë tani po e ndërmjetëson përfaqësuesi i posaçëmë i BE Mirosllav Lajçak. Ndonëse BE po e thekson perspektivën evropiane të të dy palëve si një nxitje për arritjen e marrëveshjes, është fakt që 5 shtete anëtare të BE nuk e kanë njohur Kosovën, se integrimi evropian i Serbisë pothuajse është ndalur, se Kosova është e frustruar me çështjen e liberalizimit të vizave dhe që ekzistojnë sfida të shumta në të dy anët në pikëpamje të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, çfarë burimesh ka BE në dispozicion që të inkurajojë të dy palët që të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse?

Agron Bajrami: Marsin e ardhshëm do të mbushen 10 vjet që kur filloi dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së. Duke marrë parasysh sasinë e kohës dhe burimet që kanë investuar të gjitha palët në proces, rezultatet janë të këqija. Veçanërisht zhgënjyese janë vitet e dialogut në nivel të lartë nën udhëhqjen e përfaqësueses së BE Mogerinit, e cila e ka parë që këto procese po hyjnë në bisedime të fshehta që përfshijnë rivendosjen e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve.

Ekipi i ri i BE të cilin e udhëheq z. Lajçak duhet ta rikthejë besueshmërinë që u dëmtua me këtë proces. Hapat e parë që ndërmorën Lajçaku dhe Borelli – duke u distancuar nga ideja se zgjidhja mund të gjendet në ndryshimin e kufijve – kanë qenë hapa në drejtimin e duhur, por do të duhej të pasohen me hapa më të qartë për të treguar se BE domethënë biznes.

Në rastin e Kosovës, mungesën e një vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave shumë kosovarë gjithmonë do ta interpretojnë si dëshmi se BE-së nuk duhet t’i besohet (madje edhe nëse faji për këtë situatë ndahet me institucionet e Kosovës).

Burimi kryesor që ka BE-ja në dispozicion për t’i bindur palët që të arrijnë çfarëdolloj marrëveshjeje, natyrisht, është anëtarësimi në BE. Madje, edhe me paqëndrueshmërinë aktuale, anëtarësimi në BE është ende gjëja më e mirë që të dy shtetet do të mund të dilnin nga procesi. Nuk ka asgjë më të vlefshme që Kosova dhe Serbia mund t'i japin njëra-tjetrës. Siç po shohim në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, edhe njohja e ndërsjellë nuk është garanci për një të ardhme të ndritur. Dhe pikërisht ky është problemi - procesi i integrimit evropian - ku Lajçaku ndeshet me pengesat më të mëdha: Kosova është peng i pesë vendeve që nuk e kanë njohur, kurse Serbia është peng e marrëveshjes me Kosovën. Kjo do të thotë që Lajçaku do t'i bënte vetes (dhe neve të gjithëve) një shërbim të madh nëse do të mund të bashkëpunonte pozitivisht me pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën që ta marrë mbështetjen e tyre aktive për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme. Praktikisht, kjo do të thotë që Kosova duhet të bindet se marrëveshja përfundimtare do të sjellë jo vetëm njohjen e pavarësisë nga ana e Serbisë, por edhe njohjen zyrtare të pesë shteteve që nuk e njohin dhe t’i hapet rruga për anëtarësim në BE. Nga ana tjetër, kjo duhet t'i sjellë dobi edhe Serbisë: pas marrëveshjes me Kosovën, Serbia gjithashtu do të duhej të marrë garanci në pikëpamje të anëtarësimit në BE.

Edward P. Joseph: Supozimi i çështjes është plotësisht i saktë. Dialogu nën udhëheqjen e BE ka rifilluar më shumë me pompezitet se sa me përdorimin maksimal të përshtatësive. Është gjë pozitive që negociatori kryesor i BE Mirosllav Lajçak është njeri mjaft i mençur, me përvojë në Ballkan. Ne këtë e pamë kur gati menjëherë ai kundërshtoi hapur miratimin e gabuar të Ministrit të Jashtëm Josep Borellit për shkëmbimin e territoreve. Një gjë e rrallë, edhe vetë Borrelli shpejt e ndoqi vartësin e vet dhe i tërhoqi fjalët e tij të këshilluara keq për "të mos qenë më katolik se Papa" kur është fjala për ndryshimet e kufijve.

Përveç kësaj, BE dhe vendet anëtare siç është Gjermania dhe Franca kanë ndikim ndaj Beogradit. Vetë-përshkrimi i "balancimit të marrëdhënieve" të presidentit Vuçiq kërkon të paktën një iluzion të marrëdhënieve pozitive me BE dhe vendet kryesore anëtare.

Pra, do të ishte e pasaktë të thuhej se BE ka zero fuqi. Por pyetja është a ka Brukseli fuqi të mjaftueshme që të arrijë qëllimin e bisedimeve, që sipas BE-së është "normalizimi" i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë marrë një pozicion zyrtar se normalizim do të thotë "njohje e ndërsjellë". Pozicioni i BE-së për atë se çfarë do të thotë normalizim është i paqartë. Disa besojnë se ky thjesht është një eufemizëm për njohje, që përdoret si shenjë respekti ndaj pesë shteteve të BE- së që aktualisht nuk e njohin Kosovën. Mirëpo, ambasadori i ri sllovak në Serbi kohët e fundit e kundërshtoi këtë, duke thënë se normalizimi nuk do të thotë domosdoshmërisht njohje. Shkurtimisht, për të gjykuar a janë burimet e BE-së adekuate, duhet të dimë a do të na qartësojë BE për faktin se çfarë do të thotë normalizim. Nëse Brukseli thjesht do të "shpallë fitoren", kurse Kosovën Beogradi nuk do ta njohë - dhe vetvetiu do të mbetet edhe pa njohje më të gjerë ndërkombëtare, ky do të jetë problem serioz.

Nga ana tjetër, nëse Brukseli pranon – ashtu siç nuk pranoi ambasadori sllovak - që pozicioni i SHBA-ve është njohja dhe që zgjidhja e konfliktit kërkon njohje të ndërsjellë, atëherë është e qartë se Brukseli nuk ka burime për të arritur këtë qëllim. Thjesht nuk ka tregues se Beogradi është i gatshëm ta njohë Kosovën pa e marrë një territor të konsiderueshëm si pjesë e zgjidhjes. Vuçiqi deklaroi mjaft qartë në prag të bisedimeve të planifikuara fillimisht në Shtëpinë e Bardhë se edhe anëtarësimi në BE - diçka që është larg dhe se Brukseli nuk mund thjesht të "ofrojë" pa kualifikim - nuk është i mjaftueshëm. Thjesht nuk ka asnjë arsye objektive që të besohet në se është bërë ndonjë ndryshim për këtë qëndrim, për shembull, njohja e rolit të vetë Serbisë në krijimin e situatës që ajo gjendet ndaj Kosovës, për dallim nga fajësimi i vazhdueshëm i NATO-s dhe shqiptarëve. Nuk ka tregues që e mbështesin pretendimin se Vuçiqi është i gatshëm të pranojë zgjidhjen përfundimtare me Kosovën, kur për më tepër Moska dhe "grupet pro-ruse" po qëndrojnë në pritje. Kjo linjë është bërë pikërisht për lehtësimin e presionit në Perëndim.

Administrata Trump dhe Riçard Grenell po insistojnë që "normalizimi ekonomik" të transformojë marrëdhëniet. Siç kam shkruar, kjo përballet me përvojën në rajon. Thjesht ne nuk kemi shembuj as të interesit ekonomik ose tregtisë në rritje që i transformon marrëdhëniet politike; pikërisht është e kundërta, sepse bashkëpunimi ekonomik ndjek përparimin politik.

A do të gjejnë Uashingtoni dhe Brukseli edhe diçka tjetër që mund të joshë Beogradin, përveç ndarjes së territorit të Kosovës?

Vessela Tcherneva: Roli i BE-së duhet të jetë një nga qëllimet që në dialog të angazhohen të gjitha palët e interesuara në të gjitha nivelet, duke përfshirë shoqërinë civile, parlamentet dhe aktorët rajonalë, si dhe SHBA dhe OKB: Mandati i përfaqësuesit të veçantë të BE Mirosllav Lajçakut do të forcohet nëse ai arrin të marrë në konsideratë pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës. Në këtë linjë mendimi, BE duhet t'i përmbahet sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën ndërsa Serbia me siguri do të presë më shumë investime të BE-së në projekte të infrastrukturës dhe komunikacionit.

Sa u përket rrethanave aktuale, rimëkëmbja post-pandemike është një mundësi tjetër për BE që ta rrisë dukshmërinë e saj dhe ta rifitojë besimin e atyre që kanë mbetur të zhgënjyer me veprimet e saj në vitet e fundit. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane gjithashtu ofron një kanal për modernizimin e rajonit, nga i cili të dy vendet mund të përfitojnë në mënyrë të konsiderueshme. Megjithatë, edhe pse perspektiva evropiane është një kornizë inkurajuese për negociata, kjo nuk mund të shihet si një mjet i shëndetshëm, veçanërisht në kontekstin aktual të sfidave të ngutshme në axhendën e BE. Brukseli nuk është në gjendje të krijojë stimuj për Serbinë dhe Kosovën, nëse të dy palët demonstrojnë qëndrime jo bindëse për përparimin e procesit. BE-ja vetëm mund të lehtësojë dhe drejtojë procesin në drejtim të duhur, kurse Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë vullnet politik që Serbia të vazhdojë në rrugën e saj drejt integrimit Evropian dhe që Kosova të marrë një mandat negocimi me përfitim të gjerë social. Metodologjia e re e zgjerimit të BE ka të bëjë me shpërblimin e progresit dhe ndëshkimin e shmangies, dhe për këtë arsye mangësitë demokratike nuk do të tolerohen. Duke pasur parasysh gjurmët në rritje të Kinës në Ballkan dhe tensionet me Turqinë dhe me Rusinë, BE do të presë një nivel më të lartë të harmonizimit të politikës së jashtme.

Igor Bandoviq: Vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe emërimin e të dërguarit të posaçëm me përvojë në Ballkan Mirosllav Lajçakut si lehtësues të bisedimeve qartë është një shenjë e mirë e interesimit të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe në rregullimin dhe konsolidimi e qëndrimeve të veta të huaja dhe të sigurisë në lidhje me Kosovën. Mirëpo, nuk duhet të kërkohet sukses i shpejtë ose i lehtë në këtë proces të rinovuar. Përkundër padurimit në rritje të bashkësisë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin, shumë nga këto gjëra janë në pyetje, duke përfshirë pasojat e procesit për qeverisjen e brendshme dhe dinamikën e Kosovës dhe Serbisë. Mosmarrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit u zgjidh tanimë pas 27 vjetësh, me Marrëveshjen e nënshkruar në Prespë para tri vjetësh. Për më tepër, kërkimi i një "zgjidhjeje evropiane" të problemit, është një frazë të cilën Mirosllav Lajçaku e përdori disa herë, dhe e nënkupton marrjen parasysh të shumë elementeve të tjera të barazimit, veçanërisht kur përparimin në këtë udhë e ndjek në mënyrë të barabartë mungesa e përparimit ose regresi në binarët e tjerë të integrimit evropian. Për BE-në, institucionet e saj dhe posaçërisht për shtetet anëtare, të cilat ende janë të interesuara për rajonin, zgjidhja e problemit të Kosovës nuk është më një plumb argjendi ose një tren i shpejtë që padyshim do t'i çojë Kosovën dhe Serbinë në Bashkimin Evropian, por mungesa e një “oferte perfekte” për palët negociuese që tashmë i ka pasur grackat e veta. Pra, çfarë duhet të jetë kjo? Kush do të duhej ta ndërmarrë këtë? Motivimi i udhëheqësve në dialog për të përfunduar mosmarrëveshjen e tyre është i pavlefshëm. Ata në radhë të parë janë të motivuar me programet e veta politike dhe me dinamikën e brendshme të shoqërive të veta. Komunikimi i drejtpërdrejtë me shoqërinë dhe publikun serb dhe kosovar, duke u përfshirë në dialog komunitetet lokale, është mënyra se si BE duhet të rimarrë besueshmërinë, dhe gjëja që është edhe më e rëndësishme është se kjo do të tregonte që në zgjidhjen evropiane të problemit të Kosovës, Serbisë dhe Evropës duhet të gjithë të ndajnë përkatësinë si evropianë.

3) Serbia së shpejti do të ketë qeverinë e re. Mirëpo, politika e saj nuk do të ndryshojë nga kjo aktuale. Fitorja e madhe e PPS në pushtet nuk mund të kontestohet, por tendencat autoritare të regjimit serb është vështirë të lihen anash. Në Kosovë, nga ana tjetër, presidenti Thaçi u tërhoq nga dialogu pasiqë Gjykata Speciale e ngriti padinë kundër tij, kurse kryeministrit aktual Hoti duket se i mungon si pushteti politik, ashtu edhe legjitimiteti demokratik. Si e shihni dinamikën midis Vuçiqit dhe Hotit? Si do të ndikojnë ndryshimet e brendshme politike - ose mungesa e tyre - në dialog? Si do të ndikojnë interesat e konfrontuara të SHBA-së, BE-së, Rusisë dhe Kinës në dialog dhe në situatën e brendshme politike në Kosovë dhe në Serbi?

Agron Bajrami: Zhvillimet e fundit të brendshme në Kosovë japin arsye për të besuar se koalicioni aktual qeverisës të cilin e udhëheq kryeministri Hoti nuk është i qëndrueshëm. Sapo të sqarohet situata e presidentit Thaçi me padinë e tij të mundshme nga Dhomat e specializuara të Huaja, ka shumë gjasa që Kosova do të duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Madje edhe pa padi, mandati i Thaçit skadon në mars dhe parlamenti i Kosovës do të duhet ose të zgjedhë një president të ri ose të shpërbëhet. Duke pasur parasysh këtë, çfarëdo dinamike që mund të ndërtohet ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit është mjaft e parëndësishme, sepse pritet që qeveria aktuale Hoti të mos zgjasë. Edhe pse Vuçiqi komandon me shumicë absolute në Serbi, Hoti nuk është vendimmarrës kryesor as brenda partisë së vet, dhe koalicioni i tij është shumë i gjerë dhe ka një shumicë të dobët me vetëm një deputet. Nga ana tjetër, kryeministri Hoti gjithashtu ka një marrëdhënie shumë të tensionuar me presidentin Thaçi, i cili e ka kritikuar Hotin se si po i zhvillon negociatat.

E gjithë kjo do të thotë që dinamika e brendshme e Kosovës do të ndikojë patjetër dhe thelbësisht në dialog.

Më tutje, ajo që e bën procesin e dialogut edhe më të vështirë është se që kur filloi ai ka qenë pjesë e konfliktit të brendshëm politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Partitë politike i kanë sulmuar qeveritë dhe negociuesit e të dy vendeve që po i japin shumë konçesione "armikut", kurse ata në tryezën e negociatave gjithmonë e kanë parë procesin si një mjet për të siguruar mbështetjen e Perëndimit në përpjekjen e tyre që ta ruajnë pushtetin. Pra, derisa negociatorët rregullisht janë etiketuar si "tradhtarë", opozita dhe kritikët e dialogut janë thirrur si "anti-amerikanë" dhe "anti-evropianë". Kjo atmosferë e helmuar është një mjedis i keq për çdo marrëveshje normalizimi, pa marrë parasysh sa e mirë apo e drejtë është ajo.

Në fund, në lidhje me konfliktin e interesave midis BE, SHBA, Rusisë dhe Kinës, duhet të theksohet se kjo çështje është më e rëndësishme për Serbinë. Në rastin e Kosovës, vetëm marrëdhëniet e pakëndshme pak më parë SHBA dhe BE kanë ndikuar në politikën e brendshme, si në rastin e mënyrës së rrëzimit të qeverisë Kurti. Nëse administrata e ardhshme e SHBA kthehet në koordinimin e saj tradicional me BE, kjo çështje problematike do të jetë vetëm në lidhje me ndikimin rus dhe kinez në Serbi.

Edward P. Joseph: Shumë është folur për dobësinë politike të Hotit, e cila është në funksion të shumicës së pakët në parlament dhe faktit që çdo ditë do të ndodhë një rikonstruktim, nëse padia kundër Thaçit konfirmohet në Hagë dhe presidenti duhet të japë dorëheqje. Nuk mund të përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme (të cilat mund të sjellin Albin Kurtin si kryeministër); në të njëjtën kohë, zgjedhjet e parakohshme nuk janë të garantuara. Por le të imagjinojmë që Hoti do të mbetet - ose që do të mbahen zgjedhjet dhe Kurti të zgjedhet. Cili është ndryshimi kur bëhet fjalë për një çështje thelbësore: që Serbia ta njohë Kosovën? A është më e besueshme që Beogradi ta njohë Kosovën me Hotin si kryeministër sesa me Kurtin? A është Hoti disi i gatshëm të bëjë një punë për të cilën e dimë që Vuçiçi do ta pranojë – duke bërë tregti me territorin e Kosovës për njohje?

Për sa kohë që jemi të përqendruar në çështjen reale - njohjen nga Beogradi – ekziston një rrezik i vogël nga konfuzioni rreth skenarëve të ndryshëm politikë. Në fund të fundit, dinamika e negociatave nuk varet aq shumë nga ajo që ndodh në Prishtinë por nga ajo që ndodh në Beograd dhe Beogradi ka shumë të ngjarë të mos ndryshojë pozicionin e tij për njohjen e Kosovës gjithnjë derisa Moska dhe Pekini po e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Me sa duket madhësia e fitores së Vuçiqit nuk duket se ka rëndësi, siç mund të kenë menduar disa. Përveç kësaj, protestat e korrikut dhe reagimi i policisë e kanë njollosur këtë fitore, duke u kushtuar vëmendje më të madhe ndërkombëtare tendencave autoritare. Megjithatë, përsëri, me sa duket kjo nuk mund të kuptohet si fleksibilitet i çështjes së Kosovës. Pse ndonjë prej këtyre gjërave do të mund të ndikonte në qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës për sa kohë që anëtarësimi në BE është kaq i largët dhe derisa Beogradi është kaq indiferent ndaj anëtarësimit në BE?

Sa është me rëndësi për Athinën që në mënyrë jorkitike të përkrahë Serbinë në lidhje me Kosovën

Siç kam shkruar, mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjen për Kosovën është që të anashkalohet Këshilli ruso-kinez i Sigurimit duke e futur Kosovën në NATO. Kjo arrihet me katër, jo me pesë njohje (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia.) Pikërisht janë interesat më të gjera konfliktuale nga njëra anë i SHBA-së dhe BE-së dhe nga ana tjetër i Rusisë, Kinës dhe Turqisë. Greqia, për shembull, aktualisht po përballet me kërcënime serioze dhe në rritje nga Turqia. Sa e rëndësishme është për Athinën që në mënyrë jokritike ta mbështesë Serbinë lidhur me Kosovën - në krahasim me stabilizimin e marrëdhënieve të Greqisë në tërë Ballkanin dhe përforcimin e mbështetjes së plotë nga Uashingtoni dhe BE? A nuk ka ndonjë mënyrë më të mirë për bashkësinë Trans-Atlantike që të merret me shqetësimet për separatizmin në Spanjë, Sllovaki dhe Rumani nga mosnjohja e Kosovës? Pse të mos krijoni një dialog SHBA-BE-NATO që ngre lart sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial dhe e shtyn ndërhyrjen ruse në Evropë? Pse të mos e lehtësojmë Madridin, Bratisllavën dhe Bukureshtin duke u marrë drejtpërsëdrejti me druajtjet e tyre sesa t’ia lejojmë Moskës që çështjen e Kosovës ta mbajë të hapur?

Vessela Tcherneva: Aktorët e jashtëm si Rusia dhe Kina krijojnë një ndjenjë të rreme ndaj BE-së në rajon, e cila mund të rezultojë me vendime të gabuara politike me pasoja të dëmshme për njerëz. Rusia dhe Kina merren vesh me udhëheqësit autoritarë më lehtë sesa me demokracitë komplekse përfaqësuese. Ata do ta mbështesin presidentin Vuçiq deri në momentin që ai duket shumë i dobët dhe i papërdorshëm për t'u shërbyer interesave të tyre. Nga ana tjetër, është paradoksale, që natyra e butë e liderëve të dobët politikë mund të formojë çuditërisht dialogun në një mënyrë pozitive.

Sa i përket agjendës aktuale të SHBA, Serbia dhe Kosova janë vende të vogla të largëta nga të cilat presidenti Trump mund të marrë përfitime politike, por ai nuk shqetësohet për cilësinë e sistemeve demokratike në të dy shtetet.

Suksesi i veprimeve të BE në rajon do të varet shumë nga rezultati i zgjedhjeve në Amerikë. Duke marrë parasysh reputacionin e dëmtuar të BE-së, një qasje e SHBA nën një mandat të dytë të Trumpit do të mund të mbizotëronte në këtë proces. Por në këtë rast, nuk duhet të pritet një proces që synon normalizimin afatgjatë konkret të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Igor Bandoviq: Unë do ta formuloja këtë pyetje në mënyrë të kundërt: Si ndikon dialogu në sfidat e brendshme si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë? Dhe përgjigjja është e qartë: dialogu ka një rëndësi të madhe dhe prek thellë të dy vendet. Mirëpo, edhe pse kjo u pa qartë me rënien e qeverisë Kurti në Kosovë, në Serbi nuk rezultoi asnjë ndryshim i pushtetit. Arsyeja për këtë është se Vuçiqi komunikon narrativa të ndryshëm (të rremë) në lidhje me vetë dialogun, përmbajtjen dhe progresin e tij. Për audiencën e brendshme, ai dëshiron të perceptohet si qëndrimi i fundit kundër njohjes dhe pavarësisë së plotë për Kosovën, dhe kështu publiku serb është i papërgatitur dhe i keqinformuar në lidhje me përpjekjet aktuale dhe të mëparshme për dialog. Ai nuk po e përgatit publikun për ndonjë kompromis të mundshëm ose atë që shumica e njerëzve, dhe kryesisht votuesit e tij, do ta shihnin si një humbje serbe.

Sa i përket Rusisë dhe Kinës, kjo është përsëri një pyetje më shumë për Serbinë, pasi që unë nuk i shoh këto vende që kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm në Kosovë. Pavarësisht nga veprimet e fundit dhe marrëveshjes në Uashington që sinjalizon lidhje më të ngushta zyrtare me SHBA, kjo nuk do të thotë që Serbia po largohet nga Rusia. Mirëpo, ndikimi i Rusisë në Serbi është i vështirë për t’u matur, veçanërisht për çështjen e Kosovës, dhe këtë vetëm me një qëndrim të prerë, të guximshëm dhe të qartë me Rusinë në politikën e jashme serbe potencialisht do të mund ta shihnim se sa është i madh ky ndikim. Sa i përket Kinës, unë nuk mendoj se ajo ka ndonjë interes që të ndikojë ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës. Kina ka disa interesa të tjera, para se gjithashë ekonomike, interesa në vend, kurse selia e Kinës në Këshillin e Sigurimit i jep asaj më shumë pushtet se sa i nevojitet ose që i është kërkuar në lidhje me Kosovën.

4) Zgjidhja e problemit midis Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjithë. Shumë do të thonin zgjidhja duhet të jetë një kompromis - të gjithë duhet të fitojnë diçka, dhe me këtë rast edhe të humbin diçka. Çfarë mendoni për këtë? Si e shihni zgjidhjen për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Agron Bajrami: Unë mendoj që nuk mund të gjejmë zgjidhje më të mirë dhe më të drejtë se sa propozimi i Ahtisarit - kjo është nëse kemi për qëllim të ndërtojmë Kosovën si një shoqëri multietnike dhe demokratike. Dhe kur them propozimin e Ahtisarit, mendoj në propozimin e Ahtisarit, e jo Ahtisari plus ose ndonjë version tjetër të modifikuar.

Ideja që secili do të duhej të fitojë diçka, dhe me këtë rast edhe të humbë diçka, për mendimin tim është lojë fjalësh që me hamendje zbatohet për të gjitha llojet e negociatave dhe marrëveshjeve. Por në rastin e dialogut Kosovë-Serbi, kjo lojë fjalësh është e rrezikshme sepse është një thirrje për të sjellë në tryezën e negociatave të gjitha mitet historike rreth pronësisë: një thirrje për të folur për tokën, jo për njerëzit; një thirrje për një lloj shkëmbimi, që nuk ka të bëjë me cilësinë e jetës së njerëzve, por kryesisht me politikanët që "ruajnë fytyrën".

Gjithashtu mendoj që propozimi i Ahtisarit, sado që nuk është i përsosur, është zgjidhja më reale afatgjatë. Në të janë vendosur jo vetëm mekanizmat për të siguruar të drejtat e pakicave, por edhe standardet përkatëse në lidhje me sundimin e ligjit, demokracinë dhe ekonominë, të cilat kanë qenë mjete të shkëlqyera për integrimin evropian të Kosovës.

Natyrisht, Serbia e refuzoi planin e Ahtisaarit, nuk e pranoi as Këshilli i Sigurimit dhe nuk e miratoi kolektivisht as BE, e cila e la Kosovën dhe mbështetësit e saj perëndimorë në një situatë të zbatimit të njëanshëm të pjesëve të planit. Në fund, fryma e idesë - krijimi i një shteti të qytetarëve, jo i një shteti kombëtar - kurrë nuk zuri rrënjë.

Po cilat janë alternativat?

Kufijtë etnikë?

Shkëmbimet e territoreve (dhe njerëzve)?

Ndarja?

Deri më tani, çdo gjë tjetër që është propozuar në brendi është ide e shekullit 19: entitetet etnike, kufijtë etnikë, zgjidhjet etnike.

Në mendjen time, kjo nuk është rrugë që shpie përpara. Përkundrazi, kjo do të na kthejë në llogoret tona etnike, të cilat duket se shumë prej nesh nuk i kanë lënë kurrë.

Edward P. Joseph: Unë besoj se ka zgjidhje për të gjitha mosmarrëveshjet në Ballkan, përfshirë edhe këtë më të pazgjidhshmen: mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës. Gjëja më kryesore është të krijohet korniza negociuese që lejon të dy palët të negociojnë si të barabarta. Për sa kohë që Serbia e gëzon pozicionin e mbajtjes së Kosovës të izoluar duke mos bërë asgjë - falë vetos ruse dhe kineze në KS të KB - nuk do të ketë transformim të marrëdhënieve. Kur të zhduket ky pozicion superior negociues, menjëherë hapet mundësia për zgjidhjen e vetme stabilizuese: sigurimin e pozitës së serbëve të Kosovës brenda një Republike të pavarur, unitare të Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të përhershme të Serbisë në vend. Unë kam besim se SHBA dhe BE mund të ndihmojnë palët të arrijnë këtë lloj zgjidhjeje - një zgjidhje që respekton vërtet lidhjen e patjetërsueshme, historike dhe të përhershme të serbëve me Kosovën. Një zgjidhje e tillë përfundimtare do të kishte elemente praktike dhe simbolike. Siç e kemi parë në vendet e tjera të rajonit, me kalimin e kohës marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve mund dhe do të përmirësohen; ato tashmë janë përmirësuar në jug të Kosovës.

Kjo mund të arrihet vetëm nëse këto katër vende BE-NATO e njohin Kosovën. E pamundur? Nëse dy vende të Gjirit Persik mund të sfidojnë politikën e afatgjatë të Lindjes së Mesme të gjerë dhe të njohin Izraelin - duke pranuar rrezikun e hakmarrjeve nga Irani, Turqia dhe madje edhe nga xhihadistët - atëherë ka të gjitha arsyet për të besuar se katër anëtare të BE-NATO mund të bashkohen, jo të kundërsthojnë aleatët e tjerë të tyre në njohjen e Kosovës. Së shpejti do të pasojë një zgjidhje përfundimtare, e drejtë për serbët dhe shqiptarët. Ky është besimi im dhe vizioni im.

Vessela Tcherneva: Çdo zgjidhje për procesin e negociatave Kosovë-Serbi duhet të përfshijë një skenar në të cilin Serbia e njeh Kosovën duke ruajtur peshën e saj ekonomike dhe gravitacionet në rajon. Perspektiva evropiane për të dy vendet duhet të mbështetet si një garantues i reformave strukturore. Do të duhej të plotësohet me një konsensus në disa nivele në mes vendeve anëtare të BE nga njëra anë, dhe SHBA dhe Evropës në kuadër të marrëdhënieve transatlantike nga ana tjetër.

Igor Bandoviq: Për mua është e qartë: zgjidhja e vetme e mundshme, e qëndrueshme evropiane për marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë Serbia demokratike dhe Kosova demokratike si pjesë të Bashkimit Evropian. Ne e kemi parë në rajonin tonë se çfarë ndodh kur kërkojmë zgjidhje me njerëz të fortë. Ata vetëm kanë krijuar më shumë probleme dhe ua kanë lënë brezave që do të vijnë që të merren me to. Kësaj here këtë duhet ta kemi parasysh.

Përfundim

Përkundër disa ndryshimeve në mendime, diskutuesit tanë bien dakord për shumë pika. Nuk ka dyshim se angazhimi i shtuar i SHBA në marrëdhëniet Serbi-Kosovë është i mirëpritur. Mirëpo, qasja e administratës Trump në dialogun Beograd-Prishtinë jep arsye për shqetësim. Nga "Marrëveshja e Uashingtonit" (ose "Dokumenteve të Uashingtonit") e sapo nënshkruar, është e qartë se kjo përpjekje është përqendruar më pak në marrëdhëniet reciproke midis Kosovës dhe Serbisë dhe shumë më tepër në marrjen e mbështetjes për rizgjedhjen e Trumpit. Aq më tepër, pavarësisht se disa e kanë festuar si një hap të madh përpara, dokumentet e nënshkruara nuk tregojnë një përparim revolucionar.

Sa i përket rolit të BE-së në procesin e normalizimit, diskutuesit bien dakord që edhe Serbia edhe Kosova duhet të qëndrojnë të përkushtuara në procesin e integrimit në BE. Megjithatë, çështja e ndikimit të BE-së në dialog mbetet e hapur. Nuk ekziston konsensus rreth asaj se bashkëpunimi i intensifikuar ekonomik në fund do të çonte në normalizimin politik të marrëdhënieve. Diskutuesit përgjithësisht ranë dakord se nuk ka zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe se përfaqësuesi i BE-së Lajçak ka një detyrë të vështirë jo vetëm për të rivendosur bisedimet, por edhe për të rikthyer besimin në proces.

Çështja e dinamikës së brendshme politike të Kosovës dhe Serbisë, dhe se si ndikon kjo në dialog, është çështje për të cilën bashkëbiseduesit tanë kanë perspektiva të ndryshme. Mendimet janë të ndara rreth asaj a varet dinamika e negociatave më shumë nga rrjedha e qeverisë serbe apo nga ajo kush dhe kur do të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës. Gjithashtu, diskutuesit tanë i japin peshë të ndryshme ndikimit të fuqive të mëdha në rajon, në krahasim me pronësinë lokale të proceseve të caktuara politike, të tilla siç janë lufta për pushtet midis qeverisë së Kosovës dhe opozitës dhe strategjitë narrative të presidentit serb, të destinuara për të mbajtur opinionin publik në kornizat nacionaliste.

Më në fund, e ardhmja e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës varet nga faktorë të shumtë, duke përfshirë edhe këtë se a do të refuzohet ideja për shkëmbimin e trojeve, nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, nëse vendet e tjera që aktualisht nuk e njohin Kosovën si shtet do të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe nëse serbët e Kosovës do të mbrohen në mënyrë adekuate. Por mbase gjëja më e rëndësishme është se, marrëdhëniet e ardhshme varen nga demokratizimi i të dy shoqërive, një potencial i cili nuk është realizuar ende plotësisht.

Belgrade Security Conference, tetor 2020