OpEd

A do t’i pajtojnë Francën dhe Algjerinë dy historianë?

Ende nuk dihet si do të punojnë dy historianët e shquar Benjamin Stora dhe Abdulmexhid Shikhi, por dihet se secili nga ta do t‘ia paraqesë shefit të shtetit të vet reflektimet e veta, çka nënkupton edhe propozimet se si të hiqen barrierat shekullore mes dy popujve

Ndonëse kanë kaluar 58 vjet nga fitimi i përgjakshëm i pavarësisë së Algjerisë nga kolonizatorët francezë, raportet mes këtyre dy shteteve ngelin të tendosura, për shkak të shumë anëve të errëta të historisë 130-vjeçare plot dhunë nga kolonizatorët francezë.

Këtë histori, një pjesë e së cilës ende gjendet e mbyllur me dry në arkivat franceze, por edhe në arkivat algjeriane, ka vendosur ta “shpëtojë” nga harresa, askush tjetër pos presidentit francez, Macronit. Ai gjeti një ide origjinale, duke e ngarkuar historianin e shquar francez Benjamin Stora, autor i gjashtë veprave kapitale rreth kohës së kolonializmit francez në Algjeri që nga viti 1830, përfshirë luftën e popullit algjerian, të udhëhequr nga Fronti Çlirimtar Kombëtar (FLN) nga viti 1956-62, kur u vranë mbi një milion e gjysmë algjerianë, por edhe një numër i ushtarëve, policëve francezë dhe bashkëpunëtorëve vendorë “shputëzinjve”, siç quheshin kolonizatorët civilë francezë dhe spanjollë, që mbanin pushtetin real në Algjeri.

Historiani Stora e pranoi këtë “detyrë të vështirë, ose mision për të reflektuar mbi kujtesën franko-algjeriane”, siç u deklarua ai. Ai gjithashtu përmendi mundësinë e zbardhjes së të pathënave të kësaj periudhe në të mirë të pajtimit të dy popujve.

Gati paralelisht me iniciativën e presidentit Macron, i cili lindi në vitin kur Algjeria fitoi pavarësinë, falë presidentit të atëhershëm francez, gjeneralit Dë Gol, edhe presidenti algjerian, Ambdulmexhid Tabun, caktoi historianin e njohur algjerian Abdulmexhid Shikhi, drejtor i arkivave algjeriane me një mision të ngjashëm. Edhe ai iu përgjigj pozitivisht shefit të shtetit të vet. Ende nuk dihet si do të punojnë këta dy historianë të shquar, paralelisht apo do të bashkëpunojnë. Dihet se secili nga ta do t‘ia paraqesë shefit të shtetit të vet reflektimet e veta, çka nënkupton edhe propozimet si të hiqen barrierat shekullore mes dy popujve.

Merret vesh se kjo ide u diskutua dhe u përkrah nga presidentët e dy shteteve dhe tani mbetet të shihet se çfarë do të jenë ato “reflektime” të këtyre dy historianëve të njohur që do të hapin rrugë për të dy presidentët dhe dy popujt, pasi të thuhen dhe të pranohen të vërtetat historike.

Në tërë këtë histori me dritëhije të shumta, do të dalin në shesh nga arkivat franceze të gjitha krimet që armata kolonialiste franceze ushtroi 130 vjet në Algjeri, mbi 8000 fshatra të fshira nga dheu, mbi një milion e gjysmë algjerianë të vrarë, vetëm në luftën e fundit 1956-62, metodat çnjerëzore që përdorën kolonialistët për ta përgjysmuar popullsinë algjeriane, që numëronte vetëm 8 milionë banorë, si dhe metodat për t’ua ndaluar shkollimin në gjuhën amtare fëmijëve algjerianë etj.

Mirëpo Franca ka vendosur të nxjerrë në shesh të gjitha fshehtësitë për Algjerinë. Ajo do të mbështetet mbi kujtimet e presidentit të atëhershëm, gjeneralit Dë Gol, i cili më 1962 shfaqi kurajën ushtarake dhe njerëzore për të thënë: “Mjaft më! Populli algjerian meriton pavarësinë”. Ai organizoi negociatat paqësore me përfaqësuesit e luftës algjeriane, shpalli referendumin në vend për të vërtetuar pavarësinë e Algjerisë dhe mbeti në histori si gjeneral i të gjithë gjeneralëve.