Vështrime

Një kthim nga e mbara, për të cilin do përgatitur

Presidenti Biden do të korrigjojë gabimet në politikën e jashtme të presidentit Trump. Por pas Grenellit nuk vjen anti-Grenelli; vijnë vektorët brenda të cilëve duhet ta gjejnë veten Kosova dhe regjioni

1.

E ka pasur një shkrim autorial në mars të këtij viti ai që tashmë është zgjedhur president i Amerikës në revistën “Foreign Policy”. Njëra prej porosive të Joe Bidenit, që lexohej me thjeshtësinë më të madhe, ishte se si president do të korrigjojë gabimet e bëra, e të mëdha, të presidentit Trump në politikën e jashtme. Të hënën, më 9 nëntor, në cilësinë e presidentit të zgjedhur, por ende pa e marrë detyrën zyrtarisht, shpalli se njëra prej pikave të tij të para strategjike është mbrojtja kundër ndryshimeve klimatike, pra edhe kthimi te Marrëveshja e Parisit rreth ngrohjes globale, pra edhe vendimi për 0 emisione karbonesh në SHBA më 2050.