Vështrime

Përherë duke përqafuar Putinin

Çka i shtynë disa politikanë të majtë gjermanë që ta mbrojnë autokratin rus me çdo kusht? Madje edhe kur ka akuza të rënda se Kremlini mund të jetë i involvuar në helmimin e opozitarit Aleksej Navalni.

Gerhard Schröderi ka qenë kancelar i Gjermanisë. Socialdemokrat. I majtë, por modern. Nga reformat e tij të tregut të punës ka përfituar Gjermania, madje politikisht ka përfituar edhe Angela Merkel. Pasi humbi zgjedhjet më 2005, Schröder mori një post udhëheqës në koncernin rus Gazprom, pra ish-kancelari gjerman u bë punëtor i Vladimir Putinit. Dhe i tillë është edhe sot. Schröder ka hyrë në histori me një marrëzi gjuhësore, kur ka thënë se Putini është "demokrat i pastër si loti". Ndonëse Putin e ka dëshmuar të kundërtën disa herë, Schröder i ka qëndruar besnik marrëzisë së tij gjuhësore. Kur në vitin 2014 Putini pushtoi Krimenë ukrainase, Schröder tha se kjo nuk është aq tragjike, fundja "edhe ne më 1999 e kemi shkelur të drejtën ndërkombëtare në Kosovë". Krahasimi mes dy konflikteve është i paqëndrueshëm, por Schröder, propagandist me pagesë, nuk përton të tregojë përralla. Nganjëherë edhe në Beograd, kur e takon Aleksandar Vuçiqin për të diskutuar mbi cilësinë e verës dhe për ta lavdëruar Serbinë, duke e fshirë historinë.

Këto ditë Schröder po hesht, ndërsa shumë politikanë gjermanë po flasin. Po flasin të tmerruar pasi një spital në Berlin konstatoi se opozitari rus Aleksej Navalni është helmuar me një helm të prodhuar në Bashkimin Sovjetik. Navalni humbi vetëdijen ndërsa po fluturonte nga Tomsku (pjesa perëndimore e Sibirisë) në Moskë. Me gjasë helmi noviçok iu hodh në çaj. Pas presionit të madh perëndimor, autoritetet ruse lejuan transferimin e tij në Berlin për trajtim mjekësor. Çfarë zbuluan mjekët gjermanë, nuk habiti askënd: si shumë opozitarë apo kundërshtarë të ashpër të regjimit edhe Navalni ishte viktimë e helmimit.