Vështrime

Prapë “historike”

Po qe se kjo është marrëveshje historike, atëherë Avdullah Hoti e ka shkelur fjalën e përsëritur prejse e ka marrë postin: se në Washington shkohet vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes për njohje reciproke. Sepse pika 10 (edhe pse dokumentin që e kemi parë nuk ka pika) e projekt-marrëveshjes që e kishte paraparë njohjen reciproke ishte refuzuar nga Vuçiqi pardje

Dhe na shkoi delegacioni kinez në Amerikë, për ta nënshkruar edhe një marrëveshje "historike" për të cilën askush me gjasë nuk ka ditur asnjë send, derisa nuk u kanë dalë letrat përpara dhe u është thënë që t'i nënshkruajnë.

E gjithë ceremonia e planifikuar asisoj për t'i dhënë dekor historik një marrëveshjeje që nuk di njeri nëse është e tillë, kaloi me nënshkrimin e dy dokumenteve të veçanta që nuk janë identike, njërën për Kosovën, nënshkruar nga Hoti dhe tjetrën për Serbinë, nënshkruar nga Vuçiqi dhe një letër të veçantë të nënshkruar nga Trumpi, ku thuhej se kishte qenë i lumtur të ishte nikoqir i nënshkrimit të marrëveshjes që e quan historike.