Vështrime

Kosovës i duhet një strategji gjithëpërfshirëse për ta trajtuar të kaluarën e saj, që u përgjigjet nevojave të qytetarëve

Kosovës i duhet një strategji gjithëpërfshirëse për ta trajtuar të kaluarën e saj, që u përgjigjet nevojave të qytetarëve

Ndjesia e mungesës së arritjes së drejtësisë, gjë që është prezente në vend, si dhe mungesa e pranimit dhe njohjes së shkeljeve dhe dëmeve të pësuara nga viktima të ndryshme gjatë konfliktit të armatosur janë bërë pengesa për bashkëjetesën ndëretnike, pajtimin dhe zhvillimin e shoqërisë kosovare deri më tani. Aktualisht, aktakuzat që priten të ngrihen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës sjellin kujtime për të kaluarën dhe mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri të mëtejme politike. Gjithashtu, krijimi i një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili do të kishte potencialin për të trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse konfliktin, nuk është i sigurt. Kjo situatë kërkon një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare për trajtimin e së kaluarës, në të cilën përfshihen zërat e qytetarëve

Javën e kaluar, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës rifilloi pas pothuajse dy vjetësh. Prioritetet e paraqitura nga delegacioni kosovar përfshijnë temën e personave të pagjetur dhe dëmet ekonomike që lidhen me luftën e fundit. Progresi në këto tema është i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy qeverive dhe aq më tepër për shumë viktima dhe të mbijetuar. Sidoqoftë, nevojitet një vëmendje më e madhe për t'u marrë me trashëgiminë e konfliktit dhe për të ecur drejt një të ardhmeje të qëndrueshme paqësore, sugjeron një raport i ri kërkimor.