OpEd

Jutarnji List: Prapaskenat e një paraqitjeje të Vuçiqit të dërrmuar

Foto: Facebook

Presidenti i Serbisë nuk është se merret me supozime, por përmes pyetjeve të porositura të gazetarëve e përçoi mesazhin se e di për kë në të vërtetë është fjala.

Çfarë fshihet prapa protestave të dhunshme në Beograd, në natën midis të martës dhe mërkurës? A del kjo të jetë në fund, njëfarë porosie e Moskës për Aleksandar Vuçiqin, në prag të bisedimeve për Kosovën këto ditë në Paris dhe Bruksel, se do “ta djegë, nëse luan me zjarr”?

Apo, mos është e tërë kjo njëfarë loje e Kremlinit dhe Vuçiqit? A mos është përmendja e rusëve si organizatorë të mundshëm prapa këtyre trazirave, njëfarë porosie për Brukselin, që t’i mos bëjnë presion rreth njohjes së Kosovës, pasi që “rusët i ka mbi krye”? Edhe një argument shtesë, të cilin mund ta përdorë. Të gjitha opsionet e hapura, të paktën për tani.

Në të vërtetë, disa analistë beogradas e shohin në këtë protestë “vulën ruse” dhe ngjashmërinë me protestat, disa vjet më parë, kundër Milo Gjukanoviqit në Podgoricë, të cilat, si thuhet në Mal të Zi, patën mbështetjen logjistike nga shërbimet ruse të inteligjencës. Nga ana tjetër, disa prej tyre mendojnë se Vuçiqi, duke përmendur rusët, do që në të vërtetë ta frikësojë Brukselin dhe të blejë kohë.

Aleksandar Vuçiqi, gjatë konferencës së shtypit, foli rreth “gjumës së huaj”, të vërejtur në këto protesta, por nuk e ka precizuar, ndonëse ka përmendur “njerëzit nga rajoni”, që janë parë atje.

“Në trazira morën pjesë edhe persona nga rajoni i ish-Jugosllavisë. Do t’i pyesim fqinjtë se çfarë kanë bërë atje, se cili ishte qëllimi i tyre”, ka thënë Vuçiqi, duke e shtuar dozën e së mistershmes.

Ai në të njëjtën kohë nuk ka precizuar se për kë nga rajoni bëhet fjalë. Është interesante që Vuçiqi nuk i ka përmendur rusët në mënyrë eksplicite, teksa sërish i ka quajtur qëllimkëqija mediet kroate, duke e dhënë kësisoji njëfarë porosie se mendja i shkon edhe se Kroacia mund të ketë gisht. Në të vërtetë, në bazë të pyetjeve të gazetarëve të mediave të tija pro-regjimit është parë se në pyetje janë shtetas rusë dhe malazezë, por edhe në këtë rast Vuçiqi i është shmangur përgjigjes konkrete. Nuk demantoi asgjë, por nuk përmendi qartë as rusët dhe as malazezët.

Vuçiqi nuk hamendësonte asgjë, por përmes pyetjeve të porositura të gazetarëve, e përçoi porosinë se megjithatë e di se për kë është fjala. Pra, “faktori i jashtëm” i jostabilitetit është detektuar dhe se e ka shqetësuar Vuçiqin, duke ardhur qartë nga Lindja.

Tashmë sa kohë supozohet se rusët po i dërgojnë porosi Vuçiqit që të mos ua kthejë shpinën, derisa edhe në mediet ruse është përmendur se në Rusia i ka në Serbi akterët e vet tek të cilët llogarit, përpos Vuçiqit. Në Vuçiqin gjithsesi se llogarisin rusët, por nuk mund të mbështetën tërësisht tek ai. Rusia druan se me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përkatësisht pranimin e vendimeve të Brukselit, ajo do të largohej edhe nga pika e fundit që i ofron ndikim në Evropë – Serbia. Vuçiqi tash është i ulur në disa karrige, po negocion me BE-në, po mbështetet tek Rusia e i është drejtuar edhe Kinës.

Aleksandar Vuçiq po udhëton për në Paris dhe Bruksel, në negociata evropiane rreth fatit të raporteve serbo-kosovare, pas dështimit të negociatave në Ëashington. Ai do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, derisa të dielën edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

Në të vërtetë, absurditeti i protestuesve, të cilët, midis tjerash, kërkuan heqjen e rrjetit 5G dhe protestuan kundër imigrantëve, i shkon për shtati Vuçiqit. Presidenti serb po synon barazpeshën e tani mbetet të shihet se çfarë do të dalë prej kësaj.

(Marrë nga gazeta kroate, “Jutarnji List”)