Vështrime

250 vjet pas Hegelit

Hegeli është njëri ndër emrat më interesantë të historisë së filozofisë. Jo vetëm për shkak të sistemit të tij të mendimit, por edhe për një arsye tjetër, ndoshta më pak filozofike. Sistemi dhe mendimi i tij filozofik konsiderohen të jenë paraardhësit e materializmit historik të Karl Marksit. Sikurse për Marksin, po ashtu edhe për Hegelin, ekziston një bindje që gjithkush di dhe ka diçka për të thënë për ta.

Por, për dallim prej Marksit që ishte materialist, na thonë se Hegeli ishte idealist. Ishte idealist në kuptimin specifik të fjalës, që presupozon që realiteti është produkt i mendimit, dhe zhvillimi i tij rrjedh sipas procesit dialektik të tezës-antitezës-sintezës. Po ashtu, mendohet se Hegeli kishte rol të madh në rritjen e nacionalizmit e militarizmit gjerman. Mirëpo mëkati më i madh i Hegelit konsiderohet të jetë glorifikimi i shtetit prusian, i cili ishte “marshimi i Zotit në tokë” – pra, Prusia ishte kulmimi i gjithë historisë njerëzore. Së këndejmi, ai u kërkonte qytetarëve besnikëri të pakusht ndaj shtetit.