Franca mbetet e përkushtuar, e bashkuar dhe solidare me partnerët e saj evropianë dhe ndërkombëtarë të prekur nga kriza shëndetësore
Festimi i 14 Korrikut është gjithmonë një moment i paharruar dhe simbolik në jetën e kombit francez. Kjo datë është pjesë e historisë kolektive të Francës, sepse më 14 korrik 1789, populli francez liroi të burgosurit e arrestuar në mënyrë arbitrare në Kështjellën e Bastijes. Është kjo dita që historia e mban mend si simbol i një France dhe një populli që duke thyer zgjedhën e monarkisë u bë zot i fatit të tij politik.
Parimet që burojnë nga Revolucioni Francez u përfshinë gjerësisht në Deklaratën universale të vitit 1948, dhe përbëjnë edhe sot themelin më të fortë mbi të cilin u ndërtuan demokracitë tona dhe mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian.
Duke festuar 14 Korrikun, ne së pari i festojmë këto vlera që i ndajmë si evropianë: Respektimi i lirive publike, mbrojtja e shtetit të së drejtës, lufta kundër diskriminimit dhe pabarazisë së çdo lloji, kërkesa për të vënë interesin e përgjithshëm përpara interesave të veçanta.
Fatkeqësisht, festa jonë kombëtare franceze sot nuk u ngjan aspak festave të viteve të mëparshme. Ajo po mbahet në një kohë krize shëndetësore globale të paparë.
Dëshiroj të shpreh nderimin tim për të gjithë ata që janë angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen në luftën kundër COVID-19 në mbarë botën. Falënderimet tona i shkojnë në rend të parë personelit shëndetësor, por edhe të gjithë atyre që falë punës së tyre të përditshme kanë mundësuar që të mos ndalet gjithçka gjatë atyre javëve të gjata të karantinimit. Dhe në fund, dëshiroj të përshëndes veçanërisht angazhimin e të gjitha strukturave mjekësore në Kosovë që po përballen tani me një përkeqësim të shpejtë të situatës.
Franca mbetet e përkushtuar, e bashkuar dhe solidare me partnerët e saj evropianë dhe ndërkombëtarë të prekur nga kriza shëndetësore. Për të përballuar këtë krizë, Bashkimi Evropian i ka siguruar Kosovës 160 milionë euro ndihmë, duke riorientuar fondet e para-anëtarësimit drejt projekteve që do të mundësojnë tejkalimin e krizës, si dhe një ndihmë makro-financiare të jashtëzakonshme. Është e rëndësishme që ky financim tani të mund të zbatohet në praktikë pa vonesë. Sepse ai ka për qëllim të mbështesë ekonominë e Kosovës të goditur fort nga pasojat ekonomike dhe sociale të krizës aktuale shëndetësore.
Kremtimi i festës kombëtare franceze gjithashtu është një mundësi për të kujtuar cilat janë lidhjet e miqësisë që bashkojnë Kosovën dhe Francën.
Nuk ka nevojë të rikujtojmë se Franca ishte një ndër vendet e para që njohu Kosovën. Sepse Franca është e bindur se e ardhmja e Kosovës është evropiane. Është një realitet gjeografik, historik dhe kulturor që nuk mund të mohohet. Presidenti Macron është veçanërisht i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë.
Përfundimisht, kushtet për rifillimin e dialogut janë krijuar. Ky është një rast nga i cili duhet përfituar tani. Për më tepër, përparime të konsiderueshme janë bërë tashmë. Kryeministri u prit në Paris javën e kaluar. Samiti i Parisit u mbajt virtualisht më 10 korrik, me ftesë të presidentit Macron dhe kancelares Merkel, në prani të të gjitha palëve të interesuara. Një takim i parë sapo është zhvilluar përmes videokonferencës me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajčák. Është me rëndësi që ky dialog, i cili po fillon më në fund, të vazhdohet shpejt në një nivel operativ. Dëshira ime më e madhe është që të arrihen rezultate të prekshme sa më shpejt të jetë e mundur.
Në ndërkohë, unë e di se sa të mëdha janë pritjet e kosovarëve për liberalizimin e vizave. Unë i kuptoj zhgënjimet e tyre, veçanërisht të të rinjve që dëshirojnë të njohin Evropën, të shkojnë për të studiuar atje ose thjesht për të parë familjet e tyre jashtë vendit. Lehtësimi i qarkullimit brenda zonës së Shengenit është në kuadër të logjikës së perspektivës evropiane të Kosovës.
Është e qartë se Kosova është e vetmja nga gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor që nuk përfiton nga liberalizimi i vizave të qëndrimit të shkurtër në zonën Shengen. Por duhet rikujtuar se Bashkimi Evropian është i vetmi nga partnerët kryesorë euro-atlantikë të Kosovës që ofron një lehtësim të tillë të qarkullimit.
Sigurisht se procesi mund të duket i gjatë, sepse kërkon një vendim të rëndësishëm politik nga ana e shteteve anëtare. Por ai është në vijim e sipër. Komisioni evropian prezantoi në korrik 2018 një raport pozitiv mbi plotësimin nga ana e Kosovës së 95 kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Vitin e kaluar Parlamenti Evropian mbështeti qëndrimin e Komisionit Evropian lidhur me vizat.
Vendimi për këtë propozim aktualisht është në shqyrtim nga Këshilli Evropian. Në këtë fazë ai ende nuk ka shumicën e nevojshme për miratimin e tij. Një shumicë e shteteve anëtare janë me të vërtetë të shqetësuar për pasojat e migracionit, veçanërisht rritjen e numrit të azilkërkuesve, që kishte ndodhur me disa shtete në të kaluarën e afërt, pas heqjes së vizave.
Kjo është arsyeja pse Franca, krahas shteteve të tjera anëtare, mbetet e vëmendshme për zhvillimet në fushën e shtetit të së drejtës në Kosovë. Përmes forcimit të shtetit të së drejtës, mund të garantohet zbatimi efektiv i masave për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe imigrimin e paligjshëm. Përparime të rëndësishme janë arritur në këtë fushë, të cilat edhe janë njohur nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian. Sidoqoftë, zhvillimet në këtë fushë, siç është miratimi i disa ligjeve për forcimin e sundimit të ligjit dhe plani për të reformuar sistemin e drejtësisë, janë miratuar kohët e fundit dhe nuk mund të kenë prodhuar ende rezultate të prekshme. Reforma e vazhdueshme është thelbësore në mënyrë që ligjet e miratuara të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.
Qëllimi i këtyre reformave nuk është vetëm përmbushja e pritjeve të shteteve anëtare për liberalizimin e vizave. Para së gjithash, synimi është të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, viktima e parë e të cilëve është popullata kosovare. Këto dy fatkeqësi pengojnë zhvillimin njerëzor, ekonomik, shoqëror dhe demokratik të vendit. Ato çojnë në shkatërrimin e resurseve shtetërore, kur nevojat në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit në veçanti janë kaq të mëdha.
Është pikërisht kjo që po e vë në pah kriza aktuale shëndetësore: nevojën e domosdoshme për të investuar tek njerëzit, në sistemet shëndetësore, në edukimin e të rinjve, në luftën kundër varfërisë, në mbështetje të atyre që kanë më së tepërmi nevojë. I takon shtetit të vendosë për investimet më strategjike që do të sjellin kolektivisht një të ardhme më të mirë për burrat dhe gratë e këtij vendi.
E gjithë bota është goditur fort nga epidemia e COVID-19. Virusi është akoma i pranishëm dhe më aktiv se kurrë.
Kjo na kujton se jemi vulnerabilë dhe se për të tejkaluar atë duhet të jemi të bashkuar. Duhet solidaritet midis shteteve që të ndihmojnë njëri-tjetrin për të mposhtur epideminë dhe pasojat e saj të tmerrshme ekonomike dhe sociale. Por edhe përgjegjësi individuale, sepse gjesti i parë i solidaritetit i përket secilit prej nesh individualisht: respektimi i masave parandaluese, bartja e maskës për të mbrojtur veten dhe të tjerët përreth nesh.
Për herë të parë në këta 80 vjet nuk do të ketë sot një paradë të madhe ushtarake në Champs Elysée. Por një festë kombëtare është më shumë se një rast për gëzimi. Ajo i mundëson një vendi ta rikujtojë historinë e tij, por mbi të gjitha, të shikojë në fytyrë të tashmen. Sot mesazhi që Franca dëshiron të dërgojë është se ajo është rezistuese dhe e bashkuar përballë epidemisë. Asnjë shtet nuk mund ta mposhtë COVID-19 vetëm. Ne, të gjithë së bashku, do të arrijmë ta tejkalojmë këtë krizë.
(Artikull i shkruar nga ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, për “Kohën Ditore”, me rastin e 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës)