Vështrime

Lëmshi i Kosovës

Hyseni ka mundur të bënte biseda të këtij rangu nëpërmjet telefonit edhe nga Prishtina pa pasur nevojë t'i shpenzojë paratë e buxhetit për këso shëtitjesh. Është tepër joserioze të dalësh e të thuash se nuk e takova, por bisedova gjatë me telefon me të. Nëse e ke ditur se ai nuk është në Washington, pse shkove pra? Çfarë po fsheh?

Nuk dija as si t'ia nisja rrëfimit të kësaj jave. Numrat alarmantë të të infektuarve dhe numri shumë i rritur i jetëve që i mori virusi COVID janë tepër frikësues dhe dëshmojnë për, pa dyshim, "infektimin e tufës". Nëse mbi gjysma e të testuarve po dalin pozitivë me virusin, kurse Kosova vazhdon të mos mundet t'i bëjë më shumë se rreth 200 teste PCR në ditë, atëherë numri real i të infektuarve duhet të jetë shumë më i madh seç na del zyrtarisht.

Kapacitetet shëndetësore tashmë thuajse janë të mbushura, ndërkohë që ekipet profesionale të mjekëve dhe infermierëve të angazhuar në luftimin e pandemisë që tashmë ka hyrë në muajin e pestë, janë të rraskapitur. E si të mos ishin: janë duke punuar thuajse pa pushim dhe ndërkohë, dëgjojnë se si në Kuvend nuk miratohet kërkesa për ngritjen e pagave të tyre. Po edhe të mos kishte rritje, do të duhej të kishte shpërblim për punë jashtë krejt normave ligjore, për shkak se pandemia nuk po shfaqet prej orës 7 të mëngjesit deri në 3 pasdite.