OpEd

Në pritje

Thuajse i gjithë ky proces i negociatave andej-këndej zhvillohet disi në pritje të 30-40 ditëve të ardhshme në të cilat do të konfirmohet ose jo aktakuza e Thaçit dhe e Veselit. Që ka shumë gjasa që ky të jetë vetëm fillimi i një numri jo të vogël aktakuzash kundër krerëve partiakë e politikë, që do ta hallakasin skenën politike pa asnjë dyshim të vetëm

Google search eksplodoi javën e shkuar me të marrë vesh se Messi donte ta linte Barcelonën. Kërkimet që i referoheshin emrit të tij kërcyen prej 8% në 89%, duke e kaluar madje kërkesën e modës së tetë muajve të fundit: koronavirusin.

Mbase edhe ky qe indikator që njerëzit tashmë janë ngopur me koronavirusin, të cilit megjithatë nuk kanë çfarë t'i bëjnë, prandaj edhe u qasen gjërave të tjera dytësore që bëhen më parësoret në botë.

Ikja eventuale e gjeniut të futbollit prej Barcelonës do ta lërë atë pa magjinë e futbollit të cilin e ka kultivuar 16-17 vjet në këtë ekip. Se a mund të paramendohet Barça pa të: mundet, sepse jeta vazhdon, dhe gjërat ecin edhe pa atë që nuk është. Është fakt se mund të çalojnë nga pak porse, megjithatë, ecin, deri në zbulimin e ri. Ngase secili brez e ka heroin a heroinën e vet.

Edhe kosovarët u bënë pjesë e interesimit për temën, për shkak se në shtëpi punët i kanë llugë, që më llugë zor që bëhen. Edhe pse jam e vetëdijshme se sa herë kemi thënë se më zi nuk bëhet në Kosovë, politikanët tanë do të na befasonin me ndonjë gjë tjetër të mbrapshtë e të re që do t'iu kujtohej.

Herë Brukseli e herë Washingtoni

Sinqerisht, në kohën kur infektimet me koronavirus nuk kanë të ndalur (mbërritën në, zyrtarisht, 13 100 të premten), kurse numri i të vdekurve nga virusi ka mbërritur në 499 (kur kjo Qeveri e mori pushtetin, numri i të infektuarve ka qenë 1123 dhe i të vdekurve 30), gjëja e fundit që do të duhej të ndodhte është dialogu. Mu për shkak se ky dialog është i shtyrë me zor dhe është shndërruar në një garë mes BE-së dhe SHBA-së për interesa të tyre.

Shumë do të kishte pasur logjikë po qe se këtij procesi do t'i hynim të konsoliduar, me një Qeveri stabile, një Kuvend të përgjegjshëm dhe me gatishmërinë e të gjitha subjekteve parlamentare që të bëheshin pjesë të një procesi që ka strategji dhe ka pajtim se si të shkohet tutje. Porse futja në bisedime me koordinator që nuk dihet se çfarë flet në Bruksel, me kryeministër që nuk e di se përse shkon në Washington (edhe pse i thonë do të bisedojnë tema ekonomike) të takohet me dikë që nuk e ka homolog, përderisa ka parti që nuk e dinë po qe se do të kenë kryetar në muajt vijues, nuk është gjë e mirë për Kosovën.

Dhe nuk është e mirë për shkak se vazhdohet me avazin e vjetër të negociatave me Serbinë: Kuvendi idenë nuk e ka se për çfarë bëhet fjalë; nuk ka parime bazë, nuk ka strategji, dhe nuk e dimë po qe se edhe kemi njerëz që do të mund të merreshin me përfaqësimin e interesave tona. Sepse nga 2010 e deri tash kemi pasur përfaqësim të interesave personale dhe luftë për shpëtim nga Gjykata Speciale.

Takimi në nivel të ekspertëve (kush janë?) vazhdon të quhet politik nga Skënder Hyseni, për të cilin, nga ana tjetër, nuk e dimë se çfarë prerogativash ka. Këndej po bëhen gati të shkojnë në Washington, dhe nuk po e dimë se kush do të shkojë, në çfarë cilësie dhe me çfarë autorizimesh. Dhe po, me shumë qejf do të doja të merresha vetëm me Messin këto ditë, porse problemi është se këta njerëz në këto dy kryeqytete shkojnë e marrin vendime që e prekin edhe jetën time.

Ndërkohë

Virusi po get na gjeti "të papërgatitur" dhe bash s'ka dert që ka nisur qe gjashtë muaj, dhe puna e shkollave u zgjidh vetëm kur "biberi", kryetari i SBASHK-ut, me gjasë e bindi ministrin se nuk janë të përgatitur për t'ia nisur vitit shkollor më 1 shtator.

Tash, sinqerisht, nuk është punë e Sindikatës të krijojë kushtet për vijimin e mësimit nëpër shkolla, porse është detyrë e saj që t'i kërkojë kushtet që duhet plotësuar, dhe madje të sugjerojë zgjidhje se si duhet mbajtur mësimet. Sepse detyra e Sindikatës nuk është vetëm të organizojë greva për rritje pagash, jo rrallë në formë shantazhi.

Problemi i shkollave është dashur të jetë shqyrtuar që nga çasti kur plasi pandemia në Kosovë. Brenda kushteve në të cilat punojnë shkollat tona, është dashur të mendohej për zhvillimin e mësimit në disa grupe fëmijësh, pra që klasat me nga 30 nxënës të ndahen në dy grupe, dhe që këta mësues e arsimtarë të punonin në dy ndërresa, me një pauzë të ndërmjetme dezinfektimi.

Çështja e dezinfektimit të objekteve nuk është shumë e komplikuar - si procedurë zgjat 15 minuta, me një 20 minutësh pauze dhe një 15-minutësh pastrimi, që mund ta bëjë cilido prej nesh pa shumë filozofi. Madje as spërkatja me dezinfektues nuk është e komplikuar. I komplikuar për Kosovën është tenderimi i materialeve dezinfektuese dhe llogaritja kush mund të fitojë nga kjo punë. Madje e komplikuar është ku të gjenden paratë për një punë të këtillë, për shkak se arsimi te ne assesi nuk mund të jetë më prioritar sesa rrugët e asfaltit.

Me një çakordim total, viti shkollor u shty për dy javë. Jam e bindur se në këto dy javë do ta zbulojnë ujin e nxehtë dhe nuk do të bëjnë asnjë gjë me peshë për mbarëvajtjen e procesit mësimor, të cilin madje me një moment e decentralizuan në nivel të komunave. Pra, komuna do të vendosë nëse ka ose s'ka kushte për mësim. Po qe se komuna vendos se nuk ka kushte, cila pra është alternativa? Mësimi online? Ku, në komuna të vogla ku fëmijët s'kanë kompjuterë, e shpesh besa as rrymë e as rrjet telefonie?

Shumë joserioze kjo qasje. Dhe tepër e papërgjegjshme. Mbase edhe për shkak se do të shërbejë si alibi fantastike edhe për një debakël në PISA.

* * *

Nuk e di nëse duhet marrë seriozisht këtë që po ndodh këto ditë me këto dy palë negociatash. Disi nuk mund t'i shmangem bindjes se nga njëra anë Evropa do që të dëshmojë se është duke bërë diçka në një proces të cilin e ka shkretuar dhjetë vjet me radhë, kurse nga tjetra, Grenelli mundohet me çdo kusht të nxjerrë një diçka të shkruar e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë për punë të zgjedhjeve në Amerikë.

E ne, kështu të vegjël çfarë jemi me numra, e edhe më të vegjël me kapacitetet tona të kufizuara të shtetndërtimit, sillemi thuajse jemi partnerë të përgjegjshëm, kur në të vërtetë dëshmojmë se as macen prej përsheshit s'mund ta nxjerrim.

Thuajse i gjithë ky proces i negociatave andej-këndej zhvillohet disi në pritje të 30-40 ditëve të ardhshme në të cilat do të konfirmohet ose jo aktakuza e Thaçit dhe e Veselit. Që ka shumë gjasa që ky të jetë vetëm fillimi i një numri jo të vogël aktakuzash kundër krerëve partiakë e politikë, që do ta hallakasin skenën politike pa asnjë dyshim të vetëm.

Prandaj edhe përpëlitjet dhe paralajmërimet se mund të ketë riformatim qeverie, mbase edhe zgjerim të sajin edhe me PDK-në, ngase mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë do t'i gjente partnerët aktualë të koalicionit ose të dobësuar për shkak të mungesës së parimësisë, ose pa krerët e tyre, të zënë me punë të tjera jashtë kontrollit të tyre.

Është sikur thuajse të gjithë janë në pritje të reagimit të Speciales për të ditur se si tutje. Problemi është se pakkush do të dijë se si tutje, me sa më pak pasoja të dëmshme për Kosovën.

flaka@koha.net