OpEd

Fundi i pandëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve

Boll më! RSF-ja bën thirrje për veprime konkrete për t’i dhënë fund dhunës ndaj gjithë gazetarëve kudo që jetojnë e punojnë. I bëjmë thirrje sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të përkrahë emërimin e përfaqësuesit të veçantë për sigurinë e gazetarëve dhe vendeve anëtare që të mundësojnë punën e këtij përfaqësuesi me mandat vendimtar

Në shumë mënyra, kurrë nuk ka qenë kohë më e rrezikshme për gazetarët sesa e tashmja. Me krizat e vazhdueshme që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe lirinë e mediave, kjo dekadë do të jetë vendimtare për të ardhmen e zërit që ka qenë i rëndësishëm në mirëqenien e shoqërive. Si do të dukej bota nëse nuk do të kishte gazetarë profesionistë dhe të paanshëm? Ani pse shqetësuese, kjo pyetje më nuk është hipotetike.

Siguria e gazetarëve mbetet një çështje shumë e rëndësishme. Ani pse vrasja e gazetarëve është ulur gjatë pandemisë Covid-19, kërcënimet për sigurinë e tyre vazhdojnë të evoluojnë dhe rriten. Këto kërcënime po bëhen edhe më të zakonshme dhe më vështirë që të luftohen.

Në vitin 2019, më shumë gazetarë janë vrarë në shtete që supozohet se janë në paqe sesa në zona lufte. Përqindja e gazetarëve të vrarë me planifikim është më e lartë se kurrë më parë. Shumë prej të gazetarëve të vrarë po punonin për të zbuluar korrupsionin dhe çështje tjera të ndjeshme.

Vetëm pak ditë më parë, më 29 tetor, gazetari Arturo Alba Medina u vra në Ciudad Juarez në Meksikë, në afërsi të kufirit me Shtetet e Bashkuara. Ai ishte gazetari i gjashtë i vrarë sivjet në Meksikë, shteti më vdekjeprurës që nuk është në luftë.

Vetëm në dhjetë vjetët e fundit më shumë se 1 mijë gazetarë janë vrarë në lidhje me punën që bëjnë. Shumë prej rasteve kurrë nuk janë hetuar siç duhet dhe shumica e vrasësve të tyre nuk kanë dalë para drejtësisë. Kjo është shifër e lartë sepse mungon mekanizëm për të vënë drejtësinë në vend.

Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve që u shënua më 2 nëntor, ishte mundësi e mirë për të folur rreth veprimeve konkrete që një herë e mirë t’i jepet fund kësaj të keqeje. Kombet e Bashkuara duhet të emërojnë një përfaqësues special për Sigurinë e Gazetarëve, që mëton të përforcojë ligjin ndërkombëtar dhe të ulë numrin e gazetarëve të vrarë çdo vit shkaku i punës që bëjnë.

Reporterët Pa Kufij (RSF) ka bërë fushatë për emërimin e një përfaqësuesi të veçantë për të fituar momentumin në vitet e fundit, por mbetet një pengesë. Sepse i emëruari duhet të jetë përfaqësues i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që duhet të japë përkrahjen e vazhdueshme për gazetarët. Fatkeqësisht, Antonio Guterres nuk ka përmbushur premtimet që bëri kur u takuam një muaj para se të merrte punën në vitin 2017. “Do të marrë kohë, por do ta realizojë”, më tha mua.

Guterres tani ka më pak se një vit kohë të mandatit të tij. Kjo është e mjaftueshme për të siguruar veprime që do t’i jepnin fund eliminimit të gazetarëve dhe do t’i mbronin ata. Emërimi i një anëtari të stafit të tij si person kontakti në këtë problem – hapi i vetëm konkret që ka bërë Guterres – nuk është i mjaftueshëm.

Mandati për një përfaqësues të veçantë nuk do të varej nga ushtrimi i detyrës së bazuar në letra që gjeneron më shumë raportim. Do të thoshte sjelljen në jetë të mekanizmave të Kombeve të Bashkuara, zgjidhjeve dhe rekomandimeve për të siguruar një koordinim më të mirë dhe për të vënë para drejtësisë kryerësit e krimeve ndaj gazetarëve. Emërimi i një përfaqësuesi të veçantë do të thoshte se qëllimet e mira çojnë në rezultatet e vërteta.

Rezultati i qartë është i nevojshëm në shumë raste në të cilat është përfshirë RSF-ja – përfshirë edhe atë të gazetarit saudit Jamal Khashoggi, që u vra dhe masakrua brenda Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll gjatë vitit 2018. Shumë prej rasteve kanë të bëjnë me gazetarët hulumtues, siç janë Daphne Caruana Galizia, e vrarë në vitin 2017, me një bombë jashtë shtëpisë së saj në Malta; Jan Kuciak, i vrarë në vitin 2018 së bashku me të fejuarën e tij, Martina Kušnírová, brenda shtëpisë në Sllovaki; gazetarit bjellorus Pavel Sheremet, i vrarë me një bombë në veturë, në vitin 2016, në Kyiv, dhe gazetarin ganez, Ahmed Hussein-Suale, i vrarë me tre plumba në vitin 2019 në Accra.

Ka shumë raste, gazetari riosh Christopher Allen u vra në vitin 2017, teksa po raportonte për konfliktin civil në Sudanin Jugor, dhe Kirill Radtchenko, Alexandre Rasstorgouïev e Orhan Djemal, të vrarë në vitin 2018, teksa po realizonin dokumentarin për mercenarët rusë në Republikën e Afrikës Qendrore.

Boll më! RSF-ja bën thirrje për veprime konkrete për t’i dhënë fund dhunës ndaj gjithë gazetarëve kudo që jetojnë e punojnë. I bëjmë thirrje sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të përkrahë emërimin e përfaqësuesit të veçantë për sigurinë e gazetarëve dhe vendeve anëtare që të mundësojnë punën e këtij përfaqësuesi me mandat vendimtar.

Krejt në fund, i bëjmë thirrje publikut ndërkombëtar dhe vendimmarrësve – të bashkohen në fushatën tonë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve njëherë e mirë.

(Christophe Deloire është sekretar i përgjithshëm i “Gazetarëve pa kufij”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).